Kulturë

Teatri Kombëtar, në kërkim të projekteve për Skenë të vogël

Teatri Kombëtar i Kosovës është vënë në kërkim të projekteve teatrore për Skenën e vogël. Në fund të muajit të shtatë të vitit, ky institucion synon që ta bëjë me program Skenën e vogël. Konkursi është hapur gati një muaj prej kur TKK-së me vendim të Ministrisë së Kulturës i është vënë dryni. TKK-ja ende nuk e di se ku do ta zhvillojë veprimtarinë.

“Skena e vogël e TKK-së, si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore, është krijuar për të mbështetur dhe nxitur idetë dhe format e reja kërkimore teatrore duke synuar të jetë strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin si mjet të shprehjes”, shkruhet në thirrjen publike. Konkursi është hapur për regjisor të projekteve.

Synimi është që të angazhohen regjisorë që shpalosen koncepte për shfaqje autoriale me temën “ Personat me aftësi të kufizuara”

“Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ si dhe propozon qasjen dhe platformën regjisoriale; Regjisori nuk ka të drejtë të konkurrojë për dy projekte në të njëjtin vit; TKK-ja organizon intervistë me regjisorët me rastin e përzgjedhjes”, shkruhet në konkurs. Sipas konkursit, regjisorët përzgjidhen për idenë dhe vizionin më të mirë nga një komision profesionist i cili përbëhet prej tre deri pesë anëtarë. Aty sqarohet se komisioni përzgjedhës përbëhet ekskluzivisht nga profesionistë të teatrit, autorë të njohur dhe të verifikuar të këtij lëmi. Po ashtu, bëhet e ditur se regjisori i përzgjedhur nga komisioni ka të drejtë ekskluzive të përzgjedhë ekipin kreativ të projektit. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë regjisorët vendës dhe ndërkombëtarë.

“Për inskenim do të përzgjidhen dy platforma regjisoriale”, shkruhet në konkursin që do të jetë i hapur deri më 15 shtator.