Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili ka bërë bashkë profesorë dhe studentë të huaj e vendorë, ka vazhduar me ligjëratat e parapara. Në ditën e dytë, në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, profesori universitar i gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi, ka mbajtur ligjëratë me temën: “Kompozimi si mënyrë e fjalëformimit në qasje kroslinguistike”.
Në këtë ligjëratë të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë rreth kompozitave, mënyrës së formimit të tyre, ngjashmëritë apo dallimet midis kompozitave të gjuhës shqipe me ato të gjuhëve angleze, gjermane, italiane apo edhe sllave.
Si fillim profesori i Degës së Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, Paçarizi, e nisi ligjërimin duke treguar para pjesëmarrësve se çka është kompozita në rend të parë dhe si mund të definohet kompozimi në gjuhën shqipe.
“Krahas ndajshtesimit, kompozimi është mënyra më e përhapur e fjalëformimit në gjuhën shqipe. Kur e themi këtë megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kompozimi nuk është një mënyrë e fjalëformimit që është e mbyllur. Nuk mund të themi që ka një korpus të kompozimit përderisa mund të bëjmë një korpus të ndajshtesimit duke i pasur parasysh parashtesat, prapashtesat, parashteso- prapashtesat, messhtesat e të tjera”, ka nisur ligjëratën Paçarizi.
Por, sipas tij, ndërtimi i kompozitave mund të bëhet edhe aty për aty dhe këtë e dëshmon fakti që ai, edhe kur është i ri, arrin të jetë i kuptueshëm.
“Te kompozimi nuk mund të bëjmë një korpus, sepse kompozimi është i hapur. Ne mund të ndërtojmë kompozita aty për aty gjatë të folurit dhe kjo nuk i pengon marrësit të gjuhës që ta kuptojmë një kompozitë, sado e komplikuar që të jetë ajo”, ka thënë ai.
Më pas ai shpjegoi edhe se si kompozitat janë po ashtu mënyra më e lehtë me anë të së cilës folësi mund të formulojë fjalë të reja, të padëgjuara më parë.
“Kompozimi është formimi i fjalëve të reja me dy e më shumë tema që janë morfema të lira. Kompozimi është mënyra më e mundshme dhe më e lehtë që folësi ka në dispozicion për të formuar fjalë të reja, kjo është lehtësi, sipas disa autorëve Bauer, Liber, Valera etj. Thonë se kjo lehtësi del nga natyra gati automatike e formimit të kompozitave që e lejon folësin të mos përfillë setet paradigmatike që duhen respektuar, si për shembull ndajshtesimi”, vazhdoi ai shpjegimin.
Tërë këtë çështje gramatikore Paçarizi e pasuroi duke dhënë shembuj dhe duke e argumentuar atë për të cilën po fliste.
“Në gramatikat e shqipes dhe fjalëformimin e shqipes si kompozita pranohen fjalët si: hekurudhë, udhëkryq, mirësjellje, fatbardhë, autolarje, bojëgjake. Bojëgjake këtu e merr treguesin e kokës, fjala gjake. Modifikuesi, përcaktuesi, e merr treguesin e të gjithë kompozitës ndonëse i ngjitet modifikuesit”, ka shpjeguar profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Por, profesori i gjuhës shqipe dha shembuj edhe të mënyrave të ndryshme të fjalëformimit të kompozitave duke treguar se si në disa prej tyre koka e saj nuk e respekton gjithmonë rregullën e krahut të djathtë, por ajo lëviz herë majtas, herë djathtas.
“Te rasti udhë e hekurt bien disa elementet si e-ja, t-ja plus ‘udhë’ që është koka dhe ndërtohet kompozita, hekurudhë. Te rasti ‘hekurudhë’ dhe të ‘mirësjellje’, topika është e njëjtë si te togfjalëshi, si te kompozita që del nga ai togfjalësh. Por, nuk ndodh gjithmonë kështu. Nuk ndodh të ruhet topika e togfjalëshit si te rasti për shembull ‘udhëkryqe’ ose udhë e kryqëzuar, nga cilado që të ketë ardhur bëhet udhëkryq dhe elementi kyç pastaj që nuk është koka, por është në anën e djathtë, i merr elementet infleksionale, i merr treguesit e bashkëngjitur, treguesit e kompozitës si të tërë”, argumentonte ai.
Por, kur jemi te përkufizimi i kompozitës kjo, sipas Paçarizit, është një gjë e vështirë edhe për linguistët e njohur, sepse një kompozitë nuk do të thotë se patjetër shpreh një bashkim.
“Linguistët shpesh hezitojnë të thonë se kompozita është bashkim fjalësh në një fjalë të vetme. Ka këtu një përkufizim kontradiktor. Nuk bëhet fjalë me patjetër për një bashkim. Nuk është e sigurt nëse bashkohen fjalët, temat apo stemat”, ka thënë Paçarizi.
Shembujt e mënyrave të fjalëformimit të kompozitave dhe modelet strukturore studiuesi Rrahman Paçarizi i ka argumentuar edhe duke bërë një krahasim midis kompozitave të shqipes dhe atyre të gjuhëve të tjera, si dhe duke ofruar edhe ndikimet që kompozimet e gjuhës shqipe kanë pasur nga ato të anglishtes, gjermanishtes apo italishtes.
“Për shembull kompozitat që kanë hyrë në shqip janë: Wolkenkratzer (gjermanisht) dhe Skyscraper (anglisht), të cilat kanë prodhuar në shqip ‘qiellgërvishtëse’, por jo edhe ‘gërvishtqiell’. Pse po e them këtë, sepse ne kemi edhe ‘rrokaqiell’. Por, këtë rrokaqiell e kemi marrë nga modeli i italishtes, ‘grattacielo’”, ka thënë ai, duke e vazhduar edhe më tutje shpjegimin se “po ashtu e kemi edhe rastin e ‘sandpaper’ në anglisht apo ‘sandpapier’ në gjermanisht, ndërsa në shqip ‘letërgrithëse’”.
“Por, përderisa kur themi qiellgërvishtëse është një diçka që gërvisht qiellin, kur themi letërgrithëse nuk është diçka që grith letrën, por është ajo që grith diçka tjetër. Do të thotë modelet strukturore janë krejtësisht të ndryshme, të cilat prodhojnë edhe situata të tjera semantike”, ka thënë Paçarizi.
Pas përfundimit të ligjëratës, lidhur me mënyrën e shpjegimit dhe argumentimit të këtij problemi, si dhe ndërlidhjen e saj me gjuhën gjermane, Paçarizi u lavdërua nga profesoresha e Departamentit të Gjuhës Gjermane, Vjosa Sadriu-Hamiti. Përveç kësaj, Sadriu-Hamiti pohoi ndikimin që formimi i kompozitave të gjuhës shqipe ka nga ajo e gjermanishtes.
“Për mua qasja kroslinguistike mendoj se ishte shumë interesante dhe studentët e mi, të Departamentit të Gjermanistikës, për shkak të ndikimit të gjuhës gjermane shpesh edhe kur flasin i marrin kompozitat edhe i përkthejnë. Në gjermanisht kjo është bukur mirë e etabluar dhe mund ta marrim edhe me studentët e gjermanishtes dhe ta shohim se si i përdorin ata në shqip, sepse janë të ndikuar nga gjermanishtja”, ka thënë ajo.
Ky është edicioni i 40-të me radhë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ligjërata e ardhshme do të mbahet nga linguistja Irena Sawicka nga Polonia.