Kulturë

“Në garë me botën gri” vjen nga burgu si rrëfim me simbole e ngjyra

Nëse veprat kanë vlera të qëndrueshme artistike është çështje tjetër, por i veçantë është rrëfimi prapa tyre. Janë realizuar prej Rexhep Selimit në burgun e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. Dhe prej aty, nëpërmjet artit del “Në garë me botën gri”, siç titullohet ekspozita
 

Me jo pak simbolika ka ardhur të premten një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. E para, që në numrin e veprave, 110, që përkon me kohën kur është hapur ajo – 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ka lidhje edhe me 28 Nëntorin, që pos Ditës së Flamurit, përkon edhe me daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1997. I pazakonshëm është edhe autori i tyre: Rexhep Selimi, ish-komandant i UÇK-së, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Mbi të gjitha, është koha dhe vendi ku janë realizuar ato: burgu në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. Aty Selimi është i burgosur tash dy vjet e 20 ditë. Dhe prej aty, nëpërmjet artit del “Në garë me botën gri”, siç titullohet ekspozita.

Nëse veprat e tij kanë vlera të qëndrueshme artistike është çështje tjetër. Pikturat që kanë udhëtuar nga Haga në Kosovë karakterizohen nga disa elemente dhe koloriti tradicional shqiptar, realizuar në teknika të ndryshme. Grija është dominuese, por kontrastet janë ato që gjejnë ngjyrat edhe përballë zymtësisë. Krejt bashkë do të mund të kundroheshin edhe si një ikje prej saj nëpërmjet artit, ani pse autori s’është piktor akademik. As në vernisazhin e ekspozitës s’ka pasur pretendime për ta prezantuar si të tillë artin e tij. Më fort peshë i është dhënë rrëfimit prapa tyre. Ca prej tyre janë lojë me shenja tradicionale, figura njerëzisht në veshje kombëtare, shqiponja dykrenore, helmeta tradicionale e luftëtarëve të hershëm ilirë, kombinimi i së kuqes me të zezën, prania e ornamenteve dhe elemente të tjera të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.