Kulturë

Jeanne Moreau, “femme fatale” e kinemasë franceze

Aktorja e njohur Jeanne Moreau, figurë qendrore e Valës së Re të kinematografisë franceze, që vulosi karrierën e saj me më shumë se 120 role gjatë karrierës së saj 50-vjeçare, vdiq të hënën në Paris, transmeton sot “Koha Ditore” raportimin e AFP-së.

Ishte 89-vjeçare. Qëndrimi dhe personazhet që luajti ia dhanë epitetin “femme fatale”. Depërtimi i saj erdhi me dramën “Elevator to the Gallows”, nën regji të Louis Malle në vitin 1957. Dyshja u dashurua dhe vazhdoi të fascinojë mediat dhe adhuruesit e kinemasë kur realizoi dramën erotike “The Lovers” në vitin 1959.

Roli më i njohur i Moreaus ishte ai i Catherines në filmin e Francois Truffaut, dramën që shtjellon një trekëndësh dashurie, “Jules and Jim”, (1962) i cili i dha famë ndërkombëtare dhe shtytje në karrierë. Roger Ebert, një prej kritikëve më të njohur të asaj kohe, kishte thënë se Moreau ishte e ngjashme me personazhin që portretizoi. Moreau vetë kishte thënë një herë se “aktrimi do të thotë ballafaqim me emocione delikate. Nuk ka të bëjë me vendosjen e një maske, dhe çdoherë që një aktor aktron, nuk fshihet por e ekspozon veten”.

Në moshën 35-vjeçare ajo tashmë kishte marrë epitetin e yllit në skenën franceze. Ajo kishte inteligjencë dhe sensualitet në “Julies et Jim” që ua kaloi kolegëve të saj. Ishte e fuqishme dhe ngacmuese në atë trekëndësh dashurie. Ndoshta pjesa më befasuese e filmit është pjesa kur ajo këndon këngën “Le Tourbillon De La Vie”. Zëri i Moreau është i ngjirur ose thënë më mirë pëshpërimë sensuale. Ajo e këndon atë me një mister të këndshëm, si një nxënëse e cila është ftuar të performojë për mysafirët e një darke apo si një mësuese shkolle e rrethuar me fëmijë nga të cilët pret që t’i bashkohen në refren.

Fytyra e Moreaus ishte më shumë e rrumbullakët sesa ovale, por bukuria e saj gjithmonë kishte një kualitet fatal, ndoshta më shumë tek rrethet e zinj nën sy. Ajo shpesh ka luajtur role erotike, në filma komercialë të asaj periudhe, siç është roli në filmin “Eve” të Joseph Losey, me Stanlet Baket, apo performanca e saj në komedinë “Banana Pee” të Marcel Ophuls, ku luan me Jean-Paul Belmondon. Marrëdhënia e saj me Belmondon është shumë më e fuqishme në “Seven Days...Seven Nights” të Peter Brook, me të cilin ajo fitoi çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Cannes dhe ia dha statusin e yllit.

Moreau u lind më 23 janar të vitit 1928 nga nëna e saj britanike, e cila ka qenë valltare, dhe babai francez, pronar i një restoranti. Prindërit e saj u divorcuan kur ajo ishte 11-vjeçare dhe nëna e saj u rikthye në Britani të Madhe tek motra e saj. Gjatë okupimit nazist në Paris në vitet ’40, Moreau qëndroi në kryeqytetin francez me babanë, i cili menaxhonte një restorant në Montmartre. Ajo studioi aktrimin në Paris dhe si adoleshente performoi në teatër, para se të niste karrierën në kinematografi.

Një bashkëkohëse e yjeve si Brigitte Bardot dhe Catherine Deneuve, karriera e saj arriti kulmin në vitet ’60, kur ajo bashkëpunoi me filmbërësit ndërkombëtarë Peter Brook (“Seven Days...Seven Nights”1960), Michelangelo Antonini (“La Notte” 1961), Luis Bunuel (“Diary of a Chambermaid” 1964) dhe Orson Welles ( “The Trial” 1962 dhe “The Immortal Story” 1968).

Welles një herë e kishte quajtur atë “aktoren më të mirë në botë”. Moreau vazhdoi të punojë në filma evropianë – me disa hapa të vegjël në Hollywood – gjatë dekadës në vazhdim. Ajo u paraqit në trilerin aksion të uLc Bessonit, “Nikita” në vitin 1990 dhe në filmin e Wim Wenders “Until the End of the World” në vitin 1991.

Jeanne Moreau disa herë është nderuar me çmime për arritjet jetësore në fushën e kinematografisë – në Festivalin e Filmit në Venecie në vitin 1991, në Berlinale në vitin 2000 dhe në Festivalin e Filmit në Cannes, në vitin 2004. Ajo po ashtu mori çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për arritje jetësore në vitin 1997. Moreau dy herë ishte drejtuese e jurisë në Cannes dhe po ashtu ka marrë një “Oscar” nderi.

Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, e nderoi atë për gamën e gjerë të krijimtarisë që shtrihet prej rolit të “femme fatale” në vitet e hershme të karrierës deri tek komeditë dhe zhanret e tjera. Moreau ishte e dedikuar në punën e saj. Para disa vjetësh kishte thënë se do të vazhdonte të aktronte derisa të kishte jetë.