Albrecht Dürer, Paul Cezanne dhe Paula Modersohn-Becker janë vetëm disa artistë që kanë vizatuar meshkuj nudo. Galeria e Arteve në Bremen shpërfaq se si trupat e zhveshur u paraqiten në punime artistike përgjatë gjashtë shekujve
Nudoja mashkullore është pjesë përbërëse e historisë së artit.
Antikiteti grek është i mbushur me përshkrime të trupave mashkullorë pa rroba, qoftë në piktura, të derdhur në bronz, apo të gdhendura në gur.
Një nga veprat më të famshme është statuja “Laocown and His Sons”, apo ndryshe si “Laocown Group”, e gërmuar në Romë në fillim të shekullit të 16-të. Në të është paraqitur një baba dhe dy djemtë e tij duke vuajtur në agoni teksa sulmohen nga gjarpërinjtë gjigantë.
Sipas Muzeut të Vatikanit, ku skulptura ka qëndruar qëkur është gjetur, mbase është punuar rreth viteve 30 deri 40 para erës sonë. Besohet se është krijuar nga treshja e skulptorëve: Athanodors, Hagesandros dhe Polydoros nga Rodosi.
Në kohën e zbulimit, edhe pse Kisha Katolike e kishte lidhur lakuriqësinë me turpin dhe ndëshkimin për shkak të përjashtimit të Adamit dhe Evës nga parajsa, Papa Julius II e kishte blerë skulpturën dhe e kishte shfaqur në ekspozitë publike në “Belvedere Garden” në Vatikan, tani pjesë e Muzeut të Vatikanit.
Në të njëjtën periudhë, edhe artistët e Rilindjes, si Michelangelo dhe Albrecht Durer ishin fokusuar në nudo.
Vepra e Durer “The Men’s Bath”, e cila daton në vitet 1496/97, është vepra më e vjetër e shfaqur në ekspozitën “The Naked Truth: The Male Nude on Paper” në Galerinë e Arteve në Bremen të Gjermanisë. Ajo portretizon një grup prej gjashtë burrash të veshur, paksa duke luajtur muzikë dhe duke pirë së bashku. Durer e bëri punimin pasi ishte kthyer nga udhëtimi i tij i parë në Itali, gjë që e kishte frymëzuar të eksploronte trupin e zhveshur në veprat e tij.
Nudoja ishte një motiv që mund të përdorej për të shprehur tema të ndryshme, qofshin ato mitologjike, biblike apo laike. Motiv popullor ishin martirët e krishterë, trupat e pambrojtur të të cilëve ishin vendosur në plan të parë, shpesh të zhveshur, përveç një copë rrobe.
Rreth viteve 1500, Durer bëri dy gdhendje duke paraqitur Shën Sebastianin, i cili kishte mbijetuar mrekullisht pasi ishte qëlluar me shigjeta.
Rreth 80 vepra, kryesisht nga koleksioni i vetë Galerisë, janë të ekspozuara në dy sallat e muzeut “Kupferstichkabinett” (Departamenti i Printimeve dhe Vizatimeve).
Vizatimet dhe printimet nga shekulli i 15-të deri në shekullin 20 japin përshtypje të idealeve mbizotëruese të bukurisë në kohën e krijimit të tyre.
Ekspozita gjithashtu ngërthen edhe atë se si artistet femra filluan të vizatojnë nudo.
Deri në shekullin 20 grave u ishte mohuar qasja në akademitë shtetërore të artit. Artistë si Paula Modersohn-Becker (1876-19070) nuk kishin zgjidhje pos të studiojnë në shkolla private në Berlin dhe Paris, ku artistja kishte mësuar të vizatonte modele nudo të meshkujve. Shumë nga studimet e saj për nudon kanë mbijetuar.
Pamjet nga ekspozita janë zbulime të reja nga Giulio Clovio dhe Anton Raphael Mengs, gdhendjet nga Marcantonio dhe Hendrick Goltzius dhe vizatimet e shfaqura rrallë nga Rembrandt dhe Paula Modersohn-Becker.
Ekspozita “E vërteta e zhveshur: Nudo mashkullore në letër” është e hapur nga 6 korriku deri më 6 nëntor 2022, në Galerinë e Arteve, në qytetin e Bremenit në Gjermani.
Fotolegj: Vizatim nga Henri Gabriel Ibels, “Tre mundës në një skenë” (1892/93)