Kulturë

“Weather Forecast” alarmon për urgjencën e mbrojtjes së natyrës

Nuk ka të bëjë me parashikim moti, por konstatim i së tashmes që determinon edhe të ardhmen. Qasja e panatyrshme ndaj natyrës, thirrