Kulturë

Veprat që shpërfaqin luftën në Kosovë prezantohen në Ekuador

Arti kosovar po depërton çdoherë më shumë drejt skenës ndërkombëtare. Fakti se arti thyen barrierat e kufijtë politikë është dëshmuar edhe njëherë së fundmi, ku artisti e profesori në Fakultetin e Arteve, Ismet Jonuzi, do të marrë pjesë në edicionin e 16-të të bienales nomade “Cuenca”. Përveç kësaj, organizatorët e Bienales, me kërkesën e miratuar nga bordi i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, do ta sjellin edicionin e 18-të në Prishtinë, përkatësisht në Galerinë e këtij Fakulteti. Përveç kësaj, Galeria e Fakultetit të Arteve do të jetë nikoqir i edicionit të 18-të të Bienales.

Ndër 70 artistë pjesëmarrës nga 21 shtete, artisti e profesori Ismet Jonuzi është i vetmi shqiptar që shpalos artin në Ekuador të Amerikës Latine. Katër vepra të tij do të ekspozohen në Muzeun Antropologjik dhe të Artit Bashkëkohor në Guayaquil të Ekuadorit. Veprat e Jonuzit janë të veçanta jo vetëm për temën që trajtojnë, por edhe për materialin e përdorur. Punimet e veçanta prej armëve janë simbolikë më vete për luftën e fundit në Kosovë. Një helikopter me helikë e këmbë të gjata që është formësuar prej armëve me titull “Helikopteri” është një nga veprat që do të ekspozohen. Një tjetër vepër në formë të shkallëve, pa titull, dhe ajo e kafkës së njeriut, janë krijuar tërësisht prej pjesë të armëve. Më tej është vepra “Damage”, e punuar me teknikë të lapsit, ku projektohen ndërtesa të njëpasnjëshme dhe një tollovi e madhe para tyre si simbolikë e degradimit urban e më gjerë. Ajo ka qenë e ekspozuar edhe në “Polish Art Foundation” në Melbourn të Australisë. Përveç në Kosovë, veprat që do të zënë vend në Muzeun e Ekuadorit janë ekspozuar më parë edhe në shtete të tjera evropiane. Veprat e Jonuzit do të jenë të hapura nga 25 tetor deri më 23 dhjetor të këtij viti, data të cilat edhe shënojnë hapjen e mbylljen e Bienales.

Për Ismet Jonuzin, kjo është hera e dytë që shpalos veprat e tij në “Cuenca Biennal”. Artin e artistëve latinë e ka vlerësuar veçanërisht për shkak se përshtatet me misionin e institucionit ku ushtron veprimtarinë prej pedagogu.

“Ata janë shumë aktivë dhe e kanë programin që përfshin edhe anën edukative të artit, pasi këtë edhe e bëjmë ne si institucion. Është diçka tjetër nga ‘Manifesta’, që për mendimin tim janë shumë interesantë, pasi përcjellin edhe letërsinë, janë më ndryshe, është këndvështrim e botë krejt tjetër për dallim nga ne. Janë ‘surrealistë’ të lindur, gjë që e kanë aplikuar qysh herët në artet e tyre”, ka thënë Jonuzi.

Në tërësi, veprimtaria e tij artistike përfshin shumë instalacione, ku armët e shkatërruara të UÇK-së janë transformuar në vepra arti. Ideja e tyre është transformimi i armës dhe jo ekspozimi. Ato janë pushkë ushtarësh që Jonuzi i kishte siguruar nga KFOR-i , kur fill pas luftës nisën shkatërrimet e asgjësimet e armëve. Janë po ato që secila prej tyre ka historinë e dhimbjes së popullit kosovar, mesazh që përcjell secila vepër në përmbajtje, përkundër formës që merr.

Vepra të tilla kishin qenë po ashtu pjesë e ekspozitës “Pa Limit” në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Dy ulëse dhe një tavolinë, forma e organit të zemrës e ajo figurative, si dhe një shtëpi si miniaturë ishin ekspozuar në maj të këtij viti.

