Kulturë

Ikona e tragjedive greke

Descriptive Text

Duke luajtur të gjithë ata personazhe nga Greqia e lashtë, Papas kishte një botëkuptim që përfshinte mijëra vjet histori dhe filozofi. “Platoni bëri gabimin e parë”, i tha ajo Roger Ebert të “The Chicago Sun-Times” më 1969, duke u ankuar për një vonesë të panevojshme në revolucionin shkencor

Irene Papas, aktorja greke e cila u shfaq në filmat si: “Z”, “Zorba the Greek” dhe “The Guns of Navarone”, por që u vlerësua më së shumti për portretizimin e heroinave të tragjedisë greke, vdiq të mërkurën. Ajo ishte 96 vjeç. Që prej vitit 2018 ishte bërë e ditur se Papas kishte pesë vjet që jetonte me Alzheimerin.

Për publikun amerikan, Papas ishte e njohur më së shumti për rolet e saj tepër serioze dhe joshëse të viteve ‘60. Në “The Guns of Navarone” (1961) i filmuar pjesërisht në ishullin e Rodosit, ajo luan një luftëtare rezistence të Luftës së Dytë Botërore që guxoi të bënte atë që ekipi aleat sabotator (midis tyre Gregory Peck, David Niven dhe Anthony Quinn) nuk do ta bënte: qëlloi një grua të paarmatosur sepse ishte tradhtare.

Në “Zorba the Greek” (1964), së bashku me Mr. Quinn, ajo luante një të vejë greke që bashkëfshatarët e gjuanin me gurë për shkak të zgjedhjes që kishte bërë në dashuri. Në trillerin politik të Costa Gavras, fitues i çmimit “Oscar”, “Z” (1969) i vendosur në qytetin grek të Selanikut, ajo luajti të venë e Yves Montand, e cila në fund e evokon kuptimin e filmit duke hedhur kah deti një vështrim pikëllues.

Por në po ato vite, Papas ishte duke bërë emër edhe në shfaqjet klasike të filmave grekë, shpesh nën regji të bashkëkombësit të saj Michael Cacoyannis, i cili gjithashtu ishte edhe regjisor i “Zorbas”. Ajo luajti rolin kryesor të “Antigonës” (1961), dramës së Sofokliut e cila rrëfen për një grua që paguan shtrenjtë për shkak të luftës që bën në mënyrë që vëllai i saj të ketë një varrim të ndershëm, dhe në “Elektrën” (1962) në të cilën ajo dhe vëllai i saj e kompletojnë matricidën. Ajo ishte gjithashtu nëna e Elektrës, Klitemnestra në dramën “Ifigjenia” (1977), tregimit për një vajzë që ofrohet si flijim njerëzor.

Për rolin e saj si Helena e Trojës në “The Trojan Women” më 1971, ajo mori çmimin për aktoren më të mirë të “National Board of Review”. Në këtë film ajo luajti përkrah yjeve si: Katharine Hepburn dhe Vanessa Redgrave.

Papas ishte lindur si Eirini Lelekou më 3 shtator 1926, në Chiliomodi të Greqisë, një fshat afër Korintit dhe u rrit në Athinë. Ajo ishte një nga katër vajzat e dy mësimdhënësve dhe hyri në shkollën e dramës në moshën 12-vjeçare. Deri në moshën 18-vjeçare, Papas kishte luajtur role si “Electra” dhe “Lady Macbeth”. Por roli i saj i parë profesional në skenë ishte një shfaqje muzikale e vitit 1984 ku ajo luajti një vajzë të thjeshtë.

Image
Papas me James Darren (në mes) dhe Anthony Quinn në “The Guns of Navarone” (1961) (Foto: Everett Collection)

Debutimin e saj Papas e bëri në po të njëjtin vit, në dramën e Nikos Tsiforos “Hamenoi Angeloi” (“Engjëjt e rënë”) dhe gjatë vitit 1950 ajo u shfaq në 14 filma – disa amerikanë, disa evropianë – përpara rolit të saj të parë në "The Guns of Navarone”.

Zbulimi i talentit të Papas i atribuohej shumë shpesh regjisorit Elia Kazan. Në një udhëtim për në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1954, ajo lexoi për të një skenë të “The country girl” të Clifford Odetes. Në vitin tjetër ajo nënshkroi një kontrate shtatëvjeçare me MGM, ndonëse me ta realizoi vetëm një film: “Tribut to a Bad Man” (1956), së bashku me yllin perëndimor, James Cagney.

Filmat e tjerë në të cilët ka luajtur Papas përfshijnë: “Bouboulina” (1959), në të cilin ajo luan një heroinë revolucionare greke; “The Brotherhood” (1968), si gruaja mafioze ( e Kirk Douglas); “Anne of the Thousand Days” (1969) si Katarina e Aragonit e hedhur përballë Henry VIII të Richard Burton; dhe “Chronicle of a Death Foretold” (1987), bazuar në romanin e Gabriel García Márquez.

Image
Papas me Z. Quinn dhe Alan Bates në “Zorba the Greek” (1964) (Foto: Twentieth Century-Fox)

Tragjeditë greke ishin gjithashtu në qendër të karrierës së saj skenike në New York. Ajo bëri debutimin e saj në Broadway në 1967 në “That Summer - That Fall”, bazuar në “Phèdre”, ku luan bashkëshorten e tij të dytë të dashuruar në djalin e burrit të saj (Jon Voight), por produksioni u mbyll pas vetëm 12 shfaqjeve.

Një vit më pas, ajo u shfaq në “Circle in the Square” ku luajti Klitemnestrën e “Ifigjenisë në Aulide”. Ajo u kthye në “Circle in the Square” si kryepersonazhi i “Medeas” gruaja që vret fëmijët e saj (1973) dhe si Agave, e cila gabimisht vret djalin e saj gjatë një orgjie droge, pije dhe dhune, në “The Bacchae” (1980).

Ajo ishte edhe këngëtare. Papas publikoi dy albume me këngë dhe himne popullore greke, “Odes” (1979) dhe “Rapsodies” (1986), dhe krijoi diçka si një skandal me zëra, që nga disa u krahasua me zërat e turpshëm të albumit “666” të vitit 1971 të rockgrupit “Aphrodite's Child”.

Papas kishte ndjenja të forta politike për vendin e saj dhe i bëri publike. Në vitin 1967, ajo rrezikoi shtetësinë e saj duke bërë thirrje për një ”bojkot kulturor” të Greqisë pasi një junta ushtarake mori kontrollin. “Nazizmi është kthyer në Greqi”, tha ajo, duke i përshkruar liderët e rinj të vendit si “jo më shumë se një bandë shantazhuesish”.

Ndonëse në intervista kishte folur për dëshirën për të hequr dorë nga aktrimi dhe për fakti që ndihej keq që kishte qenë shumë e bindur ndaj regjisorëve, Papas vazhdoi aktrimin deri në të 70-at e saj. Paraqitjet e saj të fundit në ekran përfshijnë “Captain Corelli's Mandolin” (2001), në të cilin ajo luajti Drosoulan, nënën e frikshme të Mandras (Christian Bale) dhe “Um Filme Falado” (“Një pikturë që flet"), meditimin e vitit 2003 të Manoel de Oliveira mbi qytetërimin, në të cilin ajo portretizoi një aktore të privilegjuar që lundronte në Mesdhe.

Në vitin 1947, ajo u martua me regjisorin dhe aktorin Alkis Papasvitin ndërsa u divorcuan katër vjet më vonë. Në vitin 1957 u anulua martesa e saj me producentin Jose Kohn. Më pas ajo nuk u martua kurrë.

Zëdhënësi i Ministrisë greke të Kulturës tha së për të ishin kujdesur nipërit.

Duke luajtur të gjithë ata personazhe nga Greqia e lashtë, Papas kishte një botëkuptim që përfshinte mijëra vjet histori dhe filozofi. “Platoni bëri gabimin e parë”, i tha ajo Roger Ebert të “The Chicago Sun-Times” më 1969, duke u ankuar për një vonesë të panevojshme në revolucionin shkencor. “Ai filloi të fliste për shpirtin dhe moralin dhe i pengoi epikurianët të kërkonin natyrën e njeriut”.

Marrë nga: “The New York Time”. Përktheu: Mirjetë Sadiku