Kulturë

Arnautët e Turqisë republikane dhe kontributi i tyre për kauzën shqiptare

Descriptive Text

Libri i Mal Berishës, “Ambasador i pushtetit të butë”, ka vlerë të veçantë për diplomacinë e re kosovare, sepse tregon një qasje më ndryshe të diplomacisë që reflekton “pushtetin e butë” ose “Soft Power” për shtetin që e përfaqëson. Mirëpo, pasi që kjo qasje bazohet në prezantimin sa më shumë të kulturës, atëherë kultura shqiptare e prezantuar nuk përfshinte vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën. Kjo shihet më se miri në dy mandate të ndryshme të Mal Berishës, në Stamboll (1992-1997) dhe në Londër (2012-2015), të pasura me aktivitete të ndryshme kulturore nga Shqipëria dhe nga Kosova

Në fund të vitit 2021 u botuan në Tiranë kujtimet e diplomatit, ambasadorit, aktivistit dhe shkrimtarit Mal Berisha me titull “Ambasador i pushtetit të butë” (Tiranë, “Edualb” 2021) me gati 550 faqe. Kujtimet u promovuan dy herë në Shqipëri, kurse është dashur të promovoheshin edhe në Kosovë, sepse Kosova e ka hisen e vet në këto kujtime.

Mal Berisha i përket një gjenerate të re të Shqipërisë demokratike pas vitit 1992, e cila punoi si për Shqipëri (me mandat) ashtu edhe për Kosovë (pa mandat) në çdo vend ku ka punuar. Ç’është e vërteta, ky mision i përbashkët i diplomacisë shqiptare del në shesh më 2009 me Qeverinë e Sali Berishës, kur lobimi për njohje të Pavarësisë së shpallur të Kosovës u bë pjesë përbërëse e diplomacisë shqiptare në Lindjen e Mesme. Kështu, ai erdhi në nëntor të 2009-s në një delegacion të MPJ-së të Shqipërisë në krye me Edit Harxhin për të kërkuar njohjen e Kosovës në Egjipt, Liban e Siri, ku e kisha nderin të takohesha me ta. Në Damask nuk kishin ardhur vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët e Sirisë, ku kishin kujdes të takoheshin me një numër të madh në një natë që ende mbahet në mend, më ç'rast u paraqitën shumë kërkesa e shumë premtime.

Libri i ri ka vlerë të veçantë për diplomacinë e re kosovare, sepse tregon një qasje më ndryshe të diplomacisë që reflekton “pushtetin e butë” ose “Soft Power” për shtetin që e përfaqëson. Mirëpo, pasi që kjo qasje bazohet në prezantimin sa më shumë të kulturës, atëherë kultura shqiptare e prezantuar nuk përfshinte vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën. Kjo shihet më së miri në dy mandate të ndryshme të Mal Berishës, në Stamboll (1992-1997) dhe në Londër (2012-2015), të pasura me aktivitete të ndryshme kulturore nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Image
Mal Berisha gjatë promovimit të librit në Tiranë

Zbulimi i arnautëve të Turqisë

Në këto kujtime autori Mal Berisha tregon se si u nis më 1992 për në Turqi për të filluar punën si konsull i Shqipërisë në Stamboll, një qytet që e mahniti atë jo vetëm me bukurinë e kulturën e tij, por edhe me praninë e madhe dhe të ndjeshme të arnautëve në Turqi. Vërtet ishte një moment historik si për Shqipërinë demokratike, si për Turqinë e re demokratike e dalë prej ankthit të grusht shteteve ushtarake. Kështu, një arnaut i njohur (Muhamed Akaya) i tregonte se si ai vinte në konsullatë gjysmë i maskuar, sepse çdo vizitë në konsullatë shikohej me dyshim nga autoritetet turke, kurse pas vitit 1992 konsullata nuk kishte më “detyra” ideologjike, por vetëm mision kulturor që ishte me rendësi për arnautët e Turqisë.

Në këtë kontekst u bë edhe vizita e parë e presidentit Turgut Ozal në Shqipëri në verën e vitit 1992, i cili erdhi në një kohë kritike për Shqipërinë dhe ndihmoi shumë për stabilitetin dhe afirmimin e Shqipërisë. Mirëpo, ky mik i sinqertë i shqiptarëve vdiq papritmas në prill të vitit 1993, gjë që krijoi një rast që Mal Berisha të lidhej me shokun e fëmijërisë, presidentin Sali Berisha, që të jetë prezent në përcjelljen e Ozalit dhe ta hapë Shqipërinë më shumë në botën demokratike. Kështu, një vizitë tjetër e presidentit Berisha në Stamboll në dimër të 1995-s do të zbulonte se në të njëjtin hotel (Hilton) ishte edhe presidenti izraelit Ezer Wiesmanin, të cilët u takuan pa komplekse me një përpjekje të thjeshtë të M. Berishës me një kolege izraelite që e takoi në atë hotel (fq. 79-80).

Kontributi i arnautëve për kauzën e Kosovës deri më 1999

Qëndrimi i M. Berishës në Stamboll ishte rast të zbulojë çfarë janë arnautët e Turqisë dhe potencialet e tyre në shoqërinë, ekonominë dhe politikën e atij vendi. Fati i Kosovës ishte pikërisht një tregues se ç’mund të bëjnë ata në vitet më të vështira të Kosovës. Rrëfimi fillon me një vizitë të Enver Talit, një aktivist kosovar i ikur në Turqi, i cili ia ka marrë kryeministrit të Kosovës në mërgim një autorizim si përfaqësues i “Republikës së Kosovës”. Ai autorizim mbeti në letër derisa disa figura të arnautëve (Hayri Içli Kelmendi e të tjerë) vendosin të përurojnë në dhjetor “Përfaqësinë e Republikës së Kosovës” me një ceremoni të madhe në hotelin “Haliç” në qendër të Stambollit, kuptohet me një miratim të heshtur nga organet turke. Hapja e kësaj përfaqësie e tërboi Beogradin, por treshja më e lartë në shtet (presidenti S. Demirel, kryeministrja T. Çiller dhe kryetari i Parlamentit, H. Cindoruk) kishin dhënë mbështetjen e vet për këtë veprim. Kështu, tani “Republika e Kosovës” kishte vetëm dy përfaqësi: në Tiranë dhe në Stamboll (fq. 66).

e kësaj “Përfaqësie të Republikës së Kosovës” në Fatih të Stambollit, siç dëshmon M. Berisha, kishte një rol të madh për shqiptarët e Kosovës në ato vite të vështira: atje vinin për ndihmë të ikurit nga Kosova, vinin për shërim, shkollim e shërbime të tjera e “gjëra të zakonshme në rrethanat e jashtëzakonshme” (fq.67).

Mobilizimi i arnautëve për Shqipërinë më 1997

Megjithatë, përkushtimi i arnautëve të Turqisë për kauzën shqiptare u pa më së miri në moment shumë të rëndë për fatin e Shqipërisë, në mars të vitit 1997. Atëherë, gjatë rebelimit në jug të Shqipërisë dolën në shesh pretendimet e vorio-epirotëve që nuk pushuan prej Pavarësisë më 1912. Në ato momente të rënda zbriti zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Kranis Idiotis, me një helikopter në Kalanë e Gjirokastrës (kuptohet pa lejen e Tiranës) prej nga u bëri thirrje “grupeve të Shpëtimi Kombëtar” që të mblidhen e të përmbysin pushtetin e ligjshëm shqiptar për ta vendosur administratën greke në vend. Kuptohet, ato momente ishin sfida e madhe për fatin e Shqipërisë, që do të kishin reflektim të madh edhe për fatin e Kosovës.

