Kulturë

Veprat e Rushdies si luftë për sulmet ndaj fjalës së lirë

Aktet e terrorit, krimet e urrejtjes si sulmi ndaj autorit britaniko-indian, Salman Rushdie, synojnë të frikësojnë njerëzit dhe t’i heshtin kritikat. Ata përpiqen t’i tregojnë botës se ata që shprehen lirisht mund edhe të vriten dhe të censurojnë autorët dhe figurat kulturore për të shmangur dëmtimet e mundshme.

Në muajin maj, me rastin e Javës së Lirisë së Shprehjes, Rushdie kishte thënë: “Liria e shprehjes është ajo liri e nga e cila varen të gjitha liritë e tjera”.

Për fat të mirë, sfida merret përsipër pas tronditjes fillestare dhe hutimit në krime të tilla. Kështu ndodhi pas sulmit në redaksinë e gazetës satirike franceze “Charlie Hedbo” në vitin 2015.

Kritikët nuk mundën ta fshinin botimin e librit kontrovers “Vargjet satanike” duke u përpjekur ta vrisnin autorin e tij – një fakt që nxjerr në pah çmendurinë e krimit. Së pari ishte botuar në vitin 1988.

Përkundrazi, goditja me thikë tërhoqi vëmendje të re për librin më shumë se tri dekada pas botimit të tij. Pas atentatit, “Vargjet satanike” kishte kryesuar renditjen e shitjeve në blerjet online në “Amazon”.

“Mënyra më e mirë për të luftuar është të lexosh Rushdie dhe të ekspozosh shkrimtarin që qëndron pas figurës politike”, ka thënë Cornelia Zetzsche, nënkryetare e PEN Qendrës në Gjermani.

Vepra flet për dy aktorë indianë që i mbijetojnë një aksidenti avioni. Njëri bëhet kryeengjëll, tjetri i ngjan djallit. Titulli i romanit u referohet dy vargjeve që supozohet se i pëshpëritën profetit Muhamed nga Satani. Aludimet e Rushdies janë të vështira për t'u kuptuar pa njohuri të historisë së librit të shenjtë - Kuranit.

Në shkurt të vitit 1989, gjashtë muaj pas botimit të librit, udhëheqësi revolucionar iranian Ayatollah Khomeini lëshoi ​​një fetva, duke u bërë thirrje të gjithë myslimanëve ta vrisnin shkrimtarin britaniko-indian për blasfemi të supozuar.

Për kokën e Rushdies ishte vendosur një shpërblim, i cili ndër vite ishte rritur në katër milionë dollarë përmes parave të donacioneve të lidhura me shtetin, donatorëve privatë dhe mediave shtetërore.

Përkthyesit e librave kanë qenë të shënjestruar edhe në të kaluarën. Përkthyesi japonez dhe studiuesi islamik Hitoshi Igarashi ishte vrarë në vitin 1991. Autori i krimit është i panjohur. Personi që kishte përkthyer versionin në gjermanisht mbetet i arrestuar. Rushdie kishte jetuar për vite të tëra nën mbrojtje personale në vende të panjohura.

“Thirrja për vrasjen e tij ia ndau jetën në një ‘para dhe pas’ , siç ndoshta do të bënte atentati. Askush nuk e kishte pritur që Rushdie të bëhej viktimë e një akti të tillë pas kaq shumë vjetësh. Ai ka jetuar relativisht i lirë dhe i hapur për 20 vjet. Është e vështirë të imagjinohet se ai do të jetë në gjendje të kthehet përsëri në atë hapje”, ka thënë Cornelia Zetzche.

Zafar, djali i Rushdies, i ka përshkruar plagët e babait të tij si “ndryshues të jetës” disa ditë më parë, përmes rrjetit “Twitter”. “Ndjenja e tij e zakonshme e ashpër dhe sfiduese e humorit, që ka qenë e zakonshme, mbetet e paprekur”.

Zetzche e ka njohur Rushdien për më shumë se 30 vjet. “Salman Rushdie është një nga shkrimtarët më të fuqishëm në aspektin gjuhësor. E vlerësoj pa masë mospërfilljen, humorin dhe vetë përçmimin e tij”, ka thënë ajo.

Edhe gazetari dhe autori Gunter Wallwaff e ka njohur Rushdien me dekada të tëra. E kishte pritur shkrimtarin në shtëpinë e tij në Cologne në vitin 1993. Për herë të fundit e kishte takuar atë në Danimarkë disa vjet më parë.

“Ai gjithmonë dukej se nuk është i shqetësuar, rreth tij ishin marrë masa për ta mbrojtur mirë”, ka thënë Wallraff.

Për disa vjet Rushdie ka jetuar në New York, ku kryesisht lëvizte lirshëm dhe ndihej i sigurt me pranimin e tij.

Wallraff nuk priste që dikush të provonte ta vriste Rushdien pas kaq shumë vjetësh. “Që vrasësi deklaron se nuk është fajtor është diçka e njohur”, ka thënë Wallraff. Derisa dikush zbaton atë që ai mendon se është vullneti i Zotit, autori mendon se ka të drejtë. Në reagimet mbarëbotërore ndaj sulmit, Wallraff pranon “se ekziston një kundër publik i gjerë demokratik që ngrihet në mbrojtje të lirisë dhe forcohet më tepër nga ky akt”.

Mesazhet e solidaritetit nuk duhen nënvlerësuar gjithsesi, beson Cornelia Zetzsche: “Ajo që u ndihmon psikologjikisht autorëve të përndjekur është njohuria se ata nuk harrohen”.

PEN Qendra në Gjermani sapo ka njoftuar se do ta bëjë anëtar nderi Rushdien dhe Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve po planifikon lexime digjitale dhe mbarëbotërore të “Vargjeve satanike”, siç bëri në vitin 1989, pasi përndjekja hyri në fuqi.

“Çmimi “Nobel” për letërsinë për Rushdien është i vonuar. Në fakt, Rushdie duhet ta kishte marrë atë kur Khomeini urdhëroi vdekjen e tij, por shumë institucione, përfshirë Akademinë Suedeze, hezituan për arsye të konsideratave politike dhe interesave ekonomike në lidhje me Iranin”, ka thënë Gunter Wallraff.

“Tani është koha për të dërguar një mesazh bashkë me çmimin”, thekson Wallraff.