Pallati i Rinisë dhe Sporteve është njëri nga vendet në vazhdën e shumë objekteve që “Manifesta 14” veçse mëton t’ua kthejë gjallërinë ende pa filluar maratona prej njëqind ditësh të Bienales nomade. Një pjesë e Pallatit të Rinisë të enjten mbrëma është shndërruar në pikëtakimin kryesor të artistëve e në qendër argëtuese për të rinjtë në Prishtinë. Shkak për këtë ka qenë publikimi i hulumtimit “Hartëzimi i lëvizjeve subkulturore në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup”. Gjatë promovimit botimi është shitur me çmim prej 5 eurosh.
Një pjese të Pallatit të Rinisë nuk i ka mbetur asgjë, pos mureve, të cilat aty-këtu janë veshur me pllakate e drita jeshile – ngjyrën simbol të bienales nomade “Manifesta”.
Një tavolinë sikur i ka mbushur paksa këto hapësira, sa për ta thyer boshllëkun, derisa muzika i ka shoqëruar të gjithë të pranishmit që kanë mbushur çdoherë e më shumë vendin. “Hartëzimi i subkulturave...” vjen si hulumtim për hapësirat kulturore alternative në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Hulumtuesit Jeta Rexha, Rozafa Maliqi dhe Endrit Jashanica në Prishtinë, Arba Bekteshi, Aurora Birbilaj dhe Doruntina Vinca në Tiranë, si dhe Artan Sadiku e Gjorgje Jovanovik në Shkup kanë përdorur metodën kualitative, ku përmes intervistave e fotografive, i kanë ilustruar objektet e qyteteve gjatë periudhave të ndryshme kohore. Hulumtimi kishte filluar në fillim të vitit 2021 dhe deri në finalizim ka zgjatur një vit e gjysmë, derisa tetë hulumtuesit u takojnë qyteteve protagoniste në libër.
Hulumtimi ka qenë iniciativë e Departamentit për Edukim dhe Ndërmjetësim të “Manifestas” në bashkëpunim me qendrën sociale “Termokiss”. Ky publikim nuk është veçanti e edicionit në Prishtinë, pasi organizim i tillë e karakterizon programin e Bienales në çdo edicion me qëllim të njohjes dhe identifikimit të ekosistemit kulturor në vendin nikoqir të Bienales nomade. Ngjarja e së enjtes në promovim të këtij hulumtimi është hapur me përkujtim për producenten Vjosa Berisha, e cila është varrosur po këtë ditë. Drejtorja e themeluesja e “Manifestas”, Hedwig Fijen, e ka kujtuar si figurë ikonike dhe kryesore të kulturës në Prishtinë. Derisa fjalën e saj e ka vazhduar për promovimin, ka thënë se hulumtime të tilla i kontribuojnë korrektësisë dhe njohurive prodhuese, pasi që si Bienale nomade duhet caktuar lokacioni ku organizohet çdo dy vjet. Ajo ka vlerësuar se me këtë duhet ditur sesi identifikohen ekosistemet e ndryshme kulturore, kush luan rol të rëndësishëm në zhvendosjet subkulturore, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë gjithë edicioneve të Bienales.
Fijen është shprehur se hulumtimet janë interesante për njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe më gjerë.
“Ky është një nga hulumtimet e dizajnuara më së bukuri që kam parë për 24 vjet të ‘Manifestas’ dhe këtë mund ta them pasi kam marrë pjesë në të gjitha edicionet”, ka thënë Fijen. Sipas saj, nuk është shumë interesante vetëm për njerëzit në regjion që e studiojnë atë, por gjithashtu edhe për njerëzit përtej kësaj ane.
“Mendoj se tre librat shprehin historinë dhe tregimet më shumë sesa kemi pritur, kështu që kam shumë komplimente për personat që kanë punuar në të”, ka thënë Hedwig Fijen.
Hulumtimit “Hartëzimi...” i kanë kontribuuar edhe organizatat në Prishtinë dhe grupet e pavarura hulumtuese, si gërshetim serioz për studimin e informacioneve dhe në identifikimin e rrëfimeve, historisë e udhëzimeve. “Ajo që është gjithashtu e rëndësishme, nga kjo që ne nuk e kemi bërë më parë është që ‘Manifesta 14’ dhe ‘Termokiss’ kanë kërkuar për lidhjet ndërmjet regjioneve, ndërmjet lidhjeve natyrore ekzistuese, si Prishtina, Tirana dhe Shkupi”, ka thënë Fijen para të pranishmëve në Pallatin e Rinisë.
Ky hulumtim i kontribuon njohjes së lokalitetit dhe historisë se çfarë ka ndodhur më parë dhe çfarë po ndodh tash, në mënyrë që të mund të pozicionohet edhe vetë Bienalja, sidomos në skenën alternative kulturore. Hulumtimi për subkulturën në Prishtinë përfshin periudhën e dhjetëvjeçarit të parë pas luftës.
“Ideja ka rezultuar jo vetëm në informim të programit të “Manifestas”, por edhe në këtë publikim ku librat veç janë të gatshëm, ia vlen të ceket që në qytetet e tjera, hulumtuesit janë caktuar në periudha kohore të ndryshme, por në Prishtinë është fokusuar në vitet e pasluftës, pra 2000-2010. Ia vlen të ceket se është vetëm një pikënisje për hartëzimin e këtyre subkulturave apo hapësirave alternative”, ka thënë koordinatorja për Edukim dhe Ndërmjetësim, Erleta Morina. Ka treguar se përveç tekstit dhe ilustrimeve, hulumtimit i janë bashkangjitur edhe materiale arkivore. Këta libra do të promovohen po ashtu edhe në Tiranë dhe Shkup.
Rexha, hulumtuese në Prishtinë, ka bërë thirrje që tregimet që nuk janë përfshirë në hulumtim, të ndahen me qytetarët në forma të tjera.
“Ky projekt ka filluar me këta njerëz që kemi nisur të bisedojmë se pse jemi takuar, si dhe çfarë na ka bërë bashkë. Ka qenë muzika, kultura, të ndajmë informata, gjëra të reja dhe krejt kjo ka filluar në hapësira publike. Pyetja kryesore ka qenë: si t’i hartëzojmë këto hapësira? Klubi i hulumtimit ka filluar po ashtu si pjesë e një program më të gjerë, përpos programit. Klubi i hulumtimit i ‘Termokissit’ ka aftësuar edhe hulumtues të tjerë dhe njerëz të komunitetit”, ka thënë Jeta Rexha.
Ky publikim vjen në prag të bienales nomade “Manifesta”, që për njëqind ditë, Prishtinën e kthen qendër të kulturës. Këtë vit, në fokus të Bienales është rikthimi në shfrytëzim i hapësirave të braktisura në Prishtinë, të cilat synohet të kthehen në qendra të artit, performancave, ngjarjeve e punëtorive.