Në Fakultetin e Filologjisë ka vazhduar seria e ligjëratave që po mbahen në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Siç edhe ishte paralajmëruar, në kuadër të këtij Seminari ligjërata do të mbahen edhe nga albanologët e huaj. Nisur nga kjo, në ditën e tretë me radhë të Seminarit, albanologia nga Polonia, Irena Sawicka, ka mbajtur një ligjëratë me temën “Rrokja në gjuhën shqipe”.
Për më shumë se gjysmë ore Sawicka ka folur për rrokjen në gjuhën shqipe, për ndryshimet e saj, për rrokjet me një kulm dhe ato me dy kulme, si dhe për lëvizjen e tyre, karakteristika rrokjesore të trevave të ndryshme shqiptare, përshirë edhe pjesën e Italisë Jugore, përkatësisht arbëreshët e Italisë.
Si fillim ligjërimin e saj Sawicka e nisi duke e shpjeguar se çka është rrokja me dy kulme, meqenëse edhe studimi i saj fokusohej në këtë çështje.
“Një rrokje me dy kulme është ajo në të cilën ka grupe nistore të tipit sonant jo silabik plus obstruhent dhe grupet hundore obstruhent plus sonant jo silabik dhe natyrisht grupet me sonant josilabik midis dy obstruhentëve në çdo kontekst”, ka shpjeguar ajo.
Studimin e saj albanologia nga Polonia e ka vazhduar duke treguar se si vjen te formimi i këtyre rrokjeve me dy kulme.
“Nëse si rezultat i zhvillimit fonetik një strukturë me një kulm prishet, shfaqen majat shtesë të reja, por jo silabik, do të thotë formohen rrokje me dy kulme. Pas disa kohësh shfaqen fenomene që synojnë rindërtimin e modelit me një majë, prandaj fenomenet e ngjashme shfaqen në mënyrë ciklike në shumë gjuhë të botës, midis tyre janë sidomos rënia e bashkëtingëlloreve hundore, kështu formohet një rrokje e hapur, reduktimi i zanoreve të shkurtra, të patheksuara e të tjera”, ka thënë Sawicka.
Për ta argumentuar më mirë atë që ka shpjeguar, ajo solli para publikut të pranishëm në sallë edhe disa shembuj të këtij ndryshimi të rrokjes.
“Për shembull, në fjalën ‘teatrum’ të huazuar nga greqishtja përmes latinishtes bashkëtingëllorja hundore u zhduk, pastaj me disa pozicione zanoret e shkurtra të patheksuara u reduktuan dhe në disa pozicione u zhdukën plotësisht”, ka argumentuar ajo.
Irena Sawicka i kishte kushtuar shumë rëndësi problemit të rrokjeve në gjuhën shqipe vërehej edhe te studimi i saj, i cili sa vinte e zgjerohej edhe më tej. Lidhur me ndryshimet që pësoi fjala “teatrum” e marrë nga latinishtja, ajo solli edhe disa detaje më të hollësishme dhe njëherësh shumë të vlefshme për studiuesit e shqipes.
“Rrokja e dytë ka dy kulme te, a, t, r, dy kulme. Pastaj sonanti hundor dy rrokje me një kulm u bë silabik dhe me kalimin e kohës u krijua një zanore joetimologjike e tipit ‘schwa’. Pra, kemi teatrum, teatr, teatr, teater, teater”, ka thënë ajo, duke ofruar para studiuesve edhe shembullin e ndryshimit të rrokjeve te fjala motër.
“Në mënyrë të ngjashme kemi kallëzoren njëjës nga motra, në tekstet e vjetra ishte shkruar motërne dhe forma e sotme është motrën. Siç shihet, zanorja nuk është në vendin e njëjta si përpara, prandaj rikonstruktojmë grupin e zanoreve të reduktuara dhe pastaj kthimin dhe formimin e zanores së re”, ka thënë ajo.
Sipas Sawickas, shqipja së bashku me dialektet e saj paraqet etapat e ndryshme të zhvillimit të saj, ndërsa falë regjistrimit të dialekteve, studiuesit e kanë më të lehtë që në periudha të ndryshme ta ndjekin edhe zhvillimin e strukturës së rrokjes në gjuhën shqipe.
Sawicka, e cila është edhe anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, foli edhe për humbjen e zanoreve të shkurtra të patheksuara që, sipas saj, është njëri ndër fenomenet më të zakonshme në shumicën e gjuhëve.
“Fenomeni më i zakonshëm që prish linjën e sonoritetit të rrokjes është humbja e zanoreve të shkurtra të patheksuara. Këtë fakt e njohim edhe nga historia e gjuhës shqipe dhe historia e shumë gjuhëve. Si rezultat i reduktimit të zanoreve formohem rrokjet me dy kulme. Rrokjet e tilla njihen jo vetëm nga tekstet e vjetra të gjuhës shqipe, por edhe nga disa dialekte bashkëkohore”, shpjegoi ajo.
Nisur nga studimi i saj Sawicka ka ardhur në përfundim se fenomeni i eliminimit të rrokjeve me dy kulme vërehet veçanërisht tek arbëreshët e Italisë.
“Dialektet shqipe të cilat përfaqësojnë larminë më të madhe të strukturës së rrokjes dhe veçanërisht të dialekteve jugore shqipe në Itali, ku gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit ka pasur ndryshime të rëndësishme që synojnë eliminimin e rrokjeve me dy kulme”, shpjegoi Sawicka.
Lidhur me këtë ligjërim akademik Rexhep Ismajli tha se një studim tillë i rrokjeve përbën një vështrim të ri, të veçantë nga studimet e deritanishme për rrokjen.
“Kam pasur nderin ta dëgjoja edhe më herët profesoreshën Sawicka dhe ekspertizën e saj të jashtëzakonshme sa i përket akustikës përgjithësisht të strukturës së rrokjes në gjuhën shqipe dhe për sa i përket albanologjisë studimet e saj ofrojnë një vështrim të ri, të ndryshëm nga të tjerët”, tha akademik Ismajli.
Irena Sawicka ka diplomuar në Universitetin e Varshavës në Filologjinë Sllave. Pas kësaj ajo ka punuar në Institutin e Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave Polake deri më 1992, kur u punësua në Departamentin e Studimeve Krahasuese Sllave në Universitetin “Nikolla Kopërnik” në Toruń.
Për shumë vjet ishte drejtoreshë e Institutit të Filologjisë Sllave, ndërsa më 2014 doli në pension. Arritjet e saj akademike përfshijnë edhe vepra për gramatikën dhe lakimin e gjuhës shqipe si: “Paradigmat e lakimit të shqipes”, “Albanistika Polake” (redaktore dhe bashkautore), “Skicë e gramatikës së gjuhës shqipe” (me Jolanta Mindak). Përveç këtyre, kontributi i Sawickas lidhet po ashtu edhe me mbajtjen gjallë dhe promovimin e albanologjisë në Poloni.
-
19 gusht 2022 14:00
-
Shpërndaje në: