Hoteli “Grand” i mbrojtur si monument është njëri prej stacioneve kryesore të “Manifesta 14”. Aty tashmë ka marrë formë vepra e Petrit Halilajt e të tjera instalacione do ta pushtojnë po ashtu. Por ekipet e trashëgimisë kulturore kanë konstatuar “ndërhyrje të paautorizuara nga institucionet kompetente”. Për ekipin e “Manifestas” bëhet fjalë për keqkuptim
Institucioneve të trashëgimisë kulturore është duke iu dalë punë me intervenimet e bienales nomade “Manifesta 14” në monumentet e kryeqytetit. Të paktën në hotelin “Grand” janë evidentuar dy parregullsi: moslajmërim i nisjes së punimeve e tejkalim i pëlqimit të marrë për intervenim.
Përderisa sipas “Manifestas” bëhet fjalë për keqkuptim, ekipet e trashëgimisë kulturore kanë konstatuar “ndërhyrje të paautorizuara nga institucionet kompetente”. Për këtë edhe është përpiluar një raport i cili i është përcjellë Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Në kuadër të “Manifesta 14”, nikoqire e së cilës sivjet është Prishtina, ndërtesa e hotelit “Grand” është një prej objekteve simbol të kryeqytetit ku po vendosen një numër jo i vogël instalacionesh. “Manifesta 14” është pajisur me pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por ndërhyrjet kanë tejkaluar këtë autorizim ligjor për monumentin që i takon periudhës socialiste dhe hyn në atë që njihet si modernizëm arkitekturor.
Në ditën e 12-të të këtij muaji, Besfort Axhanela dhe Dukagjin Dibra, konservues dhe restaurues bashkë me arkitekten Rrezarta Basha kanë qenë në ambientet e hotelit “Grand”. Kanë përpiluar një raport të cilin e kanë titulluar: “Njoftim për zhvillime të punimeve të paautorizuara në ndërtesën e hotelit ‘Grand’”. Treshja ka shkruar se në ndërtesën e cila prej vitit 2015 është monument, janë duke u zhvilluar punime në disa hapësira të ndryshme.
“Punime këto që nuk janë në pajtueshmëri me projektin e aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve...”, shkruhet në raport.
Aty shkruhet se gjatë vizitës nga ekipi profesional janë hasur disa ndërhyrje të paautorizuara dhe pa asnjë njoftim paraprak tek institucionet kompetente.
“Së pari, kemi vërejtur vendosje të ashtuquajtur ‘instalacion’ në disa hapësira të brendshme të hotel ‘Grandit’”, shkruhet në raport. Pjesa jugore e ndërtesës e cila nuk shfrytëzohet si hotel është duke u përdorur për disa instalacione në kuadër të Bienales. Sipas raportit, midis pjesës qendrore dhe asaj jugore është bërë një mbindërtim.
“Kemi vërejtur se është duke u ndërtuar një mbindërtim në pjesën e tarracës së kulmit në pjesën lindore, konkretisht në anën e majtë të pjesës qendrore të ndërtesës”, shkruhet në raport.
Treshja e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës ka verifikuar edhe vendosjen e instalacionit të artistit Petrit Halilaj. Duke krahasuar veprimet e ndërmarra në raport me pëlqimin që është dhënë, kanë konstatuar se fillimisht instalacioni “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” ka pasur një tjetër emër. Yjet që janë vendosur gjithandej ndërtesës po ashtu nuk kanë qenë të parapara në projekt dhe as nuk kanë pasur miratim. Zyrtarët e QRTK-së kanë shkruar se shkronjat “Grand Hotel” të cilat janë larguar do të duhej të zhvendoseshin në hollin e Hotelit, por ato janë lënë në kulm.
KOHA ka marrë vesh se “Manifesta 14” pasi është pajisur me pëlqim nuk ka njoftuar për fillimin e punimeve, në mënyrë që të ketë mbikëqyrje nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Në emër të “Manisfesta 14”, Ylber Havolli si asistent i produksionit, moslajmërimin e institucioneve për fillimin e punimeve e ka arsyetuar me ngarkesë shkaku i organizimit të madh e presionit, pasi është duke u punuar për realizimin e 25 lokacioneve. Ai institucioneve u ka thënë se punët që janë realizuar në “Grand” janë kryer nga ekipe profesionale me kujdes të shtuar ndaj objektit.
“Së pari kemi vërejtur vendosje të ashtuquajtur ‘instalacion’ në disa hapësira të brendshme të hotel ‘Grandit’”, shkruhet në atë që është titulluar: “Njoftim për zhvillime të punimeve të paautorizuara në ndërtesën e hotelit ‘Grand’”
Raporti i QRKT-së i është dërguar Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës.
Drejtoresha e QRTK-së së Prishtinës, Edona Gashi-Derguti, ka thënë se si institucion kanë kryer punën e tyre dhe çështja është përcjellë te institucionet përgjegjëse.
Në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore nuk e kanë komentuar gjatë këtë çështje.
“Jemi në proces të punës së përbashkët me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka thënë drejtori i Inspektoratit, Imer Hakaj.
Për dy ditë Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur sa u përket ndërhyrjeve në hotelin “Grand”.
E stafi i “Manifesta 14” është përgjigjur shumë shpejt.
“Na vjen keq për keqkuptimin për të cilin duket se është ngritur për ndërhyrjen në ‘Hotel ‘Grand’. Ne nuk kemi ndërhyrë në trashëgiminë apo strukturën e objektit jashtë lejes që kemi marrë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe kemi ndjekur saktësisht kushtet për të cilat jemi dakorduar”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nga zyrtari për informim, Dardan Hoti.
Sipas përgjigjeve, i vetmi ndryshim nga projekti i propozuar i cili është pajisur me leje, është ai konceptual dhe jo strukturor.
“Fjalia/shkronjat që do të zëvendësoheshin me ‘Grand Hotel Prishtina’ kanë qenë “do we have wishes for every fallen star”, ndërsa janë ndërruar nga artisti me këtë fjali me “Kur dielli të ikë, ne do ta pikturojmë qiellin”. Po ashtu, në projektin e paraparë dhe ashtu siç është e specifikuar në leje, ne kemi kërkuar kur të zhvendosen shkronjat e ‘Grand Hotel Prishtina’, do t’i vendosnim në hollin e hyrjes së hotelit, por pastaj artisti Petrit Halilaj në bashkëpunim me stafin e produksionit të ‘Manifesta 14’ kanë vendosur që të mos vendosen në holl, pasi që paraqesin rrezik për vizitorët”, shkruhet në përgjigje.
Sipas “Manifesta 14”, këto shkronja janë të vendosura në mënyrë të sigurt dhe të mbuluara te kati i fundit i Hotelit në mënyrë që të mos dëmtohen. “Jemi informuar për përmbajtjen e raportit dhe kemi komunikuar me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve arsyet e ndryshimit konceptual”, shkruhet në përgjigje.
Ndërhyrjet e paautorizuara në monumente pa pëlqim paraprak nga institucionet e trashëgimisë kulturore bien ndesh me Ligjin për trashëgimi kulturore. Disa ndërhyrje hyjnë edhe në kategorinë e veprave penale.
Instilacioni i artistit Petrit Halilaj “Kur dielli do të ikë, do ta pikturojmë qiellin” që shoqërohet me 27 yje është ai që bie në sy më së shumti në ndërtesën e inauguruar më 1978. Ky instalacion ka vend qendror në këtë edicion të “Manifestas”, që zyrtarisht nis më 22 korrik dhe zgjat deri në fund të tetorit. Nëpërmjet fjalisë dhe yjeve, artisti me nam botëror po fton qytetarët që të rimendohet e kaluara e po ashtu edhe të mendohet për të ardhmen.