Kulturë

Anna Kohen si “Lulja e Vlorës” i rikthehet Shqipërisë së rrënjëve të saj

Anna Kohen
“Rrënjët gjithmonë më kanë tërhequr dhe më kanë thirrur që të kthehem, sepse unë vazhdoj ta quaj veten një hebreje-shqiptaro-greke”, ka theksuar Anna Kohen, të martën, në përurimin e librit të saj në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Si shumë hebrenj, edhe familja e saj gjeti shpëtim në mesin e shqiptarëve. Anna Kohen u lind në Vlorë. E natyrshme ta cilësojë Shqipërinë vendlindje, së cilës përherë i është rikthyer edhe fizikisht e duke mos e harruar kurrë. Tash, jetën e saj nëpërmjet së cilës mund të lexohet edhe ajo e të tjerëve, e shpalos me librin “Lulja e Vlorës”. “Vendosa që të shkruaj dhe të mbetet përgjithmonë historia se si një vajzë hebreje-romaniote, që u rrit dhe jetoi në Vlorë me familjen e saj duke ruajtur traditat e lashta – siç e shkruaj dhe në libër, në regjimin komunist”, ka thënë për KOHËN në përurimin e librit të saj në Prishtinë

Një vizitë në Kosovë, ishte një ëndërr e kahershme për gruan hebreje që u rrit në Shqipëri, Anna Kohen. E shkrimi i një libri nuk ishte asnjëherë në planet e saj. Rrugëtimi i saj lidhet me Shqipërinë, Greqinë e SHBA-në, hap kapituj për ata të cilët për historinë e kësaj gruaje kishin vazhdimisht pyetje. Familja e saj hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehua te një familje në Vlorë.

Në librin e saj “Lulja e Vlorës” e përshkruan kohën e komunizmit në sytë e një hebreje. Edhe pse ka kaluar një çerekshekull prej se u largua nga Shqipëria, veten e quan shqiptare. Shqipërinë e cilëson vendlindje të sajën. Në libër, ajo për herë të parë për miqtë e saj zbulon se nuk ka pasur kurrë shtetësi shqiptare. Kjo nuk iu lejua gjatë diktaturës shtypëse dhe të dhunshme komuniste të Shqipërisë, pavarësisht se ka lindur në Shqipëri si hebreje dhe pjesë e një familjeje hebreje me rrënjë greke. Anna Kohen dallohej nga bashkëmoshatarët e saj. U lind në Vlorë, prej nga u largua së bashku me familjen në vitin 1966, duke u vendosur fillimisht në Greqi, ku ka përfunduar studimet për stomatologji. Në vitin 1970 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një dentiste feministe, një filantrope dhe gjithmonë e gatshme të ndihmojë njerëzit në nevoje, është përshkruar ajo të martën nga ish-ambasadorja e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija.