Kulturë

“Digjitalizimi” e kriteret e Ministrisë, godasin skenën kulturore

Se ka jo pak telashe me procedurat e me mënyrën e aplikimit në platformën “e-Kosova”, që u aplikua sivjet për të parën herë, Ministria e Kulturës ishte paralajmëruar qysh kur e hapi thirrjen në prillin e sivjetmë. Tek në muajin e tetë, MKRS-ja ka dalë me listën paraprake të përfituesve
 

Prej 362 aplikimeve me propozime për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore, kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të jetë tepër e shkurtër. Janë vetëm 26 organizata në listën paraprake të përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore për sivjet dhe 9 individë. Qysh muajin e kaluar, KOHA kishte raportuar se disa prej ngjarjeve tradicionale do të diskualifikohen sherri i telasheve me mënyrën digjitale të aplikimit dhe kritereve të përcaktuara

Maratona shtatëmujore e përpilimit të thirrjes, shpalljes së saj, vlerësimit të projekteve kulturore e shpalljes së rezultateve ka përmbyllur një kapitull: 26 organizata dhe 9 individë do të mbështeten nga MKRS-ja. Lista paraprake, e bërë publike të mërkurën, është tkurrur si asnjëherë më parë. Kanë qenë 181 aplikime nga organizata dhe po aq nga individë që kishin synuar të marrin subvencione për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore. Kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të jetë tepër e shkurtër.

Pos kësaj, MKRS-ja e ka publikuar listën vetëm me poenë pa shumën e përkrahjes financiare. Në këtë thirrje rezulton se nuk kanë arritur të përkrahen organizime të mëdha e me nam si “DokuFest”, “Anibar” “PriFilmFest”, teatri “Oda”, festivali “EtnoFest” bashkë me disa prej ngjarjeve tradicionale që e mbajnë gjallë skenën e pavarur kulturore në vend.