Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar albanologun e shquar Robert Elsie, që vdiq pesë vjet më parë.
Kurti ka thënë se Elsie ishte albanologu më i shquar i fillimshekullit të XXI.
"Zërin e tij e kemi dëgjuar për vite duke përkthyer dëshmitarët shqiptarë në Gjykatën e Hagës (ICTY), në proceset gjyqësore kundër kriminelëve serbë. Ai e njihte shqipen me të gjitha dialektet dhe të folmet krahinore të saj, sepse përveçqë e kishte studiuar shqipen me themel, ai i kishte rënë kryq e tërthor edhe në këmbë gjithë hapësirës ku jetojnë shqiptarët. Robert Elsie është albanologu më i shquar i huaj i fillimshekullit XXI. I lindur më 1950 në Vankuvër të Kanadasë, Robert Elsie do të lidhej përjetësisht me shqiptarët që nga viti 1978, kur për herë të parë vizitoi Shqipërinë. Me qëllimin për të përvetësuar shqipen, Elsie nisi të vinte rregullisht në Prishtinë, në Seminarin e Kulturës Shqiptare për të Huaj, sot Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Që kur e zbuloi botën shqiptare, ky linguist gjerman e bëri mision të jetës së tij ta bënte më të njohur në botë gjuhën, historinë dhe kulturën e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka përmendur listën e veprave të shkruara nga Elsie, ndërsa ka thënë se ai kishte krijuar edhe pesë faqe në internet për gjuhën shqipe.
“Sot bëhen 5 vite nga vdekja e Robert Elsiet më 2 tetor 2017. Ashtu siç trupi i tij është varrosur në thellësinë e tokës shqiptare në Theth, me kontributin e tij në studimet shqiptare, emri i Robert Elsiet është ngulitur thellë në vetë historinë e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.