Kulturë

Duo virtuoze fut publikun në rrugëtim magjik gjatë lojës me violonçel

Violonçelisti kryesor i Operës Nacionale të Parisit që prej vitit 2008, Aurélien Sabouret, bashkë me kolegun e tij shqiptar, Vlorent Xhafaj, po ashtu instrumentist i njohur, i kanë dhënë tjetër pamje Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë të shtunën mbrëma. Në koncertin e mbajtur si “Post DAM Festival 2022”,nëpërmjet të cilin është mbyllur Festivali për sivjet, ata e kanë shndërruar hapësirën në një ambient të ngjyrave muzikore

Kur në një ambient ideal për muzikë dhome bëhen bashkë dy violonçelistë me nam dhe zgjedhin vepra të rëndësishme për instrumentet në të cilat luajnë, duke shëtitur nga baroku deri te muzika moderne, audienca përballet me koncert virtuoz. Violonçelisti kryesor i Operës Nacionale të Parisit që prej vitit 2008, Aurélien Sabouret, bashkë me kolegun e tij shqiptar, Vlorent Xhafaj, po ashtu instrumentist i njohur, i kanë dhënë tjetër pamje Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë të shtunën mbrëma. Në koncertin e “Post DAM Festival 2022”, nëpërmjet të cilit është mbyllur edicioni i sivjetmë i Festivalit, ata e kanë shndërruar hapësirën në një ambient të ngjyrave muzikore.

Me qetësi prej profesionistësh, duo mbrëmjen e ka nisur me Sonatën op.5 nr.6 të Francesco Geminianit. Dy violonçelistët kanë luajtur kompozimin e italianit Geminiani duke bërë që muzika mesjetare të kumbojë në një ndërtesë të stilit modern, por edhe me elemente të klasikes. Dyshja ka vazhduar me një tjetër kompozitor italian. Luigi Boccherini kishte ndërruar disa vende derisa ishte vendosur në Spanjë për të vazhduar karrierën në oborr mbretëror. Midis veprave të tij të njohura është edhe Sonana nr.4 në A-dur, e cila sjell tinguj të ambienteve mbretërore. Sabouret e Xhafaj pasi kanë folur pak për historinë e kompozitorit italian, kanë nisur lojën duke çuar publikun në një rrugëtim shumëngjyrësh nëpërmjet çelos.

Duke qenë violonçelistë me alamet përvoje, dyshja pas kësaj vepre ka dalë në tingujt e muzikës moderne. Kanë zgjedhur që të luajnë një prej veprave të kompozitorit polako-hebraik, Olivier Greif. Greif (1950-2000) gjatë jetës së tij kishte dëgjuar përjetime të rënda. I atij i tij ishte i mbijetuar i kampit famëkeq nazist të Auschwitzit. Njihet si kompozitor i disa veprave që i janë kushtuar Holokaustit. Por në repertorin e tij, nëpërmjet muzikës moderne ka prekur edhe një histori më të vjetër. Atë të Betejës së Agincourtit që u zhvillua më 1415 në Agincourt në veri të Francës. Dyshja ka kthyer prapa në kohë publikun, por nëpërmjet Sonatës për dy çello të titulluar “Beteja e Agincourtit”. Muzika moderne e dy çellove duke rrëfyer histori mesjetare nuk është dëgjuar më parë në këto anë. Madje është fort e rrallë edhe në rajon. Nuk bëhet fjalë për vepra të popullarizuara, por për aso profesionale që prekin majat e kompozimeve për këto instrumente, e zakonisht luhen në një ambient intim. Të tillë si Modelariumi.

Pas lojës mjaft energjike në këtë vepër, duo i është kthyer prapë një kompozimi më të hershëm, Sonatës nr.10 të francezit Jean-Baptiste Barrière, i cili ishte çellist dhe kompozitor i njohur. Kohët e këtij kompozimi kanë bërë që energjia midis publikut dhe instrumentistëve të jetë më interaktive.

Për herë të parë në një ngjarje kulturore në Prishtinë të shtunën mbrëma ka marrë pjesë ambasadori i ri i Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Javën e kaluar ai ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentes Vjosa Osmani.

Pas koncertit ai ka treguar se ka vetëm tri ditë që është në Kosovë dhe se ka takuar presidenten e vendit e më pas është përballur me një koncert të mrekullueshëm.

