Kulturë

Artistja iraniane Parastou Forouhar: “Regjimi është kundër grave”

Parastou Forouhar: “Kjo diktaturë fetare është një grup rregullash në funksion të paternalizmit. Brez pas brezi iranianët janë përpjekur që të mund të vetëvendosin, por po dështojnë për shkak të këtij brutaliteti”
 

Teksa pas vrasjes së një gruaje të re nga policia e “moralit” në Iran protestat vazhdojnë, artistja disidente iraniane Parastou Forouhar ka njëfarë optimizmi pavarësisht se është shumë e zemëruar. Më 21 shtator Mahsa Amini do t’i kishte mbushur 23 vjet. Ajo u arrestua pasi dyshohet se nuk e kishte vendosur hixhabin. E pyetur se si mund të kishte vdekur ajo në paraburgim policor për një shkelje kaq të vogël, Forouhar thotë se “as që bëhej fjalë për refuzimin për të veshur hixhabin”. Sipas saj, dyshohet vetëm që Mahsa Amani nuk e kishte veshur siç duhet atë! “Dhe, për këtë arsye ajo u keqtrajtua dhe u rrah tmerrësisht. Dhe tani janë gratë ato që po dalin në rrugë, në protestat e shumta. Vetëm tani po shohim një refuzim absolut për të veshur mbulesën. Gratë po i djegin shamitë dhe këtë po e bëjnë publikisht. Ditëve të fundit disa nga gratë janë qëlluar”, ka thënë artistja e aktivistja iraniane. Ky rast thotë se e zëmëron fort, por gjithashtu është e trishtuar që të rinjtë janë të ekspozuar ndaj një brutaliteti të tillë dhe nuk mund t'i shpëtojnë kësaj dhune.

“Është si një kurth. Kjo diktaturë fetare është një grup rregullash në funksion të paternalizmit. Brez pas brezi iranianët janë përpjekur që të mund të vetëvendosin, por po dështojnë për shkak të këtij brutaliteti”, thotë Forouhar. Prindërit e saj u vranë për arsye politike në vitin 1998. Nga situata e tanishme ajo thotë se është e shqetësuar dhe për këtë përmend disa arsye.