Kulturë

Nxënësit e “Prenk Jakovës” e shpalosin talentin në festivalin “DAM”

Festivali i muzikës “DAM” për 17 vjet njihet si organizimin që krijon hapësirë për të rinjtë. Njëjtë ka vepruar edhe të enjten mbrëma kur dhjetëra nxënës të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë janë paraqitur në një mbrëmje koncertale.

Si fillim kori dhe orkestra e Shkollës me dirigjent Edon Ramadanin dhe Lirjona Sylejmanin filluan me këngën e Muharrem Qenës “Lamtumirë” duke vazhduar me veprën e kompozitorit të njohur austriak Wolfgang Amadeus Mozart, “Ave Verum Corpus”. Kori bashkë me orkestrën i janë kthyer prapë muzikës shqipe për ta përmbyllur interpretimin e tyre. “Shkoj e vij fluturim si zogu” i ka vënë pikën paraqitjes së dy formacioneve.

Drejtoresha e shkollës së muzikës, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se koncertet e tilla janë të domosdoshme për nxënësit.

“Një koncert i cili iu dedikua pensionistëve, profesorëve të shkollës tonë që dhanë një kontribut të çmuar në lëmin e muzikës artistike shqiptare. Koncertet e tilla janë të domosdoshme dhe ne e kemi obligim që një herë në vit të paktën të bëjmë një koncert të përmasave të tilla. Një koncert pak më të madh se siç jemi mësuar ta dëgjojmë”, ka thënë Dida-Bujari.

Në kuadër të festivalit u ndanë edhe mirënjohje për profesorët e parë të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” si nderim për rrugëtimin e tyre me të gjitha vështirësitë që koha i kishte.

Pas korit dhe orkestrës, një numër i madh instrumentistësh kanë inetrpretuar solo.

E instrumentistët e rinj e ndjenin veten që i përkisnin atij vendi, skenës, dritave e publikut.

“Ishte shumë bukur dhe isha shumë e kënaqur, ishte shumë mirë dhe ndieja që i përkisja atij vendi”, ka thënë violinistja Sibora Resyli.

Mes të tjerash, ndjenjë e veçantë ishte për ata të cilët hapat e parë i morën në këtë shkollë e të cilët performonin për herë të fundit si nxënës të “Prenk Jakovës” pasi janë në përfundim të edukimit të tyre në këtë institucion.

Fituesja e Çmimit “Pianisti i ri 2022”, Vesa Berisha, ka thënë se ishte ndjenjë e veçantë të performojë për herë të fundit si nxënëse e kësaj shkolle.

“Si gjithmonë kam emocione të papërshkrueshme me dalë para një publiku dhe me e shpreh atë që kemi punuar gjatë kësaj kohe. Nuk është hera e parë që performoi në ‘DAM’, por sot ishin edhe profesorët të cilët kam mësuar prej tyre”, ka thënë Berisha.

“Prenk Jakova” njihet si një ndër shkollat e ulëta dhe të mesme të muzikës që vazhdimisht nxjerr kuadro që vazhdojnë studimet në muzikë klasike.

Shkolla daton që nga viti 1963 kur edhe u shënua zyrtarisht themelimi i saj. Në atë kohë ajo e mbante emrin e kompozitorit serb Stevan Mokranjac. Por pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989, rrethanat ndryshuan dhe shqiptarët ngelen jashtë institucioneve që udhëhiqeshin nga regjimi serb. Prej vitit 1991, shkolla mban emrin e kompozitorit Prenk Jakova, i cili njihet edhe si autori i operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shkolla ndër vite ka qenë vatër e mbledhjes së talenteve të reja nga Prishtina e më gjerë, nga ku dolën kuadro të cilat bënë emër në artin muzikor brenda dhe jashtë Kosovës.