Kulturë

“Shpellat” në përballje me realitetet për dashurinë si shpëtim

Është një udhëtim imagjinar në një botë të konceptuar në trajtën e shpellave që shpalos rrëfimin distopik. Silueta C është personazhi kryesor që synon të dalë në ajër nga thellësia e oqeanit. Me këtë rrëfim “Shpellat” ka ardhur edhe në Prishtinë. Në thelb trajton marrëdhëniet e njerëzve me sistemet.

Kjo vepër e autores shqiptare me emrin artistik R.C. Anaider, poete e artiste që vepron në Zvicër, është përuruar të enjten mbrëma në librarinë “Dukagjini”. Është i pari roman i saj. I botuar në korrik, një promovim i librit qe bërë në shtator, për të mbërritur edhe para lexuesit në Kosovë. “Shpellat” vjen si përzierje zhanresh prej fantazisë, shkencës, përrallës e filozofisë. Autorja e tij e ka nisur fjalimin e saj para të pranishmëve me shpresën se publiku do ta presë mirë dhe se libri do t’u lërë përshtypje të mira.

Ngjarja në librin e saj zhvillohet në një bashkësi të madhe shpellore nën ujë, ku nuk ekziston asnjë shtet, qytet a fshat konkret. As emrat e tyre nuk janë të tillë. Ata thirren sipas epiteteve që kanë, përveç Siluetës C. Ajo është një vajzë jetime, e cila pasi arratiset nga jetimorja, përballet me një jetesë tejet të vështirë në një bodrum të rrënuar, në një cep të largët të “Shpellës së Humbur”. Në kërkim të vazhdueshëm të një shpelle që mund ta konsideronte si shtëpinë e saj të munguar, Silueta C ndjek fatin, që do ta çojë atë nga njëra shpellë tek tjetra, duke udhëtuar kështu nëpër shtigje e vështirësi të paparashikueshme, ku fantazia i tejkalon kufijtë. Aty përplasen konceptet e dritës dhe errësirës, lirisë dhe izolimit, dashurisë dhe urrejtjes, familjes dhe vetmisë, lumturisë dhe fatkeqësisë.

Autorja e librit R.C. Anaider ka thënë se ka dashur ta bëjë paralelizmin që lexuesi të reflektojë mbi realitet. Ai u dedikohet të rinjve që janë në kërkim të një bote çdoherë më të mirë. Izolimi është simbolikë për shtetet pa viza, ato në mbikëqyrje e në regjim. Kështu edhe në tregimin e autores në libër, secila shpellë ka nga një mbret që dikton rregullat e jetës së banorëve aty. Shpellat janë të emërtuar me emra të veçantë si: “Shpella e tullumbaceve” e “Shpella e Humbur”.

Librin e ka shkruar në periudhën kohore prej tre muajsh gjatë izolimit, sherri i pandemisë. Stilin e saj të shkrimit e vlerëson si shumë të thjeshtë, të cilin mund ta lexojë çdokush, por që mes rreshtash ka shumë simbolikë, por edhe satirë e humor.

“Kam dëshirë t’ia lë lexuesit të arrijë në konkluzionet e veta dhe t’i vizualizojë vetë shpellat që i kam projektuar. Janë tetë shpella që simbolizojnë tetë kapituj të romanit. Janë tri faqe në hyrje, ku bëhen shumë pyetje për konceptet e dritës dhe errësirës, lirisë dhe izolimit, të cilave mendoj se lexuesi duhet t’u kthehet dhe t'u kthejë përgjigje këtyre pyetjeve”, ka thënë Anaider para të pranishmëve të mbledhur me rastin e promovimit të librit të saj.

Anaider është artiste që punon veprat abstrakte prej diversitet ngjyrash nga Shqipëria, por që jeton në Zvicër. Pos letrares, në sipërfaqe të librit ka gjetur hapësirën për t’u shprehur edhe nëpërmjet artit. Kopertina e librit është ilustruar me veprën e saj të titulluar “Shpresa”, si kombinim i ngjyrave të ngrohta me ato të errëta dhe që krijojnë iluzionin e gurit të zjarrtë. Në të ka thënë se ka përdorur shumë elemente biografike. Merimangat, të cilave autorja ua ka frikën, paraqiten në libër si elemente të frikshme dhe negative. Ato përdoren për ta bërë edhe më mistik udhëtimin e rrëfimit në libër. “Lexuesi vetë do ta kuptojë se kapitujt bartin së paku nga një mesazh, por mesazhi kryesor është kërkimi i dashurisë, shtëpisë dhe është dashuria ajo që është një forcë magjike që mund të bëjë të ndryshojë gjithçka”, ka thënë ajo.

Sipas Anaider, gërshetimi i rrëfimit në libër nga ai real mund të krahasohet edhe me faktin që nëse secili nga personazhet në libër do të kishte më shumë dashuri, rrjedhimisht do të kishte më shumë dritë. Ajo synon që suksesi i librit të saj të parë të depërtojë edhe jashtë vendit e në zhanre të tjera të narracionit.

“Shpresoj që së pari të përkthehet në gjuhën angleze. Qëllimi im është po ashtu që të bëhet film dhe dua që libri të depërtojë më tej”, është shprehur ajo.

Frymëzimi kryesor i artistes për të krijuar është dashuria; për jetën, njerëzimin, për të bukurën dhe dashuria për dritën. Ajo mendon se dashuria mund të gjendet kudo, brenda dhe jashtë njeriut, edhe në errësirën më të thellë.