Mantel u konsiderua si një nga romancieret më të mëdha të gjuhës angleze të këtij shekulli, duke fituar dy herë çmimin “Booker”, për “Wolf Hall” dhe vazhdimin e tij, “Bring Up the Bodies”. “Ajo pa dhe ndjeu gjëra që ne të vdekshmit e zakonshëm nuk arrinim t’i shihnim”, është njëri prej cilësimeve për të. Mandel vdiq të enjten në moshën 70-vjeçare
Si shkrimtarja më me peshë e kohëve të sotme, mbretëreshë e letërsisë është cilësuar Hilary Mantel në ditëvdekjen e saj. Ajo vdiq të enjten në moshën 70-vjeçare.
“Ajo pa dhe ndjeu gjëra që ne të vdekshmit e zakonshëm nuk arrinim t’i shihnim”, ka thënë për Hilary Matel agjenti i saj.
Ka qenë botuesi i saj “HarperCollins” që e ka konfirmuar lajmin për vdekjen e autores së trilogjisë “Wolf Hall”, fitueses së çmimit “Booker”.
Mantel u konsiderua si një nga romancieret më të mëdha të gjuhës angleze të këtij shekulli, duke fituar dy herë çmimin “Booker”, për “Wolf Hall” dhe vazhdimin e tij, “Bring Up the Bodies”, i cili gjithashtu fitoi çmimin “Costa” për librin e vitit 2012.
Trilogjia e saj novatore “Wolf Hall”, “The Mirror” dhe “The Light”, botuar në vitin 2020, u vlerësua lart nga kritikët dhe u bë menjëherë bestseller i “Sunday Times”. Ajo gjithashtu u përfshi edhe në listën e gjatë për çmimin “Booker”.
Botuesi “HarperCollins” konfirmoi se ajo kishte vdekur të enjten “papritmas, por në mënyrë paqësore”, e rrethuar nga familja dhe miqtë e ngushtë.
Kur u pyet nga “Financial Times” në fillim të këtij muaji nëse ajo besonte në një jetë të përtejme, Mantel kishte pohuar, porse nuk mund ta imagjinonte se si mund të funksiononte. “Megjithatë, universi nuk është i kufizuar nga ajo që unë mund të imagjinoj”, kishte thënë ajo.
Bill Hamilton, i cili gjatë gjithë karrierës së saj kishte qenë agjenti i Mantel, ka thënë se puna me të ishte “privilegji më i madh”.
“Zgjuarsia e saj, guximi stilistik, ambicia krijuese dhe depërtimi fenomenal në histori e dallojnë atë si një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë”, ka thënë ai. “E-mailet nga Hillary ishin të mbushura me fjalë të mira dhe shaka, ndërsa ajo vëzhgonte botën me kënaqësi dhe sulmonte mizorinë dhe paragjykimin dembel ose absurd”, shtoi ai. “Kishte gjithmonë një aurë të lehtë të botës tjetër tek ajo, pasi ajo shihte dhe ndjente gjërat që ne vdekatarët e zakonshëm nuk arrinim t’i shihnim, por kur e kuptonte nevojën për konfrontim, ajo do të shkonte pa frikë në betejë”.
Deri më sot trilogjia “Wolf Hall” (e përkthyer në shqip si “Salla e ujqërve”) ka mbi pesë milionë kopje të shitura në mbarë botën dhe është përkthyer në 41 gjuhë. Në fillim të këtij muaji “HarperCollins” botoi “Librin e ilustrimeve Wolf Hall”, nga Mantel dhe bashkautorët Ben Miles dhe George Miles.
Gjatë gjithë jetës autorja vuante nga sëmundja kronike, një formë e rëndë e endometriozës. Operacioni kundër kësaj sëmundjeje kishte bërë që ajo të mos mund të kishte fëmijë.
