Përkthimet e Vlora Konushevcit të tri poezive nga gjuha shqipe në gjuhën angleze, të poeteve shqiptare, janë botuar në revistën prestigjioze amerikane “The Common”. Poezitë e Donika Dabishevcit “Dashnisë së nji nate”, Blerina Rogova-Gaxhës “Thasë” dhe Vlora Konushevcit “Produktet Ballkanike”, flasin anglisht në numrin e ri të revistës.
“The Common” është revistë letrare, e cila botohet në versionin e shtypur dhe atë digjitale dy herë në vit. Publikimet e revistës janë e vlerësuar me shumë çmime prestigjioze siç janë: The Pushcart Prize; O. Henry Prize 2022; PEN/America Robert J. Dau; PEN Translation Prize 2017 dhe të tjera. Revista ”The Common”, boton tregime të shkurtra, ese, poezi dhe imazhe që mishërojnë ndjenjën e fuqishme të përkatësisë ndaj një vendi. Common Online publikon përmbajtje origjinale katër herë në javë, duke përfshirë vlerësime librash, intervista, ese personale, tregime të shkurtra, poezi, podkaste, regjistrime të kontribuuesve dhe prodhime të veçanta multimediale.
“The Common” ka një histori të pasur letrare dhe mbështet një larmi të bollshme krijuesish. Me bazë në kolegjin “Amherst”, i cili sipas revistës “Forbes” zë vendin e 24-t në renditjen e top 500 kolegjeve kryesore në SHBA, “The Common”, nxit frymën krijuese rajonale duke bashkuar komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar përmes botimit të letërsisë dhe artit nga e gjithë bota, duke i sjellë lexuesit në një hapësirë të përbashkët.
Vlora Konushevci në shënimin e përkthyesit thotë se qëllimi i përkthimit letrar, përveç ruajtjes së misterit poetik dhe pasurisë figurative, është që të funksionojë në gjuhën e synuar, të tingëllojë natyrshëm dhe ta ruajë tonin dhe ndjesinë.
“Është shumë më e lehtë nëse përkthyesi është i dashuruar me të dyja gjuhët - me fjalë të tjera logofil, pasi akti i përkthimit letrar është thjesht një akt dashurie. Dhe është fat kur përkthyesja letrare është edhe vetë poete”, është shprehur Konushevci. Poetja dhe përkthyesja ka thënë se është përpjekur t'ia ofrojë lexuesit atë që gjermanët e quajnë zeitgeist (shpirt).
“Ky përkthim tenton t’i kapërcejë boshllëqet gjuhësore dhe kulturore, duke qenë e vetëdijshme se fryma e poezisë qëndron në përdorimin e gjuhës figurative, në një hapësirë metaforike që i kapërcen kufizimet tradicionale të gjuhës”, ka theksuar Konushevci.