Kulturë

Stuhia zhduk veprën “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” të “Manifesta 14”

Vepra “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” e Flaka Halitit për “Manifesta 14” nuk është më aty ku u inaugurua, në kulmin e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. U hoq vetëm dy ditë pas hapjes zyrtare të Bienales Nomade Evropiane. “Për arsye sigurie, puna u çinstalua. ‘Manifesta 14 Prishtina’, së bashku me artisten, po heton se si dhe kur të riinstalohet vepra. Ju kërkojmë ndjesë që nuk e kemi të mundur ta paraqesim këtë punim të ri të rëndësishëm në këtë kohë”, ka sqaruar ekipi i “Manifesta 14”

“Nëse keni parë ndonjëherë diellin të perëndojë në qiellin e përndezur ose gacat e përflakura të luftës, horizonti i mistershëm i Flaka Halitit do të bëjë që fyti t’ju shtrëngohet pak”, është përshkrimi që “Manifesta 14” ia bën veprës së Flaka Halitit. Por qiellin e përndezur e gacat e përflakura të luftës, vizitorët e Bienales Nomade Evropiane kanë mundur t’i shohin vetëm nga e premtja deri të dielën.

Prej ditës së fundit të javës së kaluar, dy ditë pasi “Manifesta 14” u hap zyrtarisht për vizitorë, vepra nuk është aty.

“Zjarri” i Flaka Halitit ka provokuar fort, të paktën shtrëngatën e së dielës në Prishtinë. Bile, sipas rrëfimit të një rojtari në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, krisma e rënies së veprës qe as e madhe “sa mund ta ketë goditur rrufeja”.

Haliti i lindur më 1982 në Prishtinë për “Manifestan” nikoqire e së cilës sivjet është Prishtina, ka kombinuar inoks, plastikë, LED dhe skele. Ka paraqitur një instalacion prej dhjetë “shtyllave të zjarrta” të kombinuara me re. Përtej një perëndimi të diellit ku qielli mund të duket si prushi, vepra mund të ketë edhe metaforën e luftës në Kosovë. Më 1998 dhe 1999 një pjesë e madhe e vendit ishte nën zjarrin e forcave serbe. Më pas u desh që një tjetër zjarr më i madh, ai i bombardimeve të NATO-s nga ajri të sjellë paqe.

Ndjesitë që mund të merren nga vepra e Halitit sipas përshkrimit të “Manifestës” vijnë “sidomos nëse e njihni modelin e reve që kamuflojnë rrezatimin në skajin e qiellit të konstruktuar prej saj”.

Në “Under the Sun – Explain What Happened”   (Nën diell – Shpjego çka ndodhi), si në shumë nga veprat e saj, sipas përshkrimit, artistja mori si pikënisje materialin ndërtimor të gjetur në kontekstin ushtarak. Aty sqarohet se në këtë rast, materiali që ajo përvetëson dhe përshtat rrjedh nga një bazë e mëparshme e KFOR-it, forcës paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë. Ajo hapësirë e dikurshme e forcave të KFOR-it gjerman tash është lokacioni i “Autostradës Hangar” një organizatë e re kulturore që është zhvilluar nga “Autostrada Biennale”.

“Ajo që mbërtheu artisten rreth materialit është ajo që mund të na intrigojë neve si shikues: një proces enigmatik është gdhendur në material, ka lënë pas një gjurmë, njëfarë fotografie, një pjesë dëshmie prekëse, një narrativë historike ende të patreguar”, shkruhet në ueb-faqen e “Manifestas” ku prezantohet vepra e Halitit, e cila më 2015 përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të artit në Venecie me veprën “Spekulim në të kaltër”.

Në shpjegimin zyrtar të “Manifestas”, për shkak të kushteve të rënda atmosferike në Prishtinë të dielën më 24 korrik, është dëmtuar punimi i Flaka Halitit.

“Për arsye sigurie, puna u çinstalua. ‘Manifesta 14 Prishtina’, së bashku me artisten, po heton se si dhe kur të riinstalohet vepra. Ju kërkojmë ndjesë që nuk e kemi të mundur ta paraqesim këtë punim të ri të rëndësishëm në këtë kohë”, shkruhet në shpjegimin e ngjarjes që për 100 ditë në 25 lokacione do të qëndrojnë ndërhyrjet e 103 artistëve.

Artistja Flaka Haliti, e cila jeton në Münich, në kuadër të Bienales posedon një prej hapësirave ku vizibiliteti është prej më të lartëve, kulmin e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Haliti në Bienalen tjetër, atë të Venecies, me “Spekulimi në të kaltër” reflektonte mbi kuptimin e kufijve, demokracisë, lirisë dhe mobilitetit. Ekspozita qe minimale dhe kishte vetëm tri elemente brenda në hapësirë, rërën e kaltër, pesë shtylla apo struktura metalike, të cilat paraqesin trupin skeletor të barrierave prej betoni dhe instalimin e dritave, i cili krijon ndërthurje mes hapësirës dhe kohës. Në harkun kohor prej 10 orësh hapësira e Pavijonit të Kosovës pësonte ndryshim vizual, duke i mundësuar shikuesit të përjetojë instalimin në kohë reale. E gjithë kjo përvojë krijonte relacion të drejtpërdrejtë në mes fizikalitetit dhe objekteve në hapësirë dhe njëkohësisht hap dimensione të shumta kohore duke bërë të përjetohet si një punë e aktualizimit të përhershëm.