Kulturë

Ministria e Kulturës me 12 milionë euro më shumë, kritikohet se s’ka vizion

Me Projektligjin për buxhetin e vitit 2023 të miratuar nga Qeveria javën e kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të ketë buxhet prej 57 milionë e 17 mijë e 861 eurosh. Sa i përket këtij viti, së paku në letra, kishte në kuletë 39 milionë e 159 mijë e 109 euro. Se sa ka shpenzuar, deri më tash ende nuk ka raport dhe nuk ka dhënë përgjigje. Por, rritja nuk shkon më shumë se 12 milionë pasi prej sivjet edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale është nën varësi të Ministrisë së Kulturës. Akterët e skenës së pavarur e cilësojnë lajm të mirë rritjen, por si problem parësor vizionin për investime

Ministria e Kulturës për vitin që vjen sipas projeksioneve qeveritare do të ketë buxhet më të lartë. Sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit që vjen, Ministria e Kulturës do të ketë buxhet më të lartë për 12 milionë e 96 mijë e 532 eurosh.

Sipas Projektligjit të miratuar nga Qeveria, MKRS-ja për vitin 2023 do të ketë buxhet prej 57 milionë e 17 mijë e 861 eurosh. Sa i përket këtij viti, së paku në letra, kishte në kuletë 39 milionë e 159 mijë e 109 euro. Se sa ka shpenzuar, deri më tash ende nuk ka raport dhe nuk ka dhënë përgjigje.

Por, rritja nuk shkon më shumë se 12 milionë pasi prej sivjet edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale është nën varësi të Ministrisë së Kulturës. Kjo Agjenci ka buxhet prej 5 milionë 762 mijë e 220 eurosh.

Buxheti për projektet kapitale është rritur si në trashëgimi kulturore e po ashtu edhe në kulturë. Rritja ka prekur edhe skenën e pavarur kulturore. Por akterët e skenës së pavarur e vlerësojnë si problem parësor vizionin për investime.

Kultura e trashëgimia – përfituese të rritjes

Kultura në tërësi për vitin që vjen do të ketë 17 milionë e 647 mijë e 977. Do të jetë buxhet goxha më i lartë se sivjet kur kishte 11.4 milionë. Rritje do të ketë edhe te investimet kapitale në këtë fushë. Prej 3.1 milionë për 16 projekte kapitale, buxheti ka ngritje në 4.7 milionë po ashtu për 16 projekte kapitale. Te subvencionet e transferet e kategorisë “Përkrahja e kulturës” – prej ku mbështetet edhe skena e pavarur – për vitin e ardhshëm do të jenë 5.2 milionë euro, përderisa sivjet ishin 2.2 milionë.

Rritje ka edhe te trashëgimia kulturore. Ky sektor për vitin e ardhshëm sipas projeksioneve do të ketë 13.2 milionë euro përderisa për vitin aktual kishte 8.1 milionë. Për shpenzime kapitale rritja është afro 5 milionë euro. Prej 5.4 milionë që ishin sivjet për 56 projekte kapitale, tabelat buxhetore tregojnë se do të jenë 10.1 milionë për 62 projekte kapitale.

Buxhet i njëjtë për film, rritje për institucionet

Ministria e Kulturës vazhdimisht ka trumbetuar rritje të buxhetit për kinematografinë dhe shpallje të filmit si interes i veçantë shtetëror. Por buxheti i planifikuar për Qendrën Kinematografike të Kosovës për vitin që vjen nuk e rendit si prioritet këtë sektor. Sivjet ishin 1.5 milion euro për përkrahje të projekteve kinematografike. Fiks kaq do të jenë edhe për vitin që vjen. Në anën tjetër, prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur u shkarkua ish-drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ky institucion është pa drejtor.

Teatri Kombëtar i Kosovës do të ketë buxhet prej 400 mijë eurosh për vitin që vjen, 80 mijë më shumë se këtë vit. Në objektin e tij tashmë të mbyllur janë paraparë 400 mijë euro për rinovim. Ansambli “Shota” pritet të ketë në kuletë 200 mijë euro që janë 60 më shumë se këtë vit. Dyfishim i buxhetit i është bërë Filharmonisë së Kosovës. Nga 400 mijë ky institucion do të ketë 800 mijë euro. Dyfishim po ashtu është planifikuar edhe për Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku prej 150 mijë eurove buxheti do të jetë 300 mijë euro. Rritja e buxhetit për Baletin Kombëtar të Kosovës është gati e dyfishtë. Prej 160 mijë euro sa kishte sivjet, për vitin 2023 janë planifikuar 300 mijë euro. Me rritje të ngjashme do të përballet edhe Opera e Kosovës që është institucion veç me staf administrativ dhe atë të pakompletuar ende. Prej 150 mijë eurosh sa kishte, i janë planifikuar 300 mijë euro.

E Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të përballet me rritje më të lehtë. Prej 235 mijë eurosh do të ketë 300 mijë. Por, për të janë paraparë investime në rinovim prej 300 mijë eurosh.

Lëvizje më të lehte shihen tek institucionet e trashëgimisë kulturore. Instituti Arkeologjik i Kosovës nga 190 mijë euro do të ketë 200 mijë euro. Muzeu Kombëtar i Kosovës në raport me këtë vit do të ketë rritje për 100 mijë euro duke e çuar projeksionin për vitin që vjen në 190 mijë euro. Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i është zvogëluar buxheti për 30 mijë euro. Për vitin 2023 do të ketë veç 60 mijë euro. E Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do të vazhdojë njëjtë me 15 mijë euro.

Vizioni i munguar krahas buxhetit

Për akterët e skenës së pavarur të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës duhet të investojë strategjikisht. Sipas tyre, rritja e buxhetit është lajm i mirë, por duhet shoqëruar edhe me orientim te nevojat më kryesore.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, ka thënë se është e dukshme dhe faktike që buxheti për kulturë sivjet në skenën e pavarur kulturore ka qenë më i madh. Sipas tij, është lajm i mirë që buxheti për vitin 2023 është rritur sërish.

“Frika ime është që kjo rritje është njëfarë kompensimi moral për buxhetin që e ka marrë bienalja ‘Manifesta’. Shpresoj që ky trend i rritjes së buxhetit të skenës së pavarur kulturore do të vazhdojë”, ka thënë ai. Bienalja Nomade Evropiane, e cila përfundoi javën e kaluar, ia merr shtetit gati 5 milionë euro.

Sipas Nezirajt, rritja e buxhetit pa një planifikim dhe pa një orientim të duhur dhe të drejtë nuk do të thotë asgjë.

“Buxheti për kulturën është rritur në vazhdimësi, por në fund të vitit ka pasur kthim prapa sidomos në investime kapitale. Nëse buxheti nuk shkon në pikat më nevralgjike të kulturës, atëherë nuk ka kuptim rritja”, ka thënë ai.

Pika më problematike për të cilën, sipas Nezirajt, vuan skena kulturore në Kosovë e veçanërisht në Prishtinë është mungesa e hapësirave. Ka përmendur faktin se tash janë pa ndërtesë edhe Teatri Kombëtar i Kosovës bashkë me Baletin Kombëtar të Kosovës pasi objekti është mbyllur për rinovim.

“Ndërmarrje urgjente është identifikimi i hapësirave dhe t’iu jepen institucioneve kulturore e skenës së pavarur. Këtë betejë skena e pavarur nuk mund ta zhvillojë vetëm. Duhet intervenim i Qeverisë e i Komunës së Prishtinës. Pa u zgjidhur kjo çështje nuk mund të gëzohemi shumë për rritje të buxhetit”, ka thënë ai.

E Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”, ka thënë se së pari duhet vizioni e edhe kapacitetet. Sipas tij, restaurimi i monumenteve nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.

“Qëllim në vetvete duhet të jetë kthimi i trashëgimisë në komunitet. Pra, t’i kthehet komunitetit për zhvillim kulturor, social e ekonomik. Për këtë MKRS-ja duhet të punojë shumë, të ketë të dhëna, të bëjë analiza e t’i shohë se cilat janë potencialet e një regjioni. E bazuar në këto nevoja të investohet në trashëgimi”, ka thënë ai. Sipas tij, trashëgimia kulturore nuk duhet të jetë veç ekskluzivitet i shtetit, por të jetë më shumë në dispozicion të komunitetit.

“Ne kemi grupe sociale që kanë nevojë për pronat e trashëgimisë në mënyrë që të zhvillojnë aktivitet aty. Mbi këtë vizion duhet prioritizuar buxheti dhe veprimet. Ne si organizatë dhe krejt njerëzit e vullnetit të mirë jemi këtu që të ndihmojmë bazuar në eksperiencën tonë”, ka thënë Shoshi.

Për dy ditë MKRS-ja nuk ka kthyer përgjigje sa i përket shpenzimit të buxhetit për këtë vit e as për orientimin e investimeve për vitin e ardhshëm.