Kulturë

“Vera andrron detin” me guximin e gruas në “PriFestin” dedikues

Descriptive Text

Guximi i gruas, është e përbashkëta e filmit me të cilin është hapur dhe ceremonisë solemne e “PriFestit”, që sivjet i dedikohet themelueses së Festivalit, aktivistes Vjosa Berisha. Në njërën anë është kujtuar producentja që kontribuoi shumë për t’i promovuar kinematografët vendorë e po ashtu për t’i lidhur me botën, e me “Vera andrron detin” është bërë thirrje për barazi midis njerëzve

Me imazhet e themelueses e drejtueses së 13 edicioneve paraprake në pikat kyçe të hapësirës, “PriFest” ka shtruar tapetin e kuq për ngjarjet e sivjetme. Festivali më i madh i filmit të gjatë artistik në vend edhe sivjet bën bashkë kinematografë vendorë e të huaj në rrugëtimin gjashtëditor.

Përderisa sivjet mbahet edhe si shenjë e përkujtimit për themeluesen, Vjosa Berisha e cila vdiq në qershor të këtij viti, “PriFest” është hapur me rrëfimin e një gruaje tjetër. Atë të Verës që nëpërmjet filmit “Vera andrron detin” sjell historinë e një gruaje që përballet me pabarazi. Në njërën anë është kujtuar producentja e aktivistja e artit që kontribuoi shumë për t’i promovuar kinematografët vendorë e po ashtu për t’i lidhur me botën, e në anën tjetër po nëpërmjet një filmi është bërë thirrje për barazi midis njerëzve.

Mesazh i fuqishëm për pabarazitë globale

Në vendin ku rrokaqiejt vazhdojnë të çojnë krye pa u ndalur e ku infrastruktura rrugore është në shpërthim autostradash, një familje që jeton në kushte modeste nis të përballet me tragjedi. Te “Vera andrron detin” që është kthyer në vendin e origjinës si premierë, Vera (Teuta Ajdini-Jegeni) dhe Fatmiri (Xhevat Qorraj) jetojnë në një banesë në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Vajza e tyre Sara (Alketa Sylaj) është një aktore e re dhe nënë e një vajze. Vera e cila është përkthyese e gjuhës së shenjave bëhet gati për ditëlindjen e bashkëshortit. Në përgatitje e sipër merr vesh se shkaku i ndërtimit të autostradës së re, shtëpisë së tyre në fshat i është rritur vlera dhe se po lajmërohen blerës potencialë. Pos përgatitjeve të tjera për shënimin e kremtes, bashkëshortit plot me zell ia jep edhe lajmin për mundësinë e shitjes së shtëpisë. I prezanton atij disa plane që duhet realizuar me ato para e për pjesën e mbetur propozon të shëtisin në bregdet. Portreti i Fatmirit në atë rast është i një njeriu që s’ka nevojë të flasë. Çehrja e tij paralajmëron tragjedi. Aso drame që nuk mbaron me një akt. Pas pak Vera e gjen të vdekur në banjë. Këtu edhe fillon tatëpjeta emocionale e përtej saj.

Filmi me skenar të Doruntina Bashës që premierën botërore e kishte në Festivalin prestigjioz të Venecias vitin e kaluar, eksploron në detaje pabarazinë gjinore në këto anë dhe jo vetëm. Arrin që nëpërmjet situatave që zhvesh një problem madhor: fjalën e burrave që është e padiskutueshme në raport me gratë, përndryshe përdoret edhe dhuna fizike.

Ahmeti (Astrit Kabashi) një kushëri i Fatmirit, paraqitet te Vera si njeri që i ndjeri ia kishte lënë shtëpinë nëpërmjet një deklarate verbale. Për këtë edhe mbledh burrat në fshat e ata nuk duan të ja dinë për të drejtat e Verës, vajzës së saj e të mbesës. Pasi Vera refuzon të nënshkruajë bartjen e pronës nis presioni.

Bashkëshorti i saj kishte luajtur bixhoz. Kishte humbur pronën e tij në fshat dhe për këtë ekziston një videoincizim. Pavarësisht presionit për publikim të atij materiale, Vera nuk pranon bartjen e pronës në fshat. Por kur borxhlinjtë ia godasin vajzën me veturë, ndryshon muhabeti. I përfshirë në krejt këtë mesele ishte edhe miku i familjes Basriu (Refet Abazi).

Vera në këtë rast bën bartjen e pronës. E raporti i saj me të bijën pavarësisht telasheve shkaku i patriarkalitetit në familje merr kuptim të ri. Nisin të jetojnë në paqe e edhe ta plotësojnë ëndrrën për bregdet. Filmi që është dhënë në disa prej festivaleve më të rëndësishme në botë në kontinente të ndryshme e midis çmimeve ka marrë edhe “Grand Prix” në Tokio, nuk është thjeshtë pasqyre e një realiteti. Mesazhet e dala prej tij, janë tejet të fuqishme.

Pas premierës, kur ekipi ka dalë në skenë, regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se kanë udhëtuar dhe po vazhdojnë të udhëtojnë në krejt botën.

“Kemi fituar shumë çmime por është shumë bukur kur njerëzit prej nga vjen rrëfimi mund ta përjetojnë filmin”, ka thënë ajo. Paraprakisht, kishte treguar se projekti ka të bëjë dhe është dedikim për nënë e saj, Verën. E ka përmendur atë edhe në premierën vendore duke treguar se është edhe kritikja më e madhe e saj.

“Tregimi ka filluar të jetë i rëndësishëm për krejt botën sepse disa pabarazi nuk janë gjeografike, janë globale. Kështu që pabarazia në raport me jetën e Verës nuk është vetëm për Kosovën por është për krejt vendet në të cilat ka gra dhe të cilat jetojnë në pabarazi të ngjashme”, ka thënë Krasniqi për projektin debutues të saj në film të gjatë artistik.

Aktorja Teuta Ajdini-Jegeni ka kujtuar se para tri dekadave pas diplomimit për artet dramatike në Shkup, ku edhe u lind, kishte një ëndërr për ta realizuar dhe ajo quhej Prishtinë, vendi ku shihte mundësinë për t’u marrë me art. Vendlindja i dukej se e kufizonte. “Edhe pse arrita të vija plot entuziazëm, gjithçka mbaroi shumë shpejt, u mbyllën institucionet kulturore dhe nuk kisha hapësire për të vazhduar”, ka thënë ajo. Ka treguar se Vera e ëndërron detin, ajo ëndërronte që të realizojë një rol ku do të kishte mundësinë të paraqitet para një audience siç e ka Prishtina.

“Premiera e mbrëmshme e filmit ‘Vera andrron detin’ ishte shumë mbresëlënëse dhe më dha shumë dashuri të vazhdoj përkushtimin tim për artin me po aq dashuri si para shumë vjetëve. Andrrat realizohen...”, ka thënë ajo.

Filmi ishte përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës si mbështetësi kryesor e po ashtu edhe nga Qendra Kombëtare e Filmit në Shqipëri.

Ish-drejtori i QKK-së, Arben Zharku, në mandatet e të cilit shteti ka financuar disa prej filmave më me nam që janë realizuar në Kosovë, ka thënë se ka qenë i lidhur më këtë rrëfim qysh herët.

“Prej fillimit e kam ditur që ky tregim është shumë i nevojshëm për botën e veçanërisht për vendin. Doruntina Basha dhe Kaltrina kanë punuar shkëlqyeshëm bashkë me krejt ekipin që ka besuar në këtë rrëfim”, ka thënë ai. Ka treguar se është jashtëzakonisht i tronditur nga bukuria e filmit.

“Është jashtëzakonisht për t’u vlerësuar kjo punë kolosale e krejt ekipit, përfshi aktoren kryesore Teutën që mrekullisht e ka bartur këtë rol dhe e ka transmetuar energjinë e rrëfimit te publiku”, ka thënë Zharku.

“Vera andrron detin” nuk përfundon kur fiket ekrani. Bash aty fillon pasi e bën publikun që t’i endë në kokë skenat e t’i tëhollojë mesazhet.

