Kulturë

“Tipografia shqiptare 1555-1912” me historinë e tipshkronjave shqiptare

Descriptive Text

Tipografi e dizajneri Yll Rugova ka rrumbullakuar studimin e tij mbi historinë e shtypshkrimit, alfabeteve dhe tipshkronajve shqiptare nga viti 1555 deri më 1912. Vepra e tij “Tipografia shqiptare 1555-1912” është promovuar të dielën në qendrën për kulturë alternative “Defy Them”, një nga ish-strehimoret e “Bregut të Diellit” në Prishtinë. Autori ka sjellë historinë e tipografisë shqiptare duke zbardhur të dhëna që sipas të pranishmëve përbëjnë një vepër që u ka munguar studimeve të këtij lloji. Kërkimet e tij, interpretimet bashkë me imazhet e ofruara në botim bëjnë që të krijohet një pasqyrë e thellë e evoluimit të tipshkronjave shqipe nga libri i parë i botuar në këtë gjuhë “Meshari” më 1555 nga Gjon Buzuku e deri në kohën kur Shqipëria shpalli mëvetësinë më 1912.

Historiani Jahja Drançolli ka thënë se kjo monografi e jashtëzakonshme dhe e rrallë për nga rezultatet e saj shkencore e kulturore është konceptuar në tri pjesë kryesore të radhitura kronologjikisht. Sipas tij, pjesa e parë ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptarë, tipologjinë e shkrimeve dhe influencën nga gjuhët e tjera.

“Pjesa e dytë e librit u sillet njoftimeve të detajizuara lidhur me germat ekskluzivisht shqip, duke u ndalur edhe në raste konkrete specifike, siç janë ‘Shtypi i Ëvetarëve’, ‘Gdhendja e Alfabetit të Vithkuqit’ e ‘Gdhendja e germave në Rumani’”, ka thënë Drançolli. Sipas tij, në pjesën e tretë tregohet për tipografinë e periudhës së Rilindjes Kombëtare e deri në vitin 1912.


Ka thënë se bëhet fjalë për një vepër të ndryshme nga shumë libra me këtë tematikë shkencore e kulturore të botuar në dekada të fundit. “Libri në fjalë do të jeton ca më gjatë. Në këtë kohë krizash të llojllojshme, botimi i një vepre si kjo me titull ‘Tipografia shqiptare 1555-1912” vjen si kthimi i shpresës në libër”, ka thënë ai. Ndërsa profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, ka thënë se kjo vepër ka rendësi të madhe si vazhdimësi e studimeve të nisura më parë.


“Jam befasuar këndshëm me devotshmërinë tënde pasionante në qasjen ndaj një fushe kaq të rëndësishme, siç janë fillesat e rrugëtimit mjaft të gjatë të tipografisë me proveniencë shqiptare. Gjuha është e rrjedhshme, teksti i lekturuar dhe i korrektuar; në tërësi i vjelë nga burime relevante dhe i përpiluar me parametra shkencorë. Vlerësoj shumë kur gjeneratat tona të reja, sidomos magjistrantët tanë, vazhdojnë shtegun që e kemi shtruar disa nga artistët dhe studiuesit e gjeneratës sime”, ka thënë Nimani, i cili ka folur edhe për historinë e tipografisë shqiptare dhe jo vetëm.

E vetë autori Yll Rugova ka folur për procesin e shkrimit të librit dhe tematikën që ka kapur. Ai së pari ka treguar dallimin mes tipografisë dhe paleografisë, për të vazhduar më pas me rolin që njohuritë në tipografinë shqiptare mund të sjellin në fushën e albanologjisë, krahas kontributit në avancim të tipografisë shqiptare nga dizajnerë e tipografë të sotëm. Fillimisht ka treguar për shkronjat e “Mesharit” dhe për mënyrën se si përmes analizës tipografike është identifikuar Bukureshti si vend shtypi i “Ëvetarëve” të Naum Veqilharxhit.


 

“Duke ndjekur burimin e germave të përdorura për të shtypur ‘Mesharin’, kemi kuptuar që atë model shkronjash, të njohura edhe si rotunda veneciane, e kishte dizajnuar fillimisht francezi Nicholas Jenson në Venedik”, ka thënë Rugova. Sipas tij, rreth pesëdhjetë vjet më pas germa të tilla kishin përfunduar në punishten që ka shtypur librin e parë të njohur në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku, vepër gjithashtu e shtypur në Venedik. “Njohim disa emra që mund të jenë të lidhur me këtë punishte, si vëllezërit Scotto, vëllezërit Volpini, Bernardino Bindoni e ndonjë tjetër”, ka shpjeguar Rugova.

Libri, i botuar nën siglën “Varg” nga “Trembelat”, është konsideruar i pari me një tematikë të tillë që përmbledh një epokë të gjatë të shkrimit shqip. Sipas organizatorëve, promovimi i radhës do të mbahet në Tiranë më 6 tetor te ”Berk”, që njëherësh është edhe botues digjital i librit.