Kulturë

Irene Papas – hyjnesha me rrënjë shqiptare e mbretërisë së filmit

Descriptive Text

Si yll botëror, ikonë e filmit, hyjneshë e artit, është portretizuar në ditëvdekjen e saj Irene Papas. Për shqiptarët ajo është aktore me prejardhje shqiptare. Një gjë të tillë e kishte thënë tërthorazi edhe gjatë kohës kur bashkë me të madhin Bekim Fehmiu përjetësuan Uliksin e Penelopën te seria “Odiseu”. “’Di të flasësh shqip? – e pyes. ‘Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena’”, shkruan Bekim Fehmiu në “Shkëlqim dhe tmerr”. “Bota ka mbetur pa Penelopen (Eirinë) që priste Odisenë (Bekimin), pa gruan që në vete bartte gjithë tragjiken dhe bukurinë e Ilirikut e Heladës, pa vajzën nga Korinti me prejardhje shqiptare... Pa mbretëreshën e kinematografisë greke dhe asaj botërore, pa zonjën e madhe Irene Papas”, ka thënë regjisori Agim Sopi

Shkëlqimi i saj në sheshxhirime kapi majat sidomos në vitet ’60 dhe ’70. Qe vlerësuar e konsideruar si yll i kinematografisë botërore. Këtë nivel ia jepnin rolet e saj bashkë me çmimet që kishte. Në këto anë, sidomos në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe në Kosovë, famën më të madhe do ta merrte në fund të viteve ’60, kur aktori nga Kosova, Bekim Fehmiu, bashkë me Papas ishin personazhet kryesore të serisë televizive “Odiseu”. Irene Papas vdiq të mërkurën. Ajo ishte 96-vjeçare. Mediat prestigjioze në botë gjatë gjithë ditës e kanë portretizuar atë si një prej yjeve më të ndritshme të kinematografisë në mbarë globin.

Lajmi për vdekjes e aktores që tash e pesë vjet po vuante nga një sëmundje jo e lehtë është dhënë nga Ministria e Kulturës në Greqi. Për shqiptarët ajo është aktore me prejardhje shqiptare. Një gjë të tillë e kishte thënë paksa tërthorazi edhe gjatë kohës kur bashkë me Bekim Fehmiun ishin sheshxhirimeve.

Depërtimi në majat e kinematografisë

Papas ishte bërë tejet e njohur sidomos kur kishte nisur që të përfshihej në projekte kinematografike amerikane. Më 1961 në filmin “The Guns of Navarone” do të paraqitej si një luftëtare e Luftës së Dytë Botërore. Hov të madh do të merrte më pas në filmin “Zorba the Greek” të vitit 1964. Kurse në filmin e Costa Gavras që fitoi edhe “Oscar”, “Z” më 1969 ajo do të kishte rolin e vejushës.

Në të njëjtën dekadë do të bënte emër edhe në filmat që shpërfaqnin histori antike greke. Do të kishte role kryesore në filmat si “Antigone” (1961) dhe “Elektra” (1962). Sa u përket këtyre filmave do të merrte pjesë edhe te “Ifigjenia” (1977).

Më 1971 do të pranonte edhe Çmimin e parë të Bordit Nacional të Kritikëve për rolin e Helenes së Trojës në filmin “The Trojan Women”. Në këtë projekt shkëlqeu së bashku me Katharine Hepburn dhe Vanessa Redgrave, aktorja e shquar britanike, mike e madhe e shqiptarëve në Kosovë.

E lindur si Eirini Leleku më 3 shtator të vitit 1926 në Chiliomodi të Greqisë, një fshat i vogël afër Corintit, Irene do të rritej në Athinë. Qe një nga katër vajzat e familjes. Të dy prindërit e tyre ishin mësimdhënës. Qysh prej moshës 12-vjeçare do të niste edukimin në një shkollë drame. Me t’u bërë 18-vjeçare do të lunte në teatër Elektran dhe zonjën Macbeth.

