Kulturë

Michelle Gurevich i krijon hapësirë dashurisë në vendin magjik

Descriptive Text

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthur humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste. E tillë ka qenë edhe paraqitja e saj në Prizren

Kinemaja verore “Lumbardhi” në Prizren ka qenë vendtakimi i audiencës së ardhur nga qytetet e ndryshme shqiptare për të ndjekur koncertin e Michelle Gurevich. Dyert janë hapur në orën 20:00, duke i mundësuar publikut që të çmallen fillimisht me njëri-tjetrin. Me kalimin e minutave, ata gradualisht kanë filluar t’i zënë ulëset. Ndërsa errësira e natës duke zbritur ngadalë ka ndihmuar që të vihet në pah dekori i skenës me drita.

Aty kah ora 21:00, Michelle Gurevich bashkë me tre instrumentistët kanë marrë rrugën drejt skenës. Mirëpo kënga e parë është interpretuar solo nga ana e Gurevich, me ndihmën e kitarës së saj. Kësisoj, koncerti është hapur me këngën “Goodbye My Dictator”, të publikuar së fundmi nga Gurevich, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale në Ukrainë. Që në vargjet e para, artistja ka bërë të ditur se dashuria nuk fitohet me forcë dhe se e vërteta e gjen rrugën e saj, për të treguar më tej se dëshira e dikujt për të sunduar e ka katranosur të tërën, derisa porosia e saj për të ka qenë: “Mirupafshim diktatori im, mirupafshim” (Goodbye My Dictator, goodbye).

Performancën e saj me kitarë të premten mbrëma e ka vazhduar me këngën “First Six Months of Love”, për të kërkuar dashurinë e muajve të parë, para se e vërteta të shpaloset në tërësinë e saj. Me këto vargje, ajo sikur shpreh ndjenjën për lumturinë kalimtare, përderisa me këngën e radhës, të titulluar “Friday Night”, sikur ka ndjellë ardhjen e dënimit përfundimtar, ani pse e ka lënë përshtypjen se është duke vallëzuar me natën verore.

në realitet është shprehur e lumtur për mundësinë e paraqitjes në Kosovë, duke e cilësuar vendin magjik. Njëherësh i ka lënë vend edhe dashurisë për publikun e pranishëm.

“Është hera e parë që jemi këtu në Kosovë dhe jemi të lumtur që jemi në këtë vend të bukur magjik. S’mund t’ju shoh, por ndoshta edhe unë ju dua juve”, ka thënë Gurevich, për të ngjallur të qeshura në audiencë.

Me ta ka ndarë edhe përvojën pozitive nga kontrolli kufitar në Kosovë, me ç’rast ka fituar përshtypjen se njerëzit e këtij vendi duhen të jenë të mirë.

“Po kalonim te kontrolli i pasaportave, ia dhashë policit pasaportën time, ai e kontrolloi, e vulosi dhe ma ktheu duke thënë ‘Mirëserdhe!’. Kalova dhe mendoja me vete, kam udhëtuar në aq shumë vende të botës, s’di sa, por shumë dhe në asnjërën prej kontrolleve të pasaportave nuk më kanë thënë: ‘Mirëserdhe’. Prandaj me vete thashë, mendoj se këta njerëz duhet të jenë të mirë”, është shprehur Gurevich.

me shoqëruesit e saj, përkatësisht virtuozët në tastierë, bateri e kitarë, ka interpretuar këngën ‘Show me the face’.

Pastaj ka treguar se si e ka kaluar jetën në kërkim të asaj se çfarë dëshiron të bëjë. Ka përmendur angazhimin si trajnuese personale, por edhe punën e gjatë me numra e statistika, derisa ka mbërritur te muzika.

“Dhe pastaj kam punuar shumë me numra dhe statistika. S’ka duartrokitje. A mendoni se statistikat janë seksi? Një, dy, tre vetë. Por pastaj zbulova muzikën dhe diçka e çuditshme ndodhi. Fillova të pranoja letra dashurie. Dhe mendova pse, a është muzika më seksi se statistikat? Sidoqoftë ja një këngë për dobitë e karrierës në muzikë”, ka pohuar ajo, duke prezantuar këngën “Music gets you girls”.

Derisa melodia e këngëve ka vijuar, publiku nga ulëset ka kaluar te hapësira para skenës për të vallëzuar me tingujt melankolikë.

Koncerti ka vazhduar deri në ora 22:30, për t’u përmbyllur sërish me këngën “Goodbye My Dictator”, por kësaj here me shoqërimin e instrumentistëve, duke i dhuruar audiencës së pranishme një natë të paharruar muzikore.

E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës, Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze, muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthur humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.

Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladërinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.

Michelle Gurevich ka krijuar gjashtë albume në studio dhe ky është koncerti i parë i saj në Kosovë.