Tregimi për aktivisten e palodhshme kulturore

Image

“For Her”, është motoja e edicionit të sivjetmë të “PriFestit” që i dedikohet themelueses dhe organizatores së festivalit, Vjosa Berisha


Hapësira para “Kino Armatës” në kryeqytet është “veshur” me sharmin e “PriFestit”. Aty mblidhen kineastët, shikuesit e mbahen diskutime e konferenca për medie. Krejt të pranishmit janë mësuar që themeluesja e drejtuesja e Festivalit, Vjosa Berisha të jetë në krye të organizimit secilin vit. Andaj, ky edicion i është kushtuar asaj. Një pjesë e hotelit “Grand” paraqet imazhin e producentes e aktivistet kulturore.

Hapja e festivalit është bërë me dedikime artistike kushtuar saj. Pos një monologu nga aktori Armend Smajli – i cili edhe ka moderuar ceremoninë e hapjes – edhe kori “Siparantum” ka marrë pjesë në dedikimin për Berishën.

Si folësi i parë në ceremoni, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka krahasuar lumin e rrëmbyeshëm të Shqipërisë me producenten. Sipas tij, jo veç emri Vjosa i ka bashkuar lumin dhe themeluesen e drejtuesen e Festivalit.

“Vjosa është lumi më i egër i Evropës dhe me sa duket, Vjosa e kishte fatin që në lindje që të jetë ky lumë i egër. Vjosa hynte tek ata njerëz që gjente arsye për të na bashkuar e jo për të na ndarë. Humbja e Vjosës është ndoshta edhe një pyetje për secilin nga ne, se çfarë lumi jemi ne, jemi lumë që bën erozion, që prish brigjet apo jemi lumë që sjell jetë e bashkon?”, ka thënë Veliaj. Ka rrëfyer se vjet i kishte premtuar Vjosa Berishës se në këtë ngjarje tejet të bukur do të përfshihej edhe Tirana.

“Kjo nuk është ditë ku ne vajtojmë, por festojmë për jetën e Vjosës”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se përgjatë edicioneve të mëparshme Festivali ka sjellë filmat më cilësorë nga vende të ndryshme si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga e mbarë bota.

“Sivjet po me nismën e Vjosës ‘PriFimFest’ shkon edhe një hap tutje. Festivali Ndërkombëtar i Filmit nga Odesa me moton ‘Përtej kufijve’ për shkak të luftës absurde në Ukrainë po e hap edicionin e vet në Prishtinë bashkë me ‘PriFestin’”, ka thënë ai. Ka kujtuar Berishën si një njeri të zellshëm për afirmimin e kulturës së vendit.

“Miq të dashur ukrainas këtu në Prishtinë jeni në shtëpinë tuaj”, ka thënë Rama.

Kurse ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se një prej festivaleve më të suksesshme po e nis rrugëtimin e 14-të pa personin që e beri një nga ngjarjet më të mira kulturore ne vend.

“’PriFest” është tregimi për energjinë dhe punën e madhe të kineastëve tanë dhe pikëtakim me botën. Është edhe tregimi për aktivisten e palodhshme kulturore”, ka thënë ai. E ka mbyllur fjalën e tij duke e falënderuar regjisorin Fatos Berisha, bashkëshortin e Vjosës për edicionin e sivjetmë.

“Festivali është mënyra më e mirë për ta kujtuar e nderuar Vjosën për kontributin e saj në kulturën e vendit tonë”, ka thënë ministri Çeku.

Për gjashtë ditë radhazi, “PriFest” do të shfaqë filma nga vende të ndryshme të botës, përshirë disa nga Ukraina. Pos filmave aktivitete të tjera do të plasojnë rolin e festivalit, lidhjen e bashkëpunimeve, diskutimin e temave të ndryshme e promovimin e kinematografisë botërore. Me moton “For her” “Për të”, festivali synon që vazhdojë rrugën e Vjosa Berishës: promovimin e kinematografisë në mënyrë të rrëmbyeshme, bash sikurse dallgët e kanjoneve të formuara nga lumi Vjosa.