2 perditesime
14:42

Dua Lipa mesazh të rinjve kosovarë: Ëndërroni, çdo gjë është e mundur

Dua Lipa e ka mbyllur konferencën për shtyp të enjten me një mesazh për të rinjtë kosovarë, në prag të ceremonisë hapëse të “Festivalit Sunny Hill”.

“Dua të ju shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që ma jepni. E ndjej këtë mbështetje në të gjithë botën. S’ka rëndësi se sa ëndrrën e madhe keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni sepse çdo gjë është e mundur. Ne përmes Festivalit po mundohemi të tregojmë historinë pozitive të vendit tonë”, ka thënë ylli botëror i muzikës.

“Festivali Sunny Hill” nis sot maratonën katërditore. Dua Lipa është ylli i natës së parë, për t’ua lënë vendin yjeve të tjerë në tri netët e radhës.

J Balvin, Skepto e Diplo janë prej yjeve ndërkombëtare, që do të jenë në Festival krahas emrave të tjetër ndërkombëtarë e atyre vendorë dhe rajonalë.

Sivjet kapaciteti, që lejon hapësira është dashur të përshtatet edhe me numrin e biletave në dispozicion. Bazuar në biletat e shitura bashkë me të ftuarit, pritet që rreth 20 mijë të jenë të pranishëm çdo mbrëmje. Për katër ditë Festivali do të frekuentohet nga rreth 80 mijë veta.

Image
FOTO: Alban Bujari/KOHA
14:27

Dukagjin Lipa: “Festivali Sunny Hill”, më i madhi në rajon

Image

Babai i Duas, Dukagjini, e ka konsideruar “Sunny Hillin” si Festivalin më të madh që mbahet në rajon, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, t’i mbajë premtimet për dhënien në shfrytëzim të tokës në Bërnicë.

“Në krejt botën e patëm një ndalesë të madhe, ku çdo gjë u ndërpre në mendjen tonë, por fatmirësisht ja ku jemi. Prapë pas dy vjetëve, organizojmë Festivalin më të madh në rajon. Organizojmë në një vend që ka pasur trazira ndër gjenerata”, ka thënë Dukagjin Lipa në konferencë për shtyp të enjten. “Do ta kemi një marrëveshja e cila po shpresoj do të rezultojë pozitivisht. Kemi pas premtime prej kryetarit të kaluar të Prishtinës, ato premtime kanë mbetur të pakompletuara dhe shpresoj që tash të mbahen nga kryetari aktual”.

14:17

Dua Lipa: Ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time

Ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, ka thënë se ndihet shumë mirë që ka ardhur në Kosovë, të cilën ajo e konsideron, si shtëpinë e saj.

Në një konferencë për shtyp në ditën hapëse të “Festivalit Sunny Hill”, Lipa është shprehur shumë krenare me faktin që do të përformojë sot në Parkun e Gërmisë.

“Unë nuk kam përgatit diçka speciale për të thënë. Desha t’iu falënderoj për mbështetjen, ndihmën dhe dashurinë që me mujt me bo një Festival të tillë. Ndihna shumë krenare që ka me përformu. Tërë ditën e kam pas mendjen te përformanca e cila shpresoj që do t’i pëlqej. Ndihna mirë që jam në shtëpinë time, ndihna mirë që jam në vend timin për me bo një gjë kështu, është ëndërr e madhe. Shpresoj që keni me u kënaq”, ka thënë Lipa në konferencë për shtyp të enjten. "Nuk ka ndjenjë më të mirë se sa me përformu në Prishtinë".

“Festivali Sunny Hill” nis sot maratonën katërditore. Dua Lipa është ylli i natës së parë, për t’ua lënë vendin yjeve të tjerë në tri netët e radhës.