Në ato momente kritike, M. Berisha ishte në kontakt me ambasadorin e Shqipërisë në Paris, shkrimtarin Besnik Mustafaj. Ai mori vesh se Ambasadori bëri një përpjekje me Senatin francez, por e mori prej tij këtë porosi: “Mal, nëse nuk bëhet diçka atje nga Turqia, mos mbaj shpresë se këtej do të vijë ndonjë e mirë. Shpresa mbetet atje ku je” (fq.102). Kështu, kontakti i parë ishte me Enver Talin, e ky kontaktoi një mik në Bashkinë e Stambollit (Burhan beu) që kishte lidhje të mirë me Qeverinë dhe i propozoi M. Berishës që të nisen menjëherë me veturë për në Ankara për një takim “te një njeri shumë i rëndësishëm i politikës turke”. Kështu, më 13 mars 1997, në rrugë nëpër borë me veturë u nisën me Burhan beun për të arritur në mëngjes në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara. Babai i ambasadorit Skënder Shkupi ishte shok klase me Qemal Ataturkun, që gëzonte respekt. Tani me ambasadorin u nisën bashkë me Burhan beun për takimin e premtuar. Takimi ishte me Ibrahim beun, i cili ishte “krahu i djathtë i Tansu Çillerit, ndërsa kjo krahu i djathtë i Sulejman Demirilit”. Sa për T. Çillerin, M.Berisha tregon këtu se ambasadori S. Shkupi i kishte treguar se Çilleri vetë i kishte rrëfyer në një rast se ishte me prejardhje shqiptare nga Shkupi (fq.103).

Takimi i premtuar u mbajt në vilën e Ibrahim beut, në kodrën e vilave të deputetëve të Parlamentit në Çankayan të Ankarasë. Atje në fillim “u përmendën lidhjet historike, vezirët, autori shqiptar i himnit turk Mehmet Akif Ersoy” e tjera, por ishte me rëndësi pajtimi tani se “Shqipëria ishte në një rrezik shpërbërjeje”. Me këtë konkludim Ibrahim beu bëri telefonata gati për dy orë dhe kur u kthye i përcolli mysafirët me fjalët: “Besomëni që ju kam dëgjuar me shumë vëmendje. Do të bëhet më mirë. Pa merak!”

Pasi pyeti ku do të gjenden në orën 2 pasdite, ai iu tha se do t’ju vijë një oficer me një letër që duhet t’i përcillet Tiranës menjëherë (fq.105).

Në hotel “Ankara” në orën 2 pasdite u paraqit një oficer turk dhe e kërkoi me emër M. Berishën dhe ia dha një letër me një përshëndetje ushtarake dhe iku. Kur u hap dhe u lexua letra dukej si mrekullia e vërtetë dhe iu dërgua menjëherë Tiranës: “Vetëm një i tillë mund ta ndalte dorën grabitqare të grekut, që po zgjatej drejt vendit tonë të lodhur dhe të çoroditur”. Ajo thjesht ishte një ultimatum Greqisë në formë kumtese: “Çdo tentative ushtarake ndaj jugut të Shqipërisë do të ketë si rrjedhojë ndërhyrje në lindje të atij vendi në vijën kufitare ndarëse të lumit Maricaj” (fq. 105).

Ultimatumi pati efektin e madh kur u bë publik më 17 mars me anë të T. Çillerit, e sidomos kur u botua me detaje të nesërmen më 18 mars në gazetën “Hurriyet”. Ndaj më të drejtë M. Berisha shprehet: “Situata në Shqipëri menjëherë u lehtësua. Kjo deklaratë e lëshuar në atë kohë kritike zbuloi edhe faktin se Turqia po e ndiqte me vëmendje shumë të madhe situatën në Shqipëri”. Mirëpo, me ndërrimin e qeverisjes në Shqipëri, Mal Berisha u pushua nga puna në fund të 1997-s dhe shkoi në SHBA për të punuar me lobin shqiptar për kauzën e Kosovës gjatë 1998-1999, pra deri në vendimin amerikan për intervenim ushtarak kundër Serbisë millosheviqiane, gjë që meriton një shkrim më vete. Kuptohet, një libër i tillë meriton të promovohet në Prishtinë si shenjë nderimi për autorin dhe kontributin e tij për hir të një Kosove të lirë dhe të pavarur.