“Ishte mirë të shohim në skenë dy violonçelistë, njeri nga Franca e tjetri nga Shqipëria, duke u kuptuar shumë mirë me njeri-tjetrin. Kjo është një shenjë e mirë për bashkëpunimin mes dy popujve. Desha të them se jam i impresionuar me moshën e re të publikut sonte në koncert. Këtu u binda me ato se çka kam dëgjuar para se të vija këtu”, ka thënë ai. Ka treguar se kishte dëgjuar se Kosova është një shtet me popullatë të re e dinamike.

“Është evidente që do të vazhdojmë të punojmë ngushtë për kulturën dhe fushat e tjera. E di që paraardhësit e mi kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Violonçelisti i parë i Operës Nacionale të Parisit, Aurélien Sabouret, ka thënë se është shumë i lumtur që ka luajtur në Kosovë. Ka treguar se është mahnitur edhe me ambientin ku është mbajtur koncerti.

“Hapësira ku luajtëm ishte shumë e mirë për muzikën klasike. Luajtëm veprën moderne të Grief dhe jam i lumtur për këtë. Kur luajmë një vepër moderne gjithmonë themi se si do ta presë publiku. Por është pritur shumë mirë. Audienca fillimisht ishte e qetë e pak u ndiem të intimiduar. Më pas menduam se ishin të lumtur dhe kjo na bëri shumë të lumtur edhe ne”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk është e lehtë që të ketë një program interesant për dy çello.

“Kishim muzikë moderne e edhe barok. Ishte interesante që të kemi këtë kontrast”, ka thënë ai. Sabouret u diplomua në CNSMDP, ku studioi violonçelin në klasën e Jean-Marie Gamard. Sipas biografisë së tij, ai përsosi aftësitë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Universitetin e Bostonit dhe në Festivalin Tanglewoodit, nën drejtimin e violonçelistit Andrès Diaz, pianistit Emmanuel Ax dhe anëtarëve të kuartetit Juilliard. Në vitin 1999 fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Heida Hermann”; në Danbury, Connecticut. I pasionuar pas muzikës së dhomës, Aurélien Sabouret është anëtar i kuartetit “Via Nova”.

Kolegu i tij shqiptar, Vlorent Xhafaj, ka thënë se bëhet fjalë për një koncert që e ka pritur prej kohësh, pasi ishin bërë katër vjet pa luajtur në Prishtinë.

“Ishte shumë kënaqësi, sepse luajta me një koleg timin që është një violonçelist i shkëlqyer e mik i imi. Është pritur shumë mirë nga audienca këtu. Është shumë e rrallë të shohësh një koncert me dy violonçelistë që luajnë një program pa shoqërim, pa piano”, ka thënë ai. Programin e ka vlerësuar si shumë virtuoz e energjik. “Janë vepra të panjohura për publikun e gjerë, por shumë të rëndësishme për repertorin e instrumentit tonë, violonçelit. Ky vend është shumë i mirë për muzikë dhome. Ka akustikë të ngrohtë dhe njerëzit janë rehat kur dëgjojnë muzikë këtu”, ka thënë ai.

Bashkëdrejtuesja e “DAM-it”, Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se nuk kishin mundësi që të përzgjidhnin një përmbyllje më të mirë sesa me një duo fantastike.

“Kishte një program që erdhi më një elegancë dhe teknikë që e posedon shkolla franceze. Duke marrë parasysh rrethanat që na çuan te izolimi me të cilin jemi lodhur, çdo prurje shërben për të krijuar një rehati shpirtërore e për të na motivuar. Festivali ka mision edhe shkëmbimin. Jemi një vend me tendenca për ta institucionalizuar Operën e Kosovës. Prurjet e tilla shërbejnë që ne të jemi me afër me institucione të mëdha e me aktivitetin që ato ushtrojnë”, ka thënë Kryeziu-Breznica.

Festivali i muzikës “DAM” sivjet në fundqershor e fillimkorrik solli edhe një edicion të pasur, të 17-in me radhë. Kurse koncerti me virtuzoët e çellos është mbështetur nga Ambasada e Francës në Prishtinë dhe njëherësh vjen si program mysafir në kuadër të “Clarinet Podium”.