Pjesëmarrja në edicionin e vitit të kaluar të kësaj Bienale Nomade, ka rezultuar në ftesën edhe për edicionin e sivjetmë për prezantimin e përdorimit të armëve në një formë krejt tjetër, mision i së cilës është promovimi i paqes.

“Unë e kam temën e luftës, nuk është e vetmja që unë e kam, ka shumë të tjera. Atyre u ka interesuar se si e kam përdorur armën si medium dhe janë të interesuar më shumë për anën konceptuale. Është një lloj dramaticiteti, aty që unë këto vepra i kam ekspozuar në shumë shtete të tjera”, është shprehur Jonuzi, derisa ka shpjeguar se Bienalja trajton anën politike dhe sidomos interesohet në çështjen e luftës së Kosovës. Konsideron se nga ajo kohë edhe na njeh kjo pjesë e kontinentit të Amerikës Jugore.

Përveç në Kosovë, prezantimi i punës së Jonuzit përfshin ekspozitat personale si në Shkup, Zagreb, Gjermani, Suedi e Austri. Ndërsa ato kolektive zgjerohen edhe në shtete si në Egjipt, Beograd, Slloveni, Sllovaki, Francë, Indi, Çeki, Tajvan, Poloni, Australi e të tjera. Si dhe shpërblime e mirënjohje të shumta në këto vende.

Jonuzi ka bërë të ditur se do të marrë pjesë edhe në edicionin e 18-të të Bienales, ku përkrah veprave të tij, do të ekspozohen edhe veprat e dy artistëve të tjerë kosovarë: Jeton Gusia dhe Bekim Zeqiri. Vetë kryeqyteti, përkatësisht Galeria e Fakultetit të Arteve, do të jetë nikoqire e “Cuenca Biennale”, që mendohet të mbahet në tetor të vitit 2025. Profesor Jonuzi do të jetë ndihmës kurator i Bienales dhe programi i edicionit në Prishtinë parasheh ekspozimin e veprave të vetëm 10 artistëve, ndër ta, tre kosovarë, për shkak të kapaciteteve në Galerinë e Fakultetit.

“Kur veç e kanë marrë konfirmimin tim, kemi filluar të komunikojmë dhe kanë propozuar që edicioni tjetër të mbahet në Galerinë e Fakultetit tonë, pasi është gjë shumë pozitive për studentët tonë të shohin artistë të ndryshme. Në artet vizuale është e rëndësishme që gjërat të shihen dhe nuk mund të mburremi që studentët tanë po shohin shumë”, ka thënë profesori e artisti Jonuzi, i cili e ka konsideruar me më shumë vlerë mbajtjen e edicionit të Bienales në kryeqytet sesa vetë shpalosjen e veprave të tij atje.

Bienalja nomade “Cuenca” është pjesë e institucionit “Universes in Universe” nga Argjentina, ku Bienalen e drejton artistja vizuale Katya Cazar, praktika dhe teoria e së cilës mbështetet në artin bashkëkohor. Kurator i përgjithshëm për këtë edicion është zgjedhur argjentinasi Ferran Barenblit, teksa ekipit kuratorial i bashkëngjiten Herman Pacurucu nga Ekuadori dhe Victor Bravo nga Kili.

Në shkurt të vitit 1997 ishte krijuar një seksion kushtuar bienaleve dhe ekspozitave periodike të artit. “Kjo ishte përpara se përhapja e bienaleve dhe trienaleve të çonte në ‘bienalizimin’ e botës së artit. Fillimisht, ne ishim veçanërisht të shqetësuar për ta tërhequr vëmendjen ndaj ngjarjeve ndërkombëtare në ‘Jug’ dhe për të nxjerrë në pah pjesëmarrës nga ‘Global South’ në ‘Documenta’ dhe Bienalen e Venecias”, shkruhet në prezantimin e “Universes in Universe”. Në fillim të veprimtarisë ishin prezantuar bienalet e mbajtura në Havanë, Johanesburg e të tjera.