Kulturë

Vëllezërit Osmani – mësimi i fisnikëve për atdhedashurinë

Monografia “The Osmani Brothers” (Vëllezërit Osmani) botuar në anglisht nga Botimet KOHA që është promovuar të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” rrumbullakon kontributin e familjes për çështjen shqiptare
 

Është i paçmuar kontributi i tyre në çështjen shqiptare. Nuk lanë derë pa e hapur për ta çuar zërin e Kosovës e të Shqipërisë në SHBA. Armë e tyre qe e vërteta dhe për të nuk kursyen asgjë. Por ky është vetëm njëri kapitull e me shumë detaje të tjera, rrugëtimi i tyre shpaloset në librin “Vëllezërit Osmani” i Emin Kabashit, i cili të mërkurën në Prishtinë është përuruar në anglisht me titullin “The Osmani Brothers”. Në esencë, krejt veprimtaria e tyre vjen si mësim fisnik për atdhedashurinë

Në fund të viteve ‘80 Kosovës po i shtohej trysnia. Serbia kishte nisur t’ia vinte flakën nacionalizmit e shqiptarët po riktheheshin nën një okupim klasik, pavarësisht rezistencës paqësore. Në jug të asaj që ishte Krahinë, Shqipëria po bënte përpëlitje të demokratizimit pas gati gjysmë shekulli diktaturë.

Ishte kohë kur informacionet dhe e vërteta lëviznin më vështirësi, sidomos nga një Kosovë që po bënte një jetë shoqërore paralele në raport me institucionet që udhëhiqeshin nga Serbia. Pa fuqitë e mëdha sa i përket rendit botëror, përpjekjet për çlirim, ishin si disa goditje të zbehta e simbolike. Duhej një burim i fortë i së vërtetës nga jashtë që realiteti në Ballkan të dilte në sipërfaqe në rang global e sidomos në Perëndim.