Kulturë

Adem Shkreli kujtohet si gazetar që luftoi në kohë të zorshme e poet i mprehtë

Si gazetar profesionist dhe poet i sarkazmit e kanë cilësuar miqtë dhe kolegët e tij, tashmë të ndjerin Adem Shkreli. Ai vdiq të martën në moshën 86-vjeçare. Miq, kolegë dhe familjarë janë mbledhur të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në mbledhje komemorative në nderim të tij.

Shkrimtari dhe veprimtari Shemsedin Dreshaj nga Grupi i Intelektualëve të Rugovës ka heshtur për pak, teksa ka thënë se krijimtaria poetike e Adem Shkrelit karakterizohet nga humori, sarkazmi e ironia.

“I përkushtuar për shkrim dhe lexim, shkrimet e tij në prozë e poezi u publikuan në të gjitha trojet etnike në vend dhe jashtë. Përmbledhja ‘Zemra e verbër’ e publikuar në vitin 1972 përbën një aset të veçantë. Veçori e shkrimeve të tija ishte humori, ishte ironia, ishte sarkazmi për dukuritë që e karakterizonin këtë trevë. Përkundër faktit që kishte me qindra shkrime e vetëm një përmbledhje, Ademi arsyetohej thjeshtë: ‘Dua t‘kursej letrën e bardhë dhe t’ju kursej juve nga leximi”, ka kujtuar Dreshaj.

Ai ka folur edhe për veçoritë e karakterit të tij ku, ndër të tjera, Adem Shkrelin e cilësoi si burrë të qetë e të dijshëm.

“Si malësor i zbritur nga shkrepat e Shkrelit, të cilat kurrë nuk i harroi, Ademi për pesëdhjetë vjet kontribuoj dhe qëndroi drejt dhe stoik në sfidat e kohës. Burrë i qetë, burrë i dijshëm, burrë i urtë por i prerë kur kërkonte momenti dhe koha. Tërë jetën qëndroi vertikal. Promovoi individin cilësor me vlera pozitive të përgatitur që t’u qëndrojë sfidave të kohës dhe të kontribuojë për një të nesërme më të mirë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se kujtimi mbi veprat, qëndrimet dhe kontributin që ai ka dhënë për vendin e tij do të jenë ato që do t’i bëjnë të vlefshme veprën dhe punën e tij.

Për kolegun dhe bashëveprimtarin Adem Shkrelit ka folur edhe gazetari e diplomati Avni Spahiu. Ai ka thënë se Shkreli ka dhënë kontribut të çmuar në gazetari, veçmas në kohën kur gazetaria në Kosovë po përballej me shtypje dhe represion.

“Duke qenë i përkushtuar me dekada në gazetari, Adem Shkreli ka qenë njëri ndër veteranët dhe gazetarët më të njohur të ‘Rilindjes’. Ai ka dhënë një kontribut të madh për gazetarinë kosovare, në shkrimet e tij, me një punë të palodhshme kronologjike që bëri historinë e gazetarisë së shtypur në Kosovës. Përveç kontributit të tij në ‘Rilindje’ ai shërbeu si shembull i gazetarit të angazhuar në një kohë të rëndë që ka kaluar Kosova dhe shoqëria e saj”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, Shkreli ishte njëri ndër gazetarët më të shquar të Kosovës dhe se, së bashku me gazetarët e njohur të kohës, punoi që Kosovën ta nxirrte nga terri informativ.

“Dallohej për mënyrën e të shkruarit që e bënte atë një stilist të veçantë. Emri i tij lidhet me ‘Rilindjen’ së bashku edhe me gazetarët e tjerë të shquar të kohës. Në dekadën e viteve ‘90, Adem Shkreli së bashku me intelektualët e kohës kishte përjetuar trysninë e madhe ndaj fjalës së folur dhe të shkruar shqipe në Kosovë. Ai ishte pjesë e luftimit të territ informativ që na u imponua nga pushtimi dhe punoi për të vërtetën e Kosovës”, ka potencuar Spahiu.

Përveç kësaj, Spahiu ka thënë se përtej dimensionit profesional, Adem Shkreli do të mbetet i njohur edhe si poet i cili kishte një dell të veçantë artistik, dhe pavarësisht se ishte pjesë e një familjeje poetësh e artistësh, ai kishte një veçanti individuale në krijimtarinë poetike.

Në fund, për t’i falënderuar miqtë, kolegët dhe të gjithë të pranishmit në sallë, fjalën e mori bashkëshortja e tij, Serbeze Shkreli, e cila tha se është e vogël për Ademin.

Adem Shkreli lindi në fshatin Shkrel të Rugovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme financiare në Pejë e më vonë studioi gazetarinë në Beograd dhe drejtësinë në Prishtinë. Punoi mësues në shkollat fillore në Koshutan, Peqiq dhe Drelaj të Rugovës, prej nga bashkëpunoi me gazetën “Rilindja”, revistën “Zani i rinisë” dhe “Pionieri”. Prej vitit 1958 e deri në pensionim punoi si gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja”. Adem Shkreli shkruante poezi për fëmijë dhe të rritur.

Ademi ishte vëllai më i madh i poetit e romancierit të njohur Azem Shkreli, poetit e dramaturgut Ymer Shkreli, moderatorit Hys Shkrelit dhe i Afrim Shkrelit. Vëllezërit Shkreli njihen veçmas për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë kulturës shqiptare.