Kulturë

Perlat e kulturës shqiptare mbyllin kapitullin e “Manifesta 14”

Rrugëtimi 100-ditor i bienales nomade evropiane “Manifesta” në edicionin e 14-të në Prishtinë ka përmbyllur aktivitetet. Mes qindra të mbledhurve, aktiviteti i fundit i Bienales ka qenë koncerti i grupit “Saz’iso”, të cilët kanë interpretuar këngët e Jugut të Shqipërisë

Që nga larg ish-Tjegullores vërehej atmosferë feste në këtë hapësirë dhe për këtë ishin simbolikë oxhaqet e ndriçuara.
Muret e veshura me ngjyrat e Bienales e ato shumëngjyrëshe që kanë ndriçuar hapësirën kanë krijuar ambient të ngrohtë të një mbrëmjeje vjeshte në kryeqytet. Disa ulëse ishin vendosur për të pranishmit e shumtë derisa mund të shijonin ngrohtësinë pranë disa zjarreve të ndezura. Kjo kishte qenë gati krejt atmosfera në natën përmbyllëse të edicionit të 14-të të bienales nomade “Manifesta” në Prishtinë. Të dielën mbrëma me një koncert e ceremoni madhështore është përmbyllur në Fabrikën e Tullave rrugëtimi 100-ditor.

Artistë, bashkëpunëtorë, stafi i Bienales e artdashës janë bërë një në festën e fundit për këtë edicion. Pikërisht në natën e fundit i është dhënë hapësira muzikës tradicionale shqiptare. Në hapësirën që është vlerësuar nga Bienalja si zemra e artit e kulturës janë interpretuar perlat e këngës iso-polifonike të Jugut të Shqipërisë nga grupi iso-polifonik “Saz’iso”. Tingujt e klarinetës kanë qenë të parët që janë dëgjuar. Të fyellit, çiftelisë e defit janë bashkuar më pas në ansamblin e tingujve ashtu sikur edhe në këndim. Ka qenë edhe promovim i instrumenteve të muzikës shqiptare si pjesë e grupit të asaj që në fillim të Bienales ishte quajtur diplomaci kulturore në botë. Në masë të madhe, të pranishmit kanë qenë nga shtetet evropiane.

Sikurse ndodh me interpretimin e këngëve iso-polifonike, edhe koncerti që ka përmbyllur 100-ditëshin e Bienales ka filluar me tinguj të lehtë, ku instrumentet bashkohen njëri pas tjetrit. Kënga e ritmi janë dëgjuar që larg epiqedrës së burimit edhe si thirrje për t’u bashkuar në festë. Që momentin që është kënduar kënga e parë, publiku ka rrokur vallen tradicionale si për ta kompletuar një tjetër pjesë tradicionale që i shkon për shtat ritmit, i cili shpesh është përcjellë edhe me duartrokitje. Ndërmjet këngëve është vendosur nga një instrumental si përmbushje e epitetit prej grupit iso-polifonik. Ato vinin edhe si paralajmërim për publikut për këngën e radhës.

Ndonëse ekzistojnë paragjykimet se publiku i ri në moshë është i tërhequr nga këngët popullore, të dielën janë parë tejet entuziastë, duke interpretuar pjesën vokale njëzëri me grupin. Bashkëproducentja e “Saz’iso”, Edit Pula, që edhe e menaxhon grupin, ka thënë se është privilegj për të mbajtur koncertin që shënon përfundimin e edicionit të Bienales Ndërkombëtare. Por kjo nuk është hera e parë për grupin, pasi në vitin 2019, me koncertin nga ta ishte përmbyllur edhe festivali ndërkombëtar i dokumentarit dhe filmave të shkurtër “DokuFest” në Prizren.

Pula ka treguar se kanë përzgjedhur për interpretim këngët më tipike të jugut.

“Sonte do të interpretojmë albumin tonë shumë të njohur që quhet ‘Wave Your Handkerchief at Me’ dhe kryesisht është program i atij albumi, si dhe këngë surprizë për Prishtinën. Ndoshta disa nga ju nuk keni dëgjuar këngën shqiptare. Këngët që do të interpretohen tani nga kritikët janë vlerësuar si bluzi shqiptar. Është përzierje e tingujve dhe instrumenteve nga Përmeti i Shqipërisë së Jugut që ka muzikën shumë të veçantë të quajtur ‘saze’”, ka thënë ajo derisa edhe ka treguar arsyen e emërtimit të grupit.

Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, ka thënë se përzgjedhja për interpretimin ka ardhur me mendimin për të bërë diçka shumë festive, derisa ka potencuar se është arritur misioni i kësaj bienaleje për të rikthyer hapësirat publike tek qytetarët.

