Gjetjet arkeologjike të Përmetit me rrethinë, copëza të etnologjisë së zonës, instrumentet e bandave frymore të qytetit qysh prej viteve ’30 e shumë eksponate të tjera janë bërë bashkë në atë që është inauguruar si Muzeu i Përmetit. Prej së martës, juglindjes së Shqipërisë i është shtuar edhe ky Muze, kësaj radhe i financuar edhe nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Pasuria materiale e së kaluarës së zonës mund të gjendet në qendrën e qytetit që hyn në qarkun e Gjirokastrës.
Gjatë vizitës së tij në Përmet, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, ka parë edhe punën që është bërë për Muzeun.
“Kjo ka qenë më shumë si depo dhe Bashkia e ka marrë dhe e ka kthyer në Muze”, ka sqaruar ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila për një mandat, prej vitit 2013 deri më 2017, ishte edhe ministre e Kulturës.
Drejtuesit lokalë bashkë me ata qendrorë kanë vlerësuar se Muzeu është një destinacion i rëndësishëm në qytet, që jo vetëm është kthyer në atraksion, por edhe në burim dijesh për më të rinjtë e qytetit, duke nxjerrë në pah dinjitetin e një komuniteti njerëzish të kulturuar.
“Stafi ka bërë një punë shumë të mirë, dua ta theksoj këtë dhe t’i komplimentoj. Është ndjekur e gjithë procedura bashkë me stafin që ka punuar. Kjo ka qenë problematika kryesore në fillim, që të mund të quhej muze, ka një sërë rregullash, kështu që Bashkia ka bërë një punë fantastike, e gjitha me forcat e veta dhe kanë aplikuar edhe në fondet IPA”, ka sqaruar ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas saj, për themelimin e Muzeut është bashkëpunuar edhe me Arkivin e Shtetit, ku shumë dokumente të periudhës së Rilindjes Kombëtare janë sjellë për t’u pasqyruar në këtë institucion të ri.
Kryeministri Edi Rama ka thënë se Muzeu i ri i Përmetit është një nga punët vendore më prekëse që ka parë në këto vite.
“Është një Muze tejet modest, i bërë me shumë pak para, po ku është investuar një dëshirë e jashtëzakonshme për të nxjerrë në pah dinjitetin e një komuniteti njerëzish të urtë, punëtorë, të kulturuar e plot respekt dhe krenari për traditën e tyre”, ka thënë ai.
Muzeu bën bashkë edhe piktura të artistëve lokalë, bashkë me portrete e rilindësve të kësaj ane, si vëllezërit Frashëri e deri te fotografitë me bukuri natyrore të zonës.