Kulturë

“Wiener Kammersymphonie” zhvendos në “DAM” magjinë e skenave elitare

Descriptive Text

Lëvizja pa viza – me mundësinë që edhe adhuruesit e muzikës në Kosovë ta përjetojnë magjinë e skenave elitare – nuk duket ende afër. Por tashmë është bërë gati e zakontë që festivalet t’ia ofrojnë publikut këtë mundësi. Festivali “DAM” e ka bërë këtë qysh në natën e hapjes dhe ky është vetëm fillimi. “Wiener Kammersymphonie” e ka zhvendosur publikun me elegancën vjeneze, e mjeshtërinë dhe virtuozitetit në rritje, ky kuintet e ka dëshmuar edhe me “Agument” të Valton Beqirit

Programin e larmishëm muzikor publiku e ka gjetur në ulëset e hollit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në ngjyrimin e tyre muzikor është futur qysh kur pesë instrumentistët me pozicionet e tyre kanë marrë formën e harkut. Pas një përshëndetjeje të shkurtër, u rreken veprave me të cilat publikun duan të dërgojnë në stile e kohë të ndryshme.

Image
Energjia në lojë dhe në komunikim me publikun hetohet qysh në përçimin e tingujve të parë. Për ta dëshmuar mjeshtërinë kanë përzgjedhur që me publikun e Kosovës të njoftohen nëpërmjet tingujve të butë që ngërthehen në veprën “Portret në tri ngjyra”, të kompozitorit nga Austria, Stefan Pelzl

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” ka rikthyer takimin e plotë me publikun. Ambienti ka marrë pamjen e një ambienti koncerti. Për hapjen e edicionit të 17-të, “DAM” ka përzgjedhur emrat e dalluar të muzikës që janë pjesë e “Wiener Kammersymphonie”. Energjia në lojë dhe në komunikim me publikun hetohet qysh në përçimin e tingujve të parë. Për ta dëshmuar mjeshtërinë kanë përzgjedhur që me publikun e Kosovës të njoftohen nëpërmjet tingujve të butë që ngërthehen në veprën “Portret në tri ngjyra”, të kompozitorit nga Austria, Stefan Pelzl.

Kuinteti harkor nisi një mbrëmje që në thelb kishte vepra vjeneze. Vepra e kompozitorit austriak, Pelzl, i cili edhe vetë luan në saksofon, u përshtatet specifikave të grupit, që mbi të gjitha e ka harmoninë muzikore në skenë. Se grupi mund t’ia dalë edhe me vepra që nuk i ka në repertor e ka dëshmuar me “Augment” të kompozitorit kosovar, Valton Beqiri. Vepra që ka tinguj intensivë arrin të nxjerrë edhe më në pah lojën kompakte të formacionit muzikor, të përbërë nga pesë harkorë. Beqiri këtë vepër e kishte kompozuar gati tri dekada më parë dhe për shumë kohë nuk e kishte dëgjuar. Është nga të rrallat ku Beqiri nuk i ka bërë tingujt autoktonë të dominueshëm. Megjithatë vepra nuk i shkëputet karakterit të Beqirit si kompozitor, pasi që ka temperamentin e tij në tinguj më shpotitës. Fillimisht ishte kompozuar vetëm për kuartet harkor dhe më pas Beqiri e ka modifikuar duke e integruar edhe instrumentin e kontrabasit.

“Vetë titulli nënkupton rritje. Mendoj që për ne kompozitorët, e veçanërisht kompozitorët e rinj, ardhja e ansambleve nga Evropa dhe bota është një rast i mirë që të njihemi edhe me veprat tona, t’i dëgjojmë dhe të kemi këtë komunikim mes artdashësve dhe instrumentistëve nga e gjithë bota. Mendoj që festivalet po e luajnë një rol të rëndësishëm, jo vetëm në kultivimin e vlerave muzikore, në fuqizimin dhe aktivizimin e jetës kulturore, por edhe në afirmimin e kompozitorëve vendorë në programet e tyre”, ka thënë Beqiri për KOHËN. Tutje ka shtuar se është i kënaqur me interpretimin e “Weiner Kammersymphonie”, që, sipas tij, është një ansambël që shpreh kompaktësi në skenë dhe dëshmon lojën brilante të instrumentistëve virtuozë, një formacion më të rrallë, siç janë kunitetet harkore.

Image
Se grupi mund t’ia dalë edhe me vepra që nuk i ka në repertor e ka dëshmuar me “Augment” të kompozitorit kosovar, Valton Beqiri. Vepra që ka tinguj intensivë arrin të nxjerrë edhe më në pah lojën kompakte të formacionit muzikor

“Kanë dhënë një mesazh se si punohet në një grup kështu kamertal dhe natyrisht edhe programi ka qenë mjaft i larmishëm nga vepra moderne, deri te ato klasicizmit vjenez. Publiku ka nevojë që t’i dëgjojë të gjitha stilet”, ka thënë tutje Beqiri.

Si një rrugëtim në kohë ka shërbyer interpretimi i veprës “Marchenbilder” e kompozitorit austriak të shekullit XX, Erich Wolfgang Korngold. Kompozitori që pati ndikimin e vet në Hollywood, edhe në veprën “Marchenbilder” që erdhi në Prishtinë përshkruan një “Imazh përrallë”, ashtu siç edhe përputhet me titullin. Për ta bërë me të larmishme mbrëmjen, instrumentistët kanë përzgjedhur edhe muzikë filmi të kompozitorit të klasicizmit modern. Liuba Kalmykova dhe Estelle Weber në violinë, Giorgia Veneziano në violë, Sergio Mastro në violonçel dhe Damian Posse në kontrabas kanë qenë nikoqirët muzikorë që e kanë hapur Festivalin. Nëpërmjet programit thonë se kanë dashur ta forcojnë lidhjen mes dy vendeve.

“Vendosem ta shpalosim një program tipik austriak edhe me kompozitorë bashkëkohorë austriakë dhe një vepër të kompozitorit nga Kosova. Kështu deshëm që ta forcojmë lidhjen mes dy vendeve në këtë festival të mrekullueshëm. Për ne vepra e kompozitorit kosovar ishte vepër e re, por që e shijuam shumë gjatë interpretimit”, ka thënë për KOHËN instrumentisti Sergio Mastro.

“Wiener Kammersymphonie” është përbërë nga muzikantë shumë të talentuar, që janë rezidentë në Vjenë. Ansambli sjell për audiencën e tij një repertor të gjerë muzikor, nga klasikët e shekullit XIX te kompozimet bashkëkohore, shpesh duke performuar vepra nga kompozitorë të harruar dhe të anashkaluar e njëkohësisht, duke e nxjerrë më të mirën e anëtarëve të ansamblit. “WKS” u themelua në mars të vitit 2006 në “Vitin e Mozartit” dhe bëri debutim jashtëzakonisht të suksesshëm me një seri koncertesh në Spanjë, që u mirëpriten nga publiku e kritika, duke e përshkruar ansamblin si interpretuesit më të mirë të një sezoni të gjatë kushtuar tërësisht Mozartit. Në mbrëmjen muzikore në Prishtinë, kuinteti harkor e ka sjellë edhe mjeshtërinë e kompozimit të kompozitorit austriak, që njihej si “Babai i simfonisë”. “Simfonia Nr.82 në C-dur “Ariu”” e kompozitorit austriak e ka përmbyllur mbrëmjen e parë të “DAM Fest”. Versioni për kuintet harqesh nga Marco Ozbiç me shumë tonalitet nxjerr në pah mjeshtërinë e instrumentistëve për t’u zhytur në tinguj.

Image
Një dëgjim ndryshe të veprave të mëdha është ajo çfarë synon edicioni i 17-të i festivalit “DAM”, i cili do të vazhdojë deri më 3 korrik. Mbrëmja e parë ka qenë një ogur i mirë për mbrëmjet që pasojnë

Një dëgjim ndryshe të veprave të mëdha është ajo çfarë synon edicioni i 17-të i festivalit “DAM”, i cili do të vazhdojë deri më 3 korrik. Mbrëmja e parë ka qenë një ogur i mirë për mbrëmjet e tjera, që po ashtu synojnë artistë të njohur të skenës vendore edhe ndërkombëtare.

Drejtoresha e Festivalit, Rreze Kryeziu, ka thënë se me gjithë adrenalinën e organizmit, ka arritur ta shijojë koncertin e formacionit nga Austria.

“Të them të drejtën, unë sot e shijova jashtëzakonisht shumë, natyrisht ne para se të ftojmë ndonjë ansambël e soliste, normalisht që hulumtojmë dhe ne e kemi ditur që janë në një nivel të lartë profesional, por gjatë koncertit kanë treguar që janë ndër ansamblet më të mira të këtij formacioni, që aktualisht qarkullojnë në skenën muzikore në Evropë”, ka thënë ajo për KOHËN.

Performancat e radhës të “Wiener Kammersymphone” përfshijnë angazhime të mëtutjeshme në Amerikën Latine edhe në Evropë, duke zhvilluar gjithnjë repertorin e veçantë simfonik, operistik dhe koncertal “të rishikuar” në versionin e muzikës kamerale/ kuintet harkor.