“Ndonjëherë njerëzit përpiqen të më bindin se, në njëfarë mënyre, kjo më ka bërë një shkrimtare më të mirë ose se kjo do të thotë se mund ta mbaja botën larg. Por, unë më mirë do ta përballoja botën sesa të përballoja dhimbjen dhe pasigurinë që vjen me të”, ka thënë ajo për “Times” më 2012. “Unë jam kundër paraleleve”.
Mantel u lind më 6 korrik të vitit 1952, në Glossop të Derbyshire. Ajo studioi drejtësi në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe Universitetin Sheffield dhe më pas punoi si asistente e punës sociale në një spital për të moshuarit. Në vitin 1972 Mantel u martua me gjeologun Gerald McEwan. Çifti u divorcua në vitin 1981, por u martua përsëri në vitin 1982. Në vitin 1974, ajo filloi të shkruante një roman për Revolucionin Francez, i cili u botua në 1992 si “A Place of Greater Safety”. Në 1977, Mantel dhe burri i saj u transferuan në Botsvana, dhe jetuan atje për pesë vjet. Më vonë ata jetuan për katër vjet në Arabinë Saudite dhe në mesin e viteve ‘80 u kthyen në Britani.
Mantel botoi 17 libra të mirënjohur, përfshirë romanet “Every Day Is Mother's Day”, “Possession Vacant”, “Beyond Black” dhe kujtimet e saj “Giving Up the Ghost”.
Në vitin 1990 ajo u zgjodh anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Në vitin 2013, “Wolf Hall” dhe “Bring Up the Bodies” u përshtatën për prodhim skenik të “Royal Shakespeare Company”, një proces në të cilin autorja ishte shumë e përfshirë. Në vitin 2021, “The Mirror & the Light” u vu në skenë në Teatrin Gielgud të Londrës, përshtatur nga vetë Mantel, së bashku me aktorin Ben Miles, i cili ishte gjithashtu pjesë e kastës së aktorëve.
Pas vdekjes së saj në Twitter janë parë shumë postime kushtuar Mantel. Shkrimtari dhe spikeri Damian Barr ka thënë se vdekja e saj është “një humbje e madhe”.
“Me çdo libër ajo ripërcaktoi se çfarë mund të bëjnë fjalët”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar: “Ajo është personi i vetëm qëkur unë e kam intervistuar, ka folur në paragrafë të plotë dhe të përsosur. Nuk mund ta besoj se nuk do të kemi një libër tjetër prej saj.”
Ministri i parë i Skocisë, Nicola Sturgeon, ka thënë se “është e pamundur të vlerësohet pesha e trashëgimisë letrare që Hilary Mantel ka lënë pas. Trilogjia e saj e shkëlqyer “Wolf Hall” ishte arritja kurorëzuese e një vepre të jashtëzakonshme. Pusho në paqe!”.
Redaktori afatgjatë i Mantel, Nicholas Pearson, ka thënë se lajmi për vdekjen e saj ishte “shkatërrues”.
“Hilary kishte një këndvështrim unik për botën – ajo zbuloi se si funksionon ajo në romanet e saj bashkëkohore e po ashtu edhe në ato historike – çdo libër një thurje e paharrueshme fjalish të shkëlqyeshme, personazhesh të paharrueshëm dhe njohurish të jashtëzakonshme. Ajo dukej se dinte gjithçka”, ka thënë ai. “Për një kohë të gjatë ajo u admirua nga kritikët letrarë, por trilogjia e “Wolf Hall” ia gjeti asaj lexuesin e gjerë që e meritonte prej kohësh.”
Përveçse jashtëzakonisht e talentuar, Mantel ishte gjithashtu “një person që kishte kënaqësi të punoje me të”, ka thënë Pearson. “Muajin e kaluar u ula me të në një pasdite me diell në Devon, ndërsa ajo fliste e emocionuar për romanin e ri që kishte nisur. Është e pabesueshme që nuk do të kemi më kënaqësinë e fjalëve të saj. Ajo që ne kemi është një grup veprash që do të lexohet ndër breza. Ne duhet të jemi mirënjohës për këtë”.
Marrë nga: “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku