Dramën familjare me burgosje politike dhe pasojat prej saj, regjisorja Val Jashari e ka rikthyer në rrëfim filmik, duke rikthyer kohën në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Besim Ugzmajli, me “Ditë e kuqe” prek temë sociale dhe ngjarjen e zhvendos në teatër. Por teatri ka edhe një tjetër kuptim në filmin e tij
Filma që synojnë të mbajnë gjallë kujtimin për të kaluarën dhe të vënë në pah problemet e ndryshme shoqërore, kanë ardhur bashkë të premten, në “Kino Armatë”, në programin e filmave të shkurtër e të mesëm të “PriFestit”. Dy prej tyre kanë qenë produksione vendore: “Nanë” dhe “Ditë e kuqe”. Po aty janë shfaqur edhe “Vuja De” nga Franca dhe ai i metrazhit të mesëm, “Richter” nga Shqipëria.
Historia e vdekjes së nënës së gjyshit të saj ishte ajo që regjisoren Val Jashari e kishte motivuar për “Nanë”.
Ngjarja vendoset në vitet ‘50 në kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe kur Goli Otoku ishte burgu më famëkeq dhe vendi ku shumë shqiptarë vdiqën nga torturat. Në Goli Otok ishte burgosur edhe babai i Lekës, ndërsa nëna e tij e sëmurë kishte mbetur e vetme me katër fëmijë të vegjël ku më i madhi, nuk të ishte më shumë se dhjetë vjeç.
Gjatë tërë kohës, kamera ndjek hapat dhe dramën e Lekës (Shaban Abazi). Skena hapet me një moment gëzimi ku Leka i ndihmon nënës së tij t’i lajë dy fëmijët e vegjël dhe t’u këndojë atyre këngë shqipe. Më pas Leka rishfaqet tek luan me miq, në sherre fëmijësh, siç është shikimi fshehtas i nuses së bukur të komshiut. Leka ngjan me secilin fëmijë, i cili nuk është i aftë ta shohë tragjedinë e vet. Pasi kthehet në shtëpi ai sheh se nëna e tij (Mjellma Istrefi) nuk po ndjehet mirë. Teksa me kovën e mbushur plot ujë bunari, ajo mundohet ta mund zjarrminë e tepërt, i drejtohet Lekës më fjalët: “Ahh ta kisha do borë, ta vendosja në gjoks që të ma ndalë këtë shpirt që po kallet”. Kështu Leka, së bashku me shokun e tij (Nik Xhelilaj) niset majë mali, për të mbledhur një kovë plot borë e për ta shpëtuar nënën e tij. Megjithatë, ai nuk ia del. Duart e vogla të Lekës ia vendosin nënës borën ne gjoks, por nëna tani është më e ftohtë se bora. Ajo kishte vdekur.
E tërë tragjedia e Lekës së vogël, me babanë në burg e me nënën e vdekur, përcillet nga tingujt e “Bareshës” së Rexho Mulliqit. Veshja e tij është ajo e viteve të pesëdhjeta. Edhe rruga e vendi ku ndodh ngjarja i ngjan asaj kohe. Aktrimi i kastës është mjeshtëror bashkë me shtjellimin e ngjarjes dhe këtë e kanë konfirmuar edhe duartrokitjet e publikut.
Filmi për të cilin Val Jashari ka shkruar edhe skenarin, e me producent Jetmir Zenelajn, qe përfunduar në periudhën 2020-2021 por arriti të jepej premierë tek tash në Prishtinë. Megjithatë, fakti se filmi u shfaq në një vend ku familjarët dhe miqtë e regjisores Vali Jashari do të kishin mundësi ta shihnin filmin, ishte një gjë që e kishte gëzuar atë më shumti. Kjo edhe për shkak të historisë personale që rrëfen në të.
Sipas saj, pjesa më e vështirë e xhirimeve lidhet me gjetjen e lokacioneve që duhej t’i përshtatej kohës për të cilën fliste filmi, përkatësisht Kosovës së viteve ‘50.
“Procedura ka qenë e vështirë, sepse filmin e kam bazuar në një ngjarje të 1950-s dhe ka qenë shumë e vështirë m’i gjetë lokacionet, por qysh nga fillimi e kam menduar që xhirimet do të bëhen diku në Shqipëri dhe aty e kam gjiruar 90 për qind të filmit, në një fshat të quajtur Dardhë, në Korçë. Pak kam xhiruar edhe në Kukaj aty ku është ‘Etno Festi’ në një shtëpi shumë të vjetër 300-vjeçare”, ka shpjeguar ajo.
Për ta bërë ngjarjen sa më të afërt me realitetin, Jasharaj ka futur në film edhe disa nga dialogët realë të gjyshit të saj dhe nënës së tij.
“E kam parë që shumë njerëz janë emocionuar në fund, por ka qenë efekti i ngjarjes. Ka qenë e bazuar në ngjarje të vërtetë, domethënë ka qenë historia se si gjyshi im e ka humbur nënën e vet, madje edhe disa dialogë midis nënës dhe djalit kanë qenë mu ashtu siç i ka mbajtur në mend gjyshi im”, ka thënë ajo për KOHËN.
Shaban Abazi, në rolin e Lekës është edhe djali i regjisores Jashari. Ai është lindur në Amerikë dhe së fundi është kthyer të jetojë në Kosovë. Aktrimi për herë të parë dhe në një film ku për regjisore e kishte nënë e vet, ka qenë mjaft stresues për të.
“Isha shumë i emocionuar gjatë gjithë kohës sepse kur janë bërë xhirimet unë isha ende fëmijë dhe ishte një storie shumë personale për mua dhe kur nëna jote është regjisorja, ndihesh sikur duhet ta bësh më të mirët që ta bësh të ndihet krenare me ty”, ka thënë ai.
Në këtë natë, premierë kosovare u dha edhe filmi “Ditë e kuqe” i regjisori Besim Ugzmajlit.
Në 15 minuta filmi shpalos historinë e vajzës shurdhmemece Arsa (Orgesa Mehmeti) dhe përpjekjeve që nëna e saj, Dodona (Teuta Krasniqi) bën për ta futur në teatër. Dodona është një ish-aktore shumë e talentuar teatri e cila mundohet ta çojë edhe vajzën hapave të vet, por që has në probleme e kjo krejt për shkak të paaftësisë për të folur, me ç’rast shihet si jo e denjë për teatër.
Gjatë dhjetë minutave filmi trajton problemin dhe paragjykimet shoqërore ndaj shurdhmemecëve dhe në të njëjtën kohë maturimin e vajzës. Aty janë edhe keqpërdorimet e drejtorit i cili, përveç se ka një aferë me sekretaren e tij në të njëjtën kohë mundohet edhe ta shfrytëzojë nënën e saj, në mënyrë që vajza të bëhet pjesë e teatrit. Vajza del në skenë por mu aty ajo përjeton për herë të parë maturimin, i cili simbolizohet përmes periodave. Filmi përfundon me daljen nga teatri.
E veçanta e këtij filmi është përdorimi i teknikës të njohur si “Breaking the fourth wall” kur aktorët thyejnë murin imagjinar që i ndanë me publikun. Kjo është një teknikë e njohur veçmas në teatër por që Ugzmajli, duke qenë se punon edhe në teatër, kishte vendosur ta inkuadronte në film.
“Punoj herë pas here edhe në teatër, por fokusi im në film është më i madh dhe për këtë kam dashur të bëj një lloj bashkëdyzimi të të dyjave. Në teatër ajo njihet si teknikë e Brehtit, e distancimit dhe unë kam provuar ta bëj edhe në film. Në film njihet edhe sikur ‘Breaking four walls’. Jam përpjekur t’i bëj me kujdes dhe jo shpesh sa për t’i mbajtur njerëzit jashtë filmit”, ka shpjeguar ai.
Se filmi ka shumë ngjashmëri me lojën në teatër e dëshmon edhe prania e korit i cili ishe i njohur veçanërisht nga dramat e lashta të antikës.
“Kori dhe kyçjen e korit e kam menduar edhe si në mënyrat e lashta të të bëri teatër por edhe si diçka përmes së cilit publiku arrin t’i shohë drejtpërdrejtë trikat e filmit. Të shihet edhe se si bëhet muzika e filmit brenda teatrit edhe pse aty ka pjesë të filmit ku aktorët luajnë sikur nuk e shohin fare korin”, ka shpjeguar Ugzmajli në rolin e regjisorit dhe njohësit të teatrit.
“Ditë e kuqe” ka pasur premierën e tij kombëtare në “PriFest”, përderisa deri më tani ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Cerdanya në Spanjë, mori çmim.
Me atë që njihet si “One shoot”, kur i gjithë filmi xhirohet pa ndërprerje, Ugzmjali kishte arritur ta finalizonte pas dhjetë ditë provash dhe madje qysh në herën e tretë.
Në këtë mbrëmje u shfaq edhe filmi i shkurtër francez “Vuja de” nga regjisori Viktor Ivanov. Të shtyrë nga prindërit, dy të rinj, Lui, italian (Filippo Scotti) dhe Elle, franceze ( Clara Benador) martohen që në moshë të re, ende pa e njohur njëri-tjetrit. Në shtatë minuta, nga momente të shumta gazmore që tregojnë luftën midis kulturës franceze dhe italiane dhe problemet e dy të rinjve që e gjejnë veten të martuar papritmas, çifti nis të eksplorojë dhe më në fund të njohë njëri-tjetrin.
Në fund të mbrëmjes, dhe kur gjysma e publikut lëshoi sallën, u shfaq filmi i metrazhit të mesëm, “Richter” nga regjisori shqiptar, Koloreto Cukali. Kryespersonazhi dhe pothuajse aktori i vetëm në film, Besmir Bitraku (Mandi). I gjendur brenda rrënojave ai mundohet ta mbajë gjallë me fjalë Irinën dhe vajzën e saj të vogël, të mbetur po ashtu nën rrënoja. Filmi “Richter”, titulli i të cilit lidhet me shkallët e Richteri është një homazh për të vrarët e tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, i cili la mbi 50 të vdekur dhe qindra mijëra shtëpi të shkatërruara.
Tre filmat e parë të metrazhit të shkurtër janë në garë për Çmimin: Filmi më i mirë i shkurtër. Në këtë kategori marrin pjesë dhjetë të tjerë. “Richter” konkurron në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm së bashku edhe me pesë filma të tjerë.