“Jam me origjinë shqiptare – më tha Irena”

Kur Irene Papas veç kishe namin e një ylli botëror, një tjetër aktor nga Gadishulli Ballkanik kishte nisur të ngjitej në karrierë. Bekim Fehmiu nga Kosova kishte shkuar për studime në Beograd. Pas pranimit në Teatrin Jugosllav të Dramës, roli kryesor te “Mbledhësi i puplave” kishte bërë që ai të shkonte edhe në Festivalin e Cannes. Më pas ishte angazhuar edhe në serinë televizive të RAI-it, “Odiseu”. Te autobiografia e tij, saktësisht te vëllimi i dytë i “Shkëlqim dhe tmerr”, Fehmiu rrëfen se si i kishte lënë të habitur kolegët e tij jugosllavë. Produksioni italian do t’i kërkonte që të zhvillonin një takim paraprak. Për këtë i kishin dërguar një avion të veçantë që brenda ditës e kishte marrë e kthyer në Aeroportin e Beogradit. Tingëllonte e pabesueshme kur ai në mbrëmje këtë ndodhi ua kishte rrëfyer kolegëve të tij në Teatrin Jugosllav të Dramës. Pikërisht seria ku Fehmiu portretizonte Uliksin e Irene Papas, Penelopen do të bëhej shkas që këta dy të njiheshin. Sipas asaj që ka shkruar Fehmiu, në një rast ai do të fillonte të këndonte një këngë. Të njëjtën në greqisht do t’ia niste ta këndonte edhe Papas.

“Kjo është këngë dashurie shqiptare”, do t’i thoshte aktori. Por përgjigjja që do të merrte nga Papas ishte befasuese.

“Jo, kjo është këngë greke nga Janina. Atje jetojnë arvanitasit, shqiptarët, apo?”, citon Fehmiu t’i ketë thënë Papas. Në atë rast do t’ia tregonte pasaportën ku emri i saj ishte Irini Leleku.

“Di të flasësh shqip? – e pyes”.

“Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena”.

Kjo pjesë e dialogut u bë shkas që edhe në këto anë të vinte lajmi se Papas kishte prejardhje shqiptare. Dyshja do të shkëlqenin në serinë që kishte bërë bujë dhe i kishte hapur rrugë të mëdha Fehmiut. Në autobiografinë e tij ai ndan shumë kujtime me Papasin. Tregon se si jashtë protokollit e kishte prezantuar atë me mareshalin e Jugosllavisë, Josip Broz Titon. Më pas se si i ishte hidhëruar disa herë gjatë bashkëpunimit. Por në vazhdimësi e portretizon si një alamet aktoreje dhe gruaje.

Ikona e filmave që shkruan historinë

Image

Bekim Fehmiu dhe Irene Papas në “Odisses” (1968)


Papas adhurohej shumë edhe në këto anë. Regjisori i filmit dhe teatrit Agim Sopi ka thënë se bota e artit ka mbetur “pa ikonën e kinematografisë se Mediteranit, pa aktoren e dimensioneve të thella e shpirtit të madh, pa zërin e heroinave e mbretëreshave të antikitetit, pa protagonisten e filmave që shkruan historinë”. Në këtë rast ka përmendur filmat më ikonikë ku ka luajtur Papas.

“Bota ka mbetur pa Penelopen (Eirinë) që priste Odisenë (Bekimin), pa gruan që në vete bartte gjithë tragjiken dhe bukurinë e Ilirikut e Heladës, pa vajzën nga Korinti me prejardhje shqiptare... Pa mbretëreshën e kinematografisë greke dhe asaj botërore, pa zonjën e madhe Irene Papas, te cilën e kam njohur përmes mikut tim Bekim Fehmiut, aktorit më të madh të Balllanit të të gjitha kohërave, aktorit me të cilin kam kaluar më shumë se 30 vera dhe pothuajse vazhdimisht..”, ka thënë Sopi. Ka kujtuar se gjatë qëndrimeve me Fehmiun, pjesë e bisedave të tyre ka qenë edhe Irene Papas, të cilën, sipas Sopit, Fehmiu e ka pasur si përfytyrim për çdo fenomen të botës së artit dhe kinematografisë.

“Irene për Bekimin ka qene muza vetë, fenomen frymëzimi, njeri që të rrëmben dhe të robëron me magjinë e artit dhe energjinë e dashurisë. Kjo ishte heroina Papa alias Papas, e cila me Bekimin fliste shqip. Besoj se ata, tani sërish do të takohen në Parajsë dhe nga andej do të na dërgojnë gjithë dashurinë e përjetësisë në ëndrrat tona”, ka thënë Sopi.

Kritiku i filmit e ish-drejtori i “KosovaFilmit”, Gani Mehmetaj, kujton ta ketë parë atë qysh në rolën e viteve ‘60. Ka rrëfyer se sidomos pas rolit me Bekim Fehmiun ishte shndërruar në një yll për shqiptarët e Kosovës.

“Ka qenë e shkëlqyeshme. Ishin role të veçanta. Asokohe më ka pëlqyer shumë. Sidomos të ‘Odiesu’ ka qenë një psikologji e veçantë. Si role ose si çifte kanë shkuar me Bekimin. Të dy kanë pasur tipare të Mesdheut dhe kanë shkuar shumë mirë. Më vonë kam lexuar shumë për të”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, dallohej si një aktore e madhe.

“Më pas kur mësuam që kishte prejardhje shqiptare kishim simpati të dyfishtë”, ka thënë Mehmetaj.

Artisja e pikëpamjeve të thella

Image

Papas në “Iphigenia” (1977)


Se Papas do të bëhej aktore e rangut botëror, indikacionet i kishte dhënë herët, qysh në vitet ‘50. Sipas shënimeve për karrierën e saj, debutimin në film e kishte me “Hamenoi Angeloi” të Nikos Tsiforos dhe më pas edhe në 14 filma të tjerë gjatë asaj dekade. “The Guns of Navarone” ia kishte hapur dyert e botës së kinematografisë.

Është regjisori Elia Kazan i cili besohet se e kishte zbuluar kapacitetin e Papasit. Kjo kishte ndodhur gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1954, kur Papas para regjisorit kishte bërë leximin skenik të një të filmit “The Country Girl”. Një vit më pas asaj i ishte ofruar kontratë 7-vjeçare nga “MGM”. Më 1956, bazuar në këtë kontratë ishte realizuar filmi “Tribute to a Bad Man” ku ishte përfshirë Papas e rolin kryesor e kishte James Cagney.

Më pas do të luante në “Bouboulina” (1959), “The Brotherhood” (1968), “Anne of the Thousand Days” (1969) e “Chronicle of a Death Foretold” (1987). Ky i fundit ishte film i bazuar në romanin e Gabriel García Márquez, “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar”.

Tragjeditë greke ishin gjithashtu në qendër të karrierës së saj skenike në New York. Ajo bëri debutimin e saj në “Broadway” më 1967 në “That Summer - That Fall”. Por ky produksion nuk u shfaq më pas 12 shfaqjeve. Një vit më pas ajo ishte Klitemnestra te “Iphigenia in Aulis”.

Vazhdoi me karrierën e saj në teatër, por edhe ishte marrë me këngë. Realizoi dy albume me këngë dhe himne popullore greke, “Odes” (1979) dhe “Rapsodies” (1986).

Njihej si njeri që reagonte goxha ashpër sa u përket fenomeneve të ndryshme. Në vitin 1967 kishte shkuar aq larg, sa do të rrezikonte shtetësinë greke. Kishte bërë hiç më pak se thirrje për “bojkot kulturor” të Greqisë pasi grusht shteti ushtarak mori kontrollin e vendit. Në versionin e saj “nazizmi ishte kthyer në Greqi”. Pushtetin e ri e kishte përshkruar si “një bandë shantazhuesish”.

Aktrimin do ta vazhdonte edhe pas kohës së artë, pavarësisht se shpesh kishte dyshime e edhe zënka me regjisorët. Paraqitjet e saj të fundit në ekran përfshijnë “Captain Corelli's Mandolin" (2001) dhe “Um Filme Falado” (2003)

Ajo u martua me Alkis Papas, regjisor dhe aktor, në vitin 1947 dhe u divorcuan katër vjet më vonë. Një martesë e shkurtër e vitit 1957 me José Kohn bënte pjesë po ashtu në jetën e saj. Më pas hoqi dorë nga vënia kurorë më ndokënd.

Nga kolegët e saj përshkruhej si një njeri i formuar me pikëpamje të thella sa i përket filozofisë, artit e politikës. Vetë rolet që kishte luajtur e kishin bërë atë që të ishte njohëse e mirë e historisë dhe e filozofisë. Sipas autoriteteve greke, ajo ka lënë pas nipërit dhe mbesat në Greqi. Por botës ia ka lënë rolet që janë pjesë e boshtit të kinematografisë së shekullit të kaluar.