Në edicionin e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të jenë mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Hapja e këtij edicioni, i 40-i me radhë, do të bëhet sot (e hënë) në Bibliotekën Universitare. Punimet do të vazhdojnë deri më 26 gusht. Kësisoj, Prishtina përsëri do të bëhet qendër e albanologëve botërorë që do të shpalosin studime për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare
Mbi 100 seminaristë nga vende të ndryshme të botës do të marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në edicionin e sivjetmë do të mungojnë pjesëmarrësit nga Rusia, shkaku i luftës në Ukrainë.
Hapja e këtij edicioni, i 40-i me radhë, do të bëhet sot (e hënë) në Bibliotekën Universitare. Punimet do të vazhdojnë deri më 26 gusht. Kësisoj, Prishtina përsëri do të bëhet qendër e albanologëve botërorë që do të shpalosin studime për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, ka thënë se në këtë edicion do të jenë nikoqir të studiuesve të ndryshëm.
“Pjesëmarrja në këtë edicion të seminarit është shumë e madhe. Do të kemi seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës, nga qendrat albanologjike që janë në Poloni, Bullgari. Pastaj do të vijnë mysafirë nga Turqia, Holanda, nga Gjermania. Sivjet do të kemi një numër të konsiderueshëm, Italia, Serbia e Maqedonia”, ka thënë ai.
Munishi ka theksuar se do të mbahen ligjërata nga albanologë të huaj e shqiptarë.
“Këtë vit do ta kemi mysafire albanologen e nderuar, Irena Sawicka, Artur Karashinskin, Ekaterina Tompomanovan, Eda Derhemin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bardhyl Demirajn dhe natyrisht do të kemi ligjërata nga albanologë të shquar vendës të Kujtim Shalës, Kujtim Rrahmanit, Rrahman Paçarizit. Këtë vit kemi një numër të konsiderueshëm të ligjëratave”, ka shtuar ai.
Drejtori i Seminarit ka thënë se meqë ky edicion është jubilar, kanë provuar të ftojnë shumë persona.
“Është një edicion jubilar dhe në këtë kuptim, është një tregues i një tradite tashmë të vendosur të Seminarit. Si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e studimeve të albanologjisë, por edhe të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Meqë është edicion jubilar, sivjet kemi bërë përpjekje që të ftojmë personalitete të ndryshme”, ka thënë ai.
Seminaristët do të vendosen në konviktet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës.
Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë.
Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore të Seminarit janë shqipja në kontakt, letërsia shqipe në kontekstin komparatist dhe dezinformimi e propaganda në mediat sociale.
Programi bazë do të ketë kurse intensive të mësimit të shqipes në tri nivele, ligjërata të veçanta të gjuhësisë, për letërsinë dhe kulturën shqiptare, tryeza e referime shkencore. Po ashtu, do të ketë një program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore dhe historinë, si dhe me veprimtarinë kulturore në vende të ndryshme të Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet nga profesorë të Fakultetit të Filologjisë nga dy departamente, ai Gjuhës Shqipe dhe nga ai i Letërsisë Shqipe në bashkëpunim me ata nga Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë.
Vitin e kaluar, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ishte realizuar në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, si dhe pas një vit mungese, pasi për shkak të pandemisë ky seminar nuk u mbajt më 2020. Sfidat jo të pakta të shqipes si dhe veçmas problemet në leksik e drejtshkrim, lajmet e rreme dhe infodemia kanë qenë tema kryesore të seminarit të vitit të kaluar. Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19, 20 të vitit 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.