Kulturë

“Dardanët” e “Shkupi, vetë historia e Kosovës” pasurojnë historiografinë

E mërkura, kur edhe është përmbyllur edicioni i parë i Panairit të Botimeve Albanologjike, ka qenë ditë përurimesh të titujve të rinj
 

Dita e dytë dhe e fundit e Panairit të Botimeve Albanologjike ka sjellë përurimet e disa veprave nga fusha e historisë dhe gjuhësisë. Përderisa “Dardanët” sjell të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike që nga parahistoria deri në mesjetë, “Shkupi, vetë historia e Kosovës” vjen edhe si dëshmi se Kosova, ose Vilajeti i Kosovës ishte një epiqendër e rëndësishme e zhvillimeve rajonale. Të tjerë tituj të përuruar të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës kanë qenë edhe “Fjalori frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut” dhe revistat “Gjuha shqipe” dhe “Gjurmime albanologjike”

Një vepër që pasqyron periudhën e antikitet në këto anë, atë të dardanëve dhe Dardanisë, një tjetër që nxjerr në pah historinë e mëvonshme të popullit të kësaj pjese kur Kosova ishte Vilajet e Shkupi qendër, bashkë me një fjalor dhe revistat tradicionale janë përuruar në ditën e dytë të ngjarjes që është mbajtur për herë të parë në Prishtinë.

Aktivitetet e Institut Albanologjik të Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Shkupi kanë vazhduar edhe të mërkurën në kuadër të Panairit të Botimeve Albanologjike.