Edicioni i 79-të i Festivalit të Filmit në Venecia ka nisur të mërkurën në mbrëmje me një ceremoni hapëse emocionale të festivalit më të vjetër, të lansuar më 1932, shkroi “Deadline”.
Ngjarja në Palazzo del Cinema përfshiu Catherine Deneuve, e cila mori çmimin Luani i Artë për Arritjen në Jetë, e ndjekur nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që dha një mesazh nëpërmjet një videoje, ashtu siç bëri në fillim të këtij viti në Festivalin e Filmit në Cannes.
Zelensky në këtë videomesazh foli për pushtimin rus të vendit që e drejton, duke e quajtur “tmerr që nuk zgjat 120 minuta, por 189 ditë lufte në Ukrainë”.
Duke folur para audiencës, Zelensky tha se më e pakta që figurat kulturore, duke përfshirë regjisorë, producentë, aktorë, mund të bëjnë është që të mos heshtin.
Më pas u prezantua juria e festivalit, e kryesuar nga Julianne Moore.
Deneuve, pasi pranoi çmimin në një adresim për media e ka quajtur këtë moment kulmor të karrierës së saj.