Në kuadër të përvjetorit të 95-të të lindjes, kompozitori Çesk Zadeja është përkujtuar të hënën nga Bashkia e Tiranës. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka organizuar një pritje për familjen e dhe miqtë e kompozitorit shkodran. Veliaj ka thënë se institucionet vlerësojnë kontributin që kompozitori dha për muzikën dhe artin shqiptar. Zadeja u lind në Shkodër më 8 qershor 1927 dhe vdiq në Romë më 15 gusht 1997.
“Më vjen mirë që këtë vit ia kemi kushtuar profesor Çeskut, që njerëzit të kuptojnë se sot brezi ynë ecën mbi shpatullat e gjigantëve të muzikës sonë, për të shkuar pak më tej. Unë besoj se është edhe një reflektim shumë i madh edhe për ata që nuk janë profesionistë të muzikës, sepse në thelb jeta është një fabul mes atyre që bëjnë muzikë dhe atyre që bëjnë zhurmë”, ka thënë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Sipas tij, me muzikë nënkuptohet gjëja e bukur, si të lësh një emër të mirë pavarësisht profesionit që ke, kurse me zhurmë nënkuptohet të pengosh dhe sabotosh pavarësisht profesionit tënd.
“Ndaj sot, teksa kujtojmë profesor Çeskun, sfida për secilin prej nesh është të jemi njerëz që bëjmë muzikë, që lëmë vepra të mira, të mbahemi mend për një kontribut dhe energji pozitive, të mos jemi zhurmues, as pengues, as sabotues”, ka thënë Veliaj. Sipas tij, njerëzit e mëdhenj si Zadeja duhet të kujtohen vazhdimisht. Ka thënë se çdo shkollë e re e Tiranës po pajiset me një sallë koncertale derisa në këtë rast ka përmendur sallën në shkollën “Tonin Arapi” e atë te shkolla tjetër e muzikës “Servete Maçi”. Zadeja është një prej kompozitorëve më të njohur shqiptarë. Ai kishte studiuar në Moskë për t’u kthyer në Tiranë, ku shërbeu në disa pozita publike. Qe edhe profesor universitar. Midis të tjerash njihet për veprat si: 1. “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, “Poema vokale”, “Romanca”, “Simfoni”, “Rapsodi për violinë”, “Hej ju male” e të tjera.