Kulturë

Në Prishtinë mbahet festivali poetiko-letrar me krijues nga diaspora

Mbështetur nga Ministria e Diasporës, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me moton “Ti je pjesë e atdheut”, u mbajt festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017”.

Ky aktivitet po organizohet në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora, bëhet e ditur përmes një komunikate për media. Festivalin e poezisë e hapi shkrimtari Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili,ndër të tjera, tha se niveli i kulturës së një kombi matet me dy komponentë: e para konsumimi, leximi i krijimeve letrare artistike dhe promovimi i vlerave artistike, transmeton Koha.net.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, i pranishëm në këtë ngjarje kulturore,tha se ky aktivitet është vazhdimësi e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë frymën, atdhedashurinë dhe letërsinë shqipe edhe në mërgatë.

“Përmes aktivitetit artistik letrar, ju ndihmoni në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, promovimin e identitetit tonë kombëtar, shpërfaqjen e vlerave tona edhe në raport me vendet ku jetoni”, theksoi Murati.

Ndër veprat e shumta që sot u promovuan ishin edhe: “Në ëndrra digjet nata”, e autorit Hasan Qyqalla, “Kthimi”, i autores Majlinda Nana-Rama etj. Po ashtu, u promovua edhe revista “Mirdita”, e shoqërisë kulturore-artistike “Mirdita”.

Festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017” do të vazhdojë me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues.