Kulturë

“Description de l’Egypte” në Tiranë zbulon një kapitull të panjohur

“Description de I’Egypte”, një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë është ekspozuar të martën në hapësirat e Teatrit të Operës dhe Baletit, në kuadër të “Javës së Kulturës së Egjiptit”, në prani në ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj egjiptiane Nevin El Kilany.

“’Description de l’Egypte’ është ndër ato ekspozitat e pakta që tërheq interesin e gjithanshëm të njerëzve të letrave, të historianëve, piktorëve, koleksionistëve, njerëzve të arkivave. Bëhet fjalë koleksionin që pikënisjen e ka në ekspeditat e dërguara nga Napoleon Bonaparti, në shekullin XVIII dhe që zbulojnë një botë të panjohur për ne evropianët”, citohet të ketë thënë Margariti, raportojnë mediat në Shqipëri.

Ministrja Margariti ka theksuar se ekspozita e realizuar nga Biblioteka Kombëtare është shenjë mikpritjeje për Ministren e Kulturës së Egjiptit, Nevin Al Kilani.

“Por nga ana tjetër, ‘rigjetja’ e këtij koleksioni ka qenë një rizbulim edhe për vetë ne”, citohet të ketë thënë ajo.

Duke publikuar dhe foto nga ekspozita në rrjetet sociale ministrja ka thënë se ky është një koleksion i rrallë mbi Egjiptin, “i punuar me kaq shumë finesë, i ruajtur në kushte mjaft të mira” i cili tërheq jo vetëm për të mësuar më shumë jo vetëm rreth botimeve a për teknikat që janë realizuar imazhet, por edhe për origjinën e tyre. “Por këta nuk janë librat e vetëm të rrallë, që ende nuk i njohim në bibliotekën tonë dhe që fshehin në faqet e tyre një tjetër histori, përveç asaj të shkruar në to. Shumë shpejt do të hapim një tjetër hapësirë, atë që dikur e kemi quajtur ‘Aneksi i Bibliotekës’, që pas restaurimit të godinës historike të dëmtuar nga tërmeti, do të kthehet në një qendër aktive dedikuar librit, ku mund të mësohet më shumë rreth këtyre librave të rrallë, por edhe një qendër e dialogut, e të rinjve, duke i shtuar edhe elementin digjital”, ka thënë Margariti.

Koleksioni, siç shkruhet në përshkrimin e ekspozitës, përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës. Shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore. Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar.

Folegjenda: “Description de I’Egypte” – një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë që pikënisjen e ka në ekspeditat e dërguara nga Napoleon Bonaparti në shekullin XVIII në Egjipt – është ekspozuar për herë të parë para publikut