Kulturë

“Heritage Lab” ia kthen shkëlqimin inventarit të ndërtesës ikonike

Hapësirave të braktisura të ish-fabrikës së tjegullave në Prishtinë u është kthyer gjallëria pas një kohe të gjatë. Ngjashëm do t’i kthehet edhe ish-ndërtesës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani”.

Nëpër një hapësirë të ish-Tjegullores janë shpërndarë pjesët e mobilieve të ish-ndërtesës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani” që presin të restaurohen e të kthehen prapë në funksion. Anash mureve të objektit ka zënë vend inventari i përfunduar, ndërsa ka vazhduar puna e të studentëve të rinj në restaurimin e mobilieve që presin të marrin pamje më të freskët.

Si produkte finale tashmë janë nxjerrë katër mobilie prej metali që janë ri-konstruktuar në dollapë të vegjël, disa nga të cilët janë ngjyrosur sa për t’ia kthyer shkëlqimin. Një tavolinë ekspozuese prej xhami, kornizat e së cilës vishen prej druri, pritet të rikthehet në objektin e njëjtë, por me funksion të ri. Në të do të ekspozohen materialet e çmuara të përdoruara nga shkrimtari Hivzi Sulejmani.

Studentët në fusha si arkitekturë e ndërtimtari, art e trashëgimi kulturore përveç restaurimit e rikonstruktimit kanë shfrytëzuar materialet e vjetra të ish-bibliotekës duke ua ndërruar destinimin. Kështu nga një pjesë e dyshemesë që do të hidhej për t’u zëvendësuar me një tjetër, kanë krijuar një tavolinë në formë trekëndëshi që do të shërbejë si tavolinë pune, ndërkohë që edhe disa nga raftet ku do të vendosen librat, tashmë janë përfunduar. Disa nga to i kanë mbuluar për të mos u dëmtuar, pasi vetë objekti në të cilin po zhvillohet punëtoria nuk ndodhet në gjendjen më të mirë për të mbajtur këto mobilie aty.

Derisa koordinatorja e kampit në kuadër të programit “Heritage Lab” i organizuar nga “Manifesta 14” që sivjet mbahet në Prishtinë, Rreze Kurteshi, ka treguar se vetë ata e kanë zgjedhur lokacionin për këtë punëtori, ka shtuar se janë frymëzuar nga punëtoria e njëjtë që paraprakisht e kishte bërë Fondacioni kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova” në konstruktimin dhe restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani. “Heritage Lab” është program i Fondacionit. Për përvojën që organizata ka pasur paraprakisht, “Manifesta” ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me “ChwB Kosova”, të cilët edhe kanë krijuar punëtorinë në kampin e përbashkët. Para se të fillojnë punën në kamp, fillimisht studentëve u janë dhënë udhëzime rreth përdorimit të pajisjeve, si t’u qasen materialeve dhe se cilat mund të përdoren e cilat të lihen jashtë përdorimit.

“Fillimisht e kemi larguar mobilierinë nga ish-Biblioteka për shkak se kemi filluar rikonstruktimin e objektit për ta bërë të përdorshëm përsëri, i kemi bartur të gjitha mobiliet këtu. Kemi pastruar hapësirën këtu, kemi bartur materialet dhe i kemi shpërndarë në këtë hapësirë. Kemi vendosur se cilat materiale mund të përdoren e cilat jo”, ka thënë koordinatorja e punëtorisë, Rreze Kurteshi.

Më pas është klasifikuar materiali, ku paralelisht është krijuar edhe lista me inventarin specifik në të cilin do të punohet. “Pas krijimit të asaj liste, pas bisedimeve me mjeshtrit, Fondacioni ka filluar të përzgjedhë studentët, ku kanë aplikuar rreth 20 studentë ndërsa janë përzgjedhur 10 prej tyre. Ata po mësojnë metodat e dokumentimit, ruajtjes, rijetësimit dhe interpretimit të trashëgimisë kulturore përmes punës praktike me dorë të rijetësimin e inventarit në ish-Bibliotekë. Punëtorinë e vlerëson si eksperiencë të mirë, Arman Kaçaniku, student i Arkitekturës në “International Balkan University” në Shkup. “Këtu kemi restauruar mobiliet e objektit, kemi gdhendur drurin, e kemi pastruar, e kemi lyer, këso gjëra. Është eksperiencë e mirë për mua, por edhe një zanat i ri për mua, për këtë kohë sa jam këtu. Do të merrja pjesë prapë, sepse ishte eksperiencë jashtëzakonisht e mirë. Në fillim ka qenë pak e vështirë, sepse nuk kam pasur dijeni për drurin apo të tjerat, por me kalimin e kohës i mësova”, ka thënë ai, teksa ka treguar se në punëtori kryesisht ka punuar me drurin, por edhe me metal.

Janë përfunduar disa rafte të librave, disa nga të cilat janë krijuar tërësisht nga fillimi, tavolina e ekspozimit, tavolina e punës, ndërsa pritet të përfundojë tavolina për radio si dhe një tavolinë tjetër karakteristike. Kampi është zhvilluar deri më 24 qershor, ndërsa pritet që shumica e inventarit në kamp të jetë i përfunduar.

Gjatë muajit maj u mbajt kampi “Restore & Reuse old furniture” në shtëpinë e shkrimtarit Hivzi Sulejmani, ku janë restauruar dhe ricikluar mobiliet e vjetra me qëllim të kthehen në ripërdorim për objektin i cili është kthyer në “Rezidencën 17”. Në punëtori janë trajtuar mobilie, dyer, dysheme dhe shkallë të shtëpisë. Po ashtu, një grup i studentëve kishte bërë identifikimin, përzgjedhjen dhe ekspozimin e dokumenteve të gjetura në shtëpinë e shkrimtarit Hivzi Sulejmani.