Kulturë

Nisin takimet e grupit punues për planin e menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës synon të definojë mënyrat e konservimit, ruajtjes, zhvillimit dhe promovimit të Qendrës Historike të Prishtinës, e cila përcaktohet si zonë me vlerë e trashëgimisë, në mënyrë që të transmetohet tek brezat e tanishëm dhe të ardhshëm
 

Grupi punues për zhvillimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës ka nisur të mbaje takime. Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës synon të definojë mënyrat e konservimit, ruajtjes, zhvillimit dhe promovimit të Qendrës Historike të Prishtinës, e cila përcaktohet si zonë me vlerë të trashëgimisë, në mënyrë që të transmetohet tek brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Po ashtu të analizojë dhe kuptojë nëpërmjet përfshirjes së akterëve dhe hisedarëve të ndryshëm, forcat e ndryshimit dhe ndryshimet që ndodhin në aspektin kulturor, mjedisor dhe socio-ekonomik në mënyrë që të mundësohet mbrojtja, përmirësimi dhe zhvillimi i koordinuar dhe i përbashkët, të identifikojë qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e zonës, si dhe strategjitë dhe veprimet ‘inovative’ për arritjen e tyre”, shkruhet në njoftim. Anëtarët e grupit punues janë takuar të martën.