“Kemi ftuar gjithë bashkëpunëtorët tanë, gjithë pjesëmarrësit, stafin mbështetës, artistët, në Fabrikën e Tullave, por pse këtu? Sepse kur erdhëm këtu para tre vjetëve, ideja ishte nëse ‘Manifesta’ mund të rikthejë hapësirat te publiku. Fabrika e Tullave ishte pak si depo e mbeturinave dhe të gjithë ishin skeptikë nëse ‘Manifesta’ do ta pastrojë atë dhe se a është e mundur ta kthejë atë në diç tjetër. Tani pas tre vjetëve mendoj se ia kemi dalë kësaj gjëje”, është shprehur Fijen për KOHËN, derisa në skenë ka përmendur gjithë ekipin e angazhuar për tre muaj e më parë.

“A ju kujtohet kur ne mbërrimë në Kosovë dhe unë premtova se do të jetë edicioni më i mirë? A ia dolëm?”, kanë qenë disa nga pyetjet që ajo ka adresuar tek turma e publikut, përgjigjja e të cilëve ka qenë pohim ndaj saj.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar si rrugëtim të jashtëzakonshëm ngjarjen tremujore të Bienales në Prishtinë. Është shprehur se Kosova i ka vullnetin e kapacitetin për ngjarje të mëdha ndërkombëtare. “Unë posaçërisht dua të shpreh falënderimet për Hedwig dhe ekipin për një punë të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë dua ta rikonfirmoj atë që është shumë e qartë, Kosova nuk e ka vetëm vullnetin, por edhe kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar. Jemi shumë të sigurt se do të vazhdojmë edhe më tutje, pra ia kemi dalë të gjithë së bashku, edhe institucionet, edhe artistët, organizatorët dhe të gjithë që kanë kontribuar në çfarëdo forme”, është shprehur Çeku para të pranishmëve.

“Kjo nuk është lamtumirë, është fillimi i ‘Manifesta 14 – Prishtina’ për ngjarjet e ardhshme në skenën kulturore, kështu që le të bien në dashuri me Prishtinën”, kanë qenë disa nga fjalët e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në mbrëmjen që shënon fundin në listën e gjatë të aktiviteteve të edicionit të 14-të.

Më tej në fjalimin e tij i ka konsideruar 100 ditë të mrekullueshme periudhën ndërmjet 22 korrikut dhe 31 tetorit, ku hapësirat e Bienales i ka konsideruar si muze arti. “Çfarë Prishtine fantastike! Është kënaqësi të jemi bashkë në përmbyllje të një eventi aq fenomenal për kryeqytetin, për vendin tonë. Kanë qenë me të vërtetë 100 ditë të mrekullueshme. Ishte me të vërtetë një ëndërr e bërë realitet për të parë gjithë qytetin tek bëhet muze. Me ‘Manifestën’, Prishtina plot 100 ditë është transformuar në muze të artit bashkëkohor. Ajo do të jetë gjallë nëpërmjet instalacioneve në katër lokacione”, ka thënë Rama.

Zyrtari për komunikim i “Manifestas” në Prishtinë, Dardan Hoti, ka vlerësuar se përveç artit, kulturës e arkitekturës evropiane, i ka sjellë edhe shumë gjallëri kryeqytetit. Me theks të veçantë ka përmendur artikujt e mediave prestigjioze ndërkombëtare. “Shumë artikuj janë shkruar nga mediat më të njohura duke filluar nga ‘New York Times’, ‘Le Monde’ e shumtë të tjera, të cilat e kanë vlerësuar edicionin e 14-të si ndër më të suksesshmit dhe vetë programin artistik që ka qenë në linjë shumë të mirë me historinë e qytetin. ‘Manifesta’ ka nxjerrë shumë pyetje, ndoshta për neve si kryeqytet dhe shtet ka qenë një test shumë i mirë së pari për shfrytëzimin e hapësirave publike dhe për rëndësinë e tyre”, ka thënë Hoti.

E fokusuar në katër shtylla – në ish-hapësirën industriale të Fabrikës së Tullave, hotelin “Grand”, ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani” e një varg transformimesh të tjera – Bienalja kishte premtuar në fillim të muajit prill që në 100-ditëshin e organizimit t’i sjellë Kosovës 100 mijë vizitorë.

Të dhënat e konferencës përmbyllëse kanë treguar për 8-fishin e paralajmëruar, duke numëruar afro 800 mijë vizita. Për 100 ditë, e shtrirë në 25 lokacione dhe 103 artistë pjesëmarrës vendorë e të huaj, Prishtina me “Manifesta 14” pati tjetër gjallëri.

Megjithatë, aktivitetet e bienales “Manifesta” do të vazhdojnë edhe për katër vjet në kuadër të fondacionit “Manifesta 14 – Prishtina” në Qendrën për Praktikë Rrëfyese, në Fabrikën e Tullave, në Korridorin e Gjelbër dhe në “Hotelin Grand”.

Edicioni i radhës i Bienales Nomade Evropiane do të mbahet në Barcelonë në vitin 2024, ku, ndër të tjera, synohet të eksplorohen debatet urgjente publike, sovraniteti, demokratizimi dhe mbrojtja e hapësirës publike përballë privatizimit.