Kulturë

Ylli Dua Lipa, në Prishtinë për “Sunny Hill” dhe ëndrrat e mëdha

“Dua të ju shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen, që ma jepni. E ndjej këtë mbështetje në të gjithë botën. S’ka rëndësi se sa ëndërr të madhe keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni, sepse çdo gjë është e mundur”, ka thënë këngëtarja botërore Dua Lipa, në konferencë për media pak orë para se të shndrisë edhe në skenën e “Sunny Hill Festival”. Ajo ka qenë ylli kryesor i natës së parë të festivalit katërditor, që ka nisur të enjten mbrëma në Prishtinë

Provat gjatë ditës kanë qenë një test teknik, por edhe kanë treguar se bëhet fjalë për koncert, që s’ka pikë dallimi me skenat botërore. Energji kulmore, Dua Lipa, ka paraqitur edhe gjatë një konference për media disa orë para koncertit. Në “Sunny Hill Festival” ka qenë kulmi.

Ylli botëror i pop-muzikës, në një paraqitje para gazetarëve, është dukur tejet e lumtur, që është kthyer për të interpretuar në Prishtinë. Ka konfirmuar se ndjenja e performimit në qytetin prej nga edhe vjen, nuk zëvendësohet asnjëherë.

Me thjeshtësi edhe në dukje e shoqëruar nga i ati, njëherësh menaxheri i saj, Dukagjin Lipa, këngëtarja nëpërmjet një fjale të shkurtër ka motivuar të rinjtë e vendit. Është prej atyre artisteve, koncertet e së cilës aktualisht janë ndër më të mëdhatë në botë. Adhurohet gjithandej, e sidomos në Kosovë. Fjalët e saj frymëzuese në ato anë, kanë peshë si askund tjetër.

Image
“Ne, përmes Festivalit po mundohemi të tregojmë historinë pozitive të vendit tonë” (Foto: Alban Bujari)

Dua Lipa: “Vazhdoni të ëndërroni, sepse çdo gjë është e mundur”

“Dua të ju shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen, që ma jepni. E ndjej këtë mbështetje në të gjithë botën. S’ka rëndësi se sa ëndërr të madhe të keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni, sepse çdo gjë është e mundur”, ka thënë ajo. Fondacionin “Sunny Hill” e ka përshkruar si diçka të zemrës, përderisa festivalin si një platformë, që nxjerr në pah Kosovën.

“Ne përmes Festivalit, po mundohemi ta tregojmë historinë pozitive të vendit tonë”, ka thënë Lipa. Pas artistëve lokalë e rajonalë, ajo është ylli i mbrëmjes.

Festivali, që sivjet vjen në katër net, i është rikthyer Prishtinës pas dy viteve shkaku i pandemisë.

Zotimet për konkretizimin e projekteve të premtuara

Dukagjin Lipa në konferencë ka thënë se fatmirësisht, pas kohës kur bota u bllokua shkaku i pandemisë, prapë në Prishtinë po organizohet një festival, i cili është më i madhi në rajon.

Ka thënë se “Sunny Hill Festival” organizohet në një vend ku krejt Evropa nuk e pret të ketë festival të këtij niveli.

“E organizojmë në një vend, që ka pasur trazira të shumta, në një vend, që vazhdon të ketë trazira të shumta, një vend ku me dekada gjenerata të tëra kapërcejmë nëpër probleme pak me fajin e fqinjëve, pak me fajin tonë e pak me fajin e krejtve. Por, ne gjithmonë ia dalim të mbështetemi në pjesët pozitive, që rinia jonë i posedon”, ka thënë Lipa, i cili është menaxher i vajzës së tij.

Më shumë ka folur për planet me fondacionin “Sunny Hill”. Ka thënë se në dy vitet e fundit edhe projektet e Fondacionit janë ndalur. Ka treguar se ishin përzgjedhur tre fëmijë, që të shkonin në Los Angeles për kurse trajnimesh në një prej institucioneve më prestigjioze, “Queen Jones”.

“Mirëpo ai program do të fillojë përsëri dhe shpresojmë që në shkurt të vitit 2023, ata tre fëmijë t’i dërgojmë në bazë të programit, që kemi pasur”, ka thënë ai. Ka treguar se këto ditë në Kosovë profesionistët e Akademisë Muzikore më të madhe në Suedi, po mbajnë punëtori për të rinj së bashku me kompozitorin Florent Boshnjaku.

“Kjo do të jetë një prej traditave të reja në vitet në vijim”, ka thënë ai, derisa ka paralajmëruar një bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ka pasur kritika për udhëheqjen e kaluar.

Pak para se ta firmosnin një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për një investim në ish-Tulltoren, Lipa ka thënë se shpreson që kjo më në fund të rezultojnë pozitivisht.

