Kulturë

Serbia synon “Oscar” me filmin për “vuajtjet e serbëve në Kosovë e Metohi”

Filmin e refuzuar në disa festivale evropiane, Serbia synon ta çojë drejt çmimit të madh. “Mrak” është rrëfimi për një familje serbe në “Kosovë e Metohi” në kohën e “pogromit të Marsit”

Filmi “Mrak” (Errësira) do të jetë kandidati i Serbisë për edicionin e 95-të të çmimit të madh “Oscar”. Ky film, siç shkruajnë mediat serbe, shpalos “ditët e errëta të një familjeje serbe, të izoluar dhe të pambrojtur në Kosovë”.

“Filmi ‘Errësira’ përcjell disa ditë të një familjeje serbe në një enklavë të ndarë e të pambrojtur në Kosovë e Metohi. Nëpërmjet tensionit, atmosferës, gjuhës mjeshtërore filmike me elemente të horrorit, filmi na shpie në botën se frikës dhe të paqartësisë ku tri gjenerata të një familjeje tentojnë të bëjnë jetë normale. Për shkak të emocioneve të fuqishme të temës dhe personazheve, Komisioni konsideron se filmi do të komunikojë suksesshëm me publikun ndërkombëtar dhe me anëtarët e Academy Awards”, thuhet në përshkrimin që Komisioni vlerësues ia ka bërë filmit të përzgjedhur të Serbisë për të kandiduar në kategorinë e “Filmit më të mirë ndërkombëtar”. Në garë për t’u bërë kandidati i Serbisë për nominim kanë qenë pesë filma, përderisa “Errësira” familjen që “përballet me tmerre” një muaj pas trazirave të marsit 2004, ka marrë 11 vota.

Regjisori Miliq citohet të ketë thënë se është fort i gëzuar që do t’i hyjë garës për çmimin e madh

“Jam fort i nderuar që Komisioni me aq vota ka përkrahur filmin tonë për t’u prezantuar për çmimin më të madh në kinematografi. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që filmin ta prezantojmë sa më mirë para Akademisë Amerikane”, citohet të këtë thënë Miliq.

Në Serbi “Errësira” që shfaqur premierë në marsin e sivjetmë dhe aty qe bërë me dije se ishe refuzuar nga disa festivale prestigjioze.

“Dy filmat e mi të parë “Jagoda u supermarketu’ dhe i ‘Guča’, pa probleme i shfaqja në Festivalin e Filmit në Berlin. S’e di se çfarë problem ka tash. Një ditë pasi e paraqita filmin, mu përgjigjën se nuk janë të interesuar dhe kjo më bën fort të dyshoj”, kishte thënë Miliq. Sipas tij, filmi është bazuar në ngjarje të vërtetë në kohën e trazirave të marsit më 2004, dhe u fut në platformën botërore HBO max, pas disa refuzimeve që të jepej premierë në festivale evropiane.

Kur u dha premiera në Serbi, kritika shkroi për të si një film që “ulet në dy karrige midis dramës së angazhuar për pozitën e serbëve në Kosovë e Metohi dhe një rrëfimi të profilizuar për familjen në shënjestër të së keqes”. Në të përditshmen “Danas” shkruhej se shqiptarët aty nuk përmenden deri në fund.

“Shqiptarët janë larguar tërësisht prej rrëfimit në kuptimin që nuk shfaqen fizikisht. Ata janë reduktuar në një kërcënim të fshehtë dhe emërohen vetëm në fund – në një shënim të shkurtër para titrave përmbyllëse për pogromin e marsit”, shkruhej në kritikën e Gjorgje Bajiqit në “Danas”. “Besoj se edhe shikuesit që s’i kanë të njohura ngjarjet në Kosovë dhe Metohi, në fillim nuk do të jenë të sigurt nëse terrori është i vërtetë apo vetëm në mendjet e serbëve të torturuar dhe të izoluar”.

Sipas këtij kritiku, vetëm fundi i filmit do të tregojë se frika ishte e justifikuar. “Por as këtu sulmuesit shqiptarë në futen në kuadër – mbeten në hije, nuk materializohen fizikisht, gjë që nuk i bën më pak shkatërruese pasojat e veprimeve të tyre. Përkundrazi. Ka diçka primare të lidhje me ata ‘armiqtë pa fytyrë’ që dalin nga errësira. Derisa te ‘Enklava’ (një tjetër film serb për serbët e Kosovës v.j.) shfaqen të dyja palët, në ‘Errësirë’ ​​veprimet e shqiptarëve reduktohen në shkatërrim të thjeshtë (si psikologjik ashtu edhe fizik), prandaj është edhe më i tmerrshëm”, shkruhej po aty.Edhe dy vjet më parë, Serbia ia mësyu “Oscarit” me një tjetër film-propagandë, “Dara iz Jasenovca” që kap ngjarjet që zunë vend në vitet e Luftës së Dytë Botërore në kampin e Jasenovacit. Kroacia qe e ashpër në reagim ashtu siç bëri edhe kritika botërore. Vjet, Serbia konkurroi me “Oaza”, të Ivan Ikiqit.

Ceremonia e 95-të e çmimeve të Akademisë Amerikane të Filmit do të mbahet në Los Angeles më 12 mars 2023.