Kulturë

Shqipëria synon “Oscar” me “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është filmi me të cilin Shqipëria do ta kandidojë për nominim për çmimin “Oscar” në kategorinë ndërkombëtare. Lajmin e ka bërë të ditur të premten Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në garë për t’u bërë kandidat zyrtar i Shqipërisë për çmimin e madh në ceremoninë e vitit që vjen, pos “Një filxhan...” me skenar dhe regji të Gentian Koçit, kanë qenë edhe “Nji prej nesh”, nën regji të Ergys Metës dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, nën regji të Fatmir Koçit. Kryetari i QKK-së, Eduart Makri, regjisori Vladimir Prifti, producenti Genc Përmeti, skenaristet Diana Çuli e Mirela Oktrova dhe aktori Alert Çeloalijaj, kanë qenë anëtarët e komisionit përzgjedhës. Edicioni i 95-të i “Academy Awards” mbahet më 12 mars të vitit që vjen.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është një bashkëprodhim midis Shqipërisë, Portugalisë, Greqisë dhe Kosovës. Premiera e tij pritet të jepet në nëntor. Është filmi i dytë i metrazhit nga Gentian Koçi. Cilësohet si dramë ekzistencialiste, bazuar në ngjarje të vërtetë.

“Në Tiranën e sotme, Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër, binjakë identikë dhe shurdhmemecë, në të tridhjetat e tyre, jetojnë nën të njëjtën çati. Ana, e dashura e Gëzimit, një vajzë rreth të tridhjetave, tejet e hareshme, i viziton ata shumë shpesh. Një mbrëmje Agimi në timon po kthehet në shtëpi bashkë me Gëzimin, kur papritur shikimi i tij turbullohet. Për pak sa nuk ndodhi një aksident fatal. Tek okulisti, disa ditë më vonë, dy vëllezërit zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje të rrallë gjenetike ata do të verbohen me shpejtësi të ndryshme, por në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme”, shkruhet në sinopsis. Po aty, zbërthehet se të zhytur ngadalë drejt një errësire të heshtur e të padurueshme, “në pamundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe botën, me Anën të vetme përkrah tyre, dy vëllezërit duhet të marrin së bashku një vendim të fortë rreth një filxhani kafeje, me këpucë të reja veshur”.

“Jam shumë i gëzuar që filmi im i ri, ‘Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur’ është zgjedhur si kandidat zyrtar për ‘Academy Awards 2023’. Shumë faleminderit Qendrës Kombëtare Kinematogafike dhe anëtarëve të Komisionit përzgjedhës”, ka shkruar regjisori Koçi, njëherësh skenarist dhe producent filmash. Filmat e tij të shkurtër dhe dokumentarët janë përzgjedhur dhe vlerësuar në shumë festivale. U njoh ndërkombëtarisht me dokumentarin e tij “S’është lavazh”, i cili pati premierën botërore në përzgjedhjen zyrtare të “Hot Docs International Documentary Film Festival” dhe u nominua për Çmimin Special të Jurisë në “Sheffield Doc/Fest”, më 2012.

Në vitin 2017, përfundoi filmin e tij të parë me metrazh të gjatë “Dita zë fill”, si skenarist, regjisor dhe producent. Ky film u dha premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, në garën kryesore, ku aktorja protagoniste e filmit u nderua me çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit. Që nga premiera botërore qe përzgjedhur në më shumë se 50 festivale të rëndësishme filmi në të gjithë botën, duke u shpërblyer me shumë çmime, si dhe duke marrë vlerësime shumë pozitive nga revistat më të specializuara të kinemasë.