“Kemi pasur edhe marrëveshje më herët, por ato kanë mbetur të pa realizuara. Tash publikisht po e flasim se brenda vitit do t’i kemi premtimet e përbashkëta. Jo vetëm Komuna ndaj Fondacionit por edhe Fondacioni ndaj Komunës, e qytetarëve, që t’i përmbushim premtimet e përbashkëta”, ka thënë ai. U është referuar disa planeve.

Image
Dua Lipa, Dukagjin Lipa dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten në konferencë për media (Foto: Alban Bujari)

Dukagjin Lipa: “Po, problemi është te politika pasi nuk përmbushen premtimet fatkeqësisht”

Në gusht të vitit 2019, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe themeluesi i fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, kishin nënshkruar marrëveshjen për dedikim të hapësirës për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”. Fondacioni kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. Në hapësirën, që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në kryeqytet do të zhvendosej edhe shkolla e mesme e ulët e muzikës “Prenkë Jakova” dhe fondacioni “Bonevet”. Por nga planet, që puna për “Sunny Hill Academy” të niste në shtator të vitit 2019, çështja kishte marrë tatëpjetën për të mos nisur asnjëherë. Për këtë projekt dhe dy të tjerë, që ishin listuar së bashku në planifikimet buxhetore, për vitin 2020, Komuna kishte paraparë 800 mijë euro.

Dukagjin Lipa dhe e bija e tij, Dua Lipa, kishin premtuar edhe të tjera investime në kryeqytet. Me 4 maj 2020, dyshja kishte zhvilluar një bisedë online me ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Një rregullim i amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të qëndronte një instalacion, ishin synim e premtim i tyre.

I pyetur për këto plane, Dukagjin Lipa ka drejtuar gishtin nga politika.

“Po, problemi është te politika pasi nuk përmbushen premtimet fatkeqësisht. Shumicën e seneve në politikë i bëjnë sa për sy e faqe, për të dalë me një deklaratë çfarëdo qoftë. Por, nuk do ta politizojmë ditën e sotme”, ka thënë Lipa. Bile, ka shtuar se i kanë sjellë disa gjëra nga Los Angeles, por u kanë ngelur në depo.

Përparim Rama: “Të rinjtë tonë do të kenë mundësi që të takohen me talente botërorë”

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nëpërmjet Fondacionit kanë në plan që ta sjellin në pah edhe një numër të madh të talenteve të rinj të vendit tonë. Ka thënë se si kryeqytet, do të bëjnë çmos për ta ndihmuar krejt këtë proces.

“Së bashku me Fondacionin, e kemi vizituar ish-Tulltoren. Ajo pjesë do të aktivizohet edhe si rezultat i Fondacionit. Kemi biseduar për mundësinë që të trajnohen një numër i madh i të rinjve në aspekte të ndryshme. Ajo pjesë do të aktivizojë gjithë qytetit. Të rinjtë tonë do të kenë mundësi që të takohen me talentë botëror”, ka thënë Rama. Më pas treshja kanë hedhur firmat në marrëveshje. Dukagjin Lipa si me humor ka thënë se do ta mbaj një kopje për çështje sigurie.

Se si do të ecin punët për Fondacionin, mbetet të shihet, por Festivali i ka dhënë krejt tjetër frymë Prishtinës ende pa nisur. Pos Dua Lipës, J. Balvin, Skepto e Diplo janë prej yjeve ndërkombëtarë, që do të jenë në Festival krahas emrave të tjetër ndërkombëtarë, e atyre vendorë dhe rajonalë.

Organizatorët janë në punë e sipër që gjithçka të jetë sa më në vijë. Sivjet kapacitet janë të që priten 20 mijë veta në natë. Qysh prej mesditës interesimi për të shkuar në “Gërmi” ka qenë i madh.

Festa e “Sunny Hill”, nis fill pas hyrjes në atë që është “Chill zone”. Ata, që duan ta kapin krejt magjinë e festivalit mund të stacionohen aty, menjëherë pas mesditës. Muzika nis aty. Për meraklinj të tillë skena e vogël është vetëm intro, pasi ajo hapësirë është e adaptuar njëkohësisht me pjesën e skenës së madhe.

Në qershorin e sivjetëm, kur interesimi i publikut kishte arritur kulmin duke u shitur biletat në numra rekord, institucionet shtetërore nuk ishin marrë vesh me organizatorët dhe Festivali paralajmëroi zhvendosjen në Tiranë.

Pas presionit të madh publik gjashtë ditë më pas u bë e ditur se është gjetur gjuhë e përbashkët me Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës.

“Është një ndjesi shumë e mirë të përformoj në Prishtinë. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të përformoj në qytetin tim. Nuk ka energji më të mirë. Mezi po pres për emocionet para se të dal në skenë”, ka thënë Dua Lipa pak orë para se ta nisë përformancen e saj.

{gallery}