Kulturë

Ministria e Kulturës me buxhet heq dorë nga Muzeu i Historisë së Natyrës

Në fazën fillestare ka mbetur objekti i Muzeut të Historisë së Natyrës në Sllatinë të Fushë-Kosovës qysh më 2019 dhe kësisoj do të mbetet edhe për një kohë. Sipas projeksioneve financiare, Ministria e Kulturës, të paktën për vitin që vjen, nuk ka ndërmend të punojë në këtë projekt, më të madhin kapital të nisur pasluftës së fundit në fushën e trashëgimisë kulturore. Për të arritur punimet deri në nivelin ku janë, ishin shpenzuar 165 mijë euro

Ministria e Kulturës nuk ka paraparë asnjë cent për vitin e ardhshëm sa i përket vazhdimit të ndërtimit të objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës. Sipas projeksioneve financiare, institucioni më i lartë kulturor në vend, të paktën për vitin që vjen, nuk ka ndërmend të punojë në këtë projekt, më të madhin kapital të nisur pasluftës së fundit në fushën e trashëgimisë kulturore.

Realisht prej fundit të vitit 2019 më nuk është punuar për ngritjen e objektit. Struktura e ngritur asokohe ka mbetur e njëjta.

Ministria e Kulturës vjet kishte vendosur që ta kthejë në pikën zero projektin. Për të arritur punimet deri në nivelin ku janë, ishin shpenzuar 165 mijë euro. Por MKRS-ja kishte vendosur që gjithçka t’i nënshtrohet rivlerësimit. Do të fillohej nga studimi i fizibilitetit.

Krejt kjo ishte reflektuar në Ligjin për buxhetin e këtij viti. Ishin paraparë 50 mijë euro për projektin me titull “Muzeu i natyrës/studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor”.

Por në Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili të enjten e kaluar u miratua në parim në Kuvend, Muzeu i Historisë së Natyrës nuk figuron fare. KOHA ka marrë vesh se MKRS-ja ka iniciuar ndërprerjen e kontratës me punëkryerësin. Për më shumë se një javë, Ministria e Kulturës nuk ka kthyer përgjigje sa i përket Muzeut të Historisë së Natyrës. Përgjigje nuk ka pasur as vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i pyetur për këtë çështje pas hapjes së Festivalit të Filmit Frankofon të mërkurën e javës së kaluar. Ka thënë se do t’i kërkojë stafit që të përgjigjet në pyetjet e KOHËS. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në orën 23:00, të së martës.

Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur ka nisur ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Sllatinë të Fushë-Kosovës, në zonën e njohur si “Te pishat”. MKRS-ja është në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin. Kontrata peshon 2.4 milionë euro. Punimet e nisura në maj të vitit 2019 ishin ndërprerë në dhjetor të atij viti për të mos rinisur më.

Image

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se si rezultat i mospërfundimit të punëve dhe mungesës së përmbushjes së planit dinamik nga kompania përkatëse, është iniciuar shkëputja e kontratës.

“Sa i përket këtij projekti, duhet të bëhet një rivlerësim i tërë procesit, në mënyrë që të bëhet studimi i fizibilitetit, i detyrimeve projektuese dhe i projektit, në mënyrë që të adresohen sfidat dhe të merret vendimi për hapat e mëtutjeshëm. Ridestinimi i buxhetit do të bëhet në bazë të rivlerësimit të projektit”, kishte thënë Fetiu.

Gjatë viti 2020 Ministria e Kulturës nxori në punë punonjësit më 16 korrik, në ditën kur vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga, asokohe, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Por realisht aty më nuk janë parë të tjerë pos rojtarit.

Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, aktualisht nënkryetar i Prizrenit bashkë me Kadri Veselin, asokohe kryetar i Kuvendit, kishin vënë gurin themeltar të ndërtesës. Nuk ka pranuar ta komentojë situatën me arsyetimin se “menaxhmenti aktual i MKRS-së është me performancë aq të dobët, sa nuk ia vlen të flitet për të”.

Problemet me këtë projekt ishin konsideruar si pengesa e parë. Por edhe ndarja e buxhetit për këtë investim nuk ka qenë asnjëherë në masën e planifikuar. Në maj të vitit 2019, kur ishte vënë guri themeltar, llogaritej që punimet të zgjasnin tre vjet. Ashtu e përcakton edhe kontrata e MKRS-së me punëkryerësin.

Konsorciumi punëkryes ishte ankuar se një pllakë që në gjuhën e arkitekturës është konzollë, me katër metra gjatësi, nuk mund të vendosej siç është paraparë. Është pllakë betoni në anën veriore, që në formë ballkoni zgjatet katër metra, gjë që, sipas kompanive punëkryese, paraqet problem për statikën, pasi nuk janë paraparë shtylla mbajtëse apo ndonjë formë tjetër që do ta siguronte qëndrimin. Për këtë arsye në MKRS gjatë vitit 2020 ishin mbajtur disa takime.

Muzeu i Historisë së Natyrës është projektuar nga kompania “Hidroing-DK SHPK”.

Eta Morina, e cila drejton këtë kompani, në shkurt të vitit të kaluar kishte thënë se është paraparë që konzolla të vendoset ashtu siç është në projekt. Sipas saj, inxhinieri i kompanisë së tyre ka konstatuar se një gjë e tillë mund të bëhet. Ajo kishte treguar se MKRS-së i kanë propozuar që të veprohet sipas projektit.

Të martën ajo ka thënë se për ta si kompani nuk është ndjenjë e mirë nëse nuk realizohet projekti.

“Nuk përzihemi në planifikime të MKRS-së, por mendojmë që është dëm për Kosovën mungesa e një Muzeu të tillë”, ka thënë ajo.

Problemet e MKRS-së me këtë projekt nuk pushojnë vetëm sa i përket zgjidhjes së problemeve profesionale midis kompanisë projektuese dhe atyre ndërtuese. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, për këtë projekt janë ndarë 450 mijë euro. Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2020, kanë qenë të parapara 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar i shtetit dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me rishikim të buxhetit për vitin e 2020 kishin ngelur veç 75 mijë euro.

Gazeta vazhdimisht ka raportuar se MKRS-ja nuk i kishte bërë mirë hesapet kur i kishte hyrë këtij projekti.

Kur ishte vënë guri themeltar në maj të 2019-s, gazeta e kishte pyetur ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, se nga do të merren mjetet për një projekt mbi dy milionësh. Siç rëndom ka premtuar buxhet më të madh sesa ka pasur në dispozicion, ai e kishte përmendur rishikimin e buxhetit për vitin 2019 dhe planifikimet për vitin 2020.

Muzeu i Historisë së Natyrës fillimisht qe paralajmëruar të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja – që asokohe udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala – dhe Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit 2016, Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit. Parcela qe ndarë në hapësirën që quhet “Te pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël.

Muzeu i Historisë së Natyrës ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura, të cilat prej 21 dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë prej dërrasash në hyrje të kompleksit “Eminxhik”, që ka katër objekte, në dy prej të cilave zë vend Muzeu Etnologjik. Për më shumë se 15 vjet eksponatet kishin zënë vend në depon e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku ishin zhvendosur në qershor të 2001-tës nga objekti i tyre në kompleksin e “Eminxhikut”, që prej atëherë është kryesori i Muzeut Etnologjik. Në vitin 2013 këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe, siç kishte raportuar gazeta, 100 eksponate kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar. Numri i tërësishëm ka qenë 1812 eksponate, meqë përfshihen edhe insektet. Një pjesë e tyre është bartur në Beograd, në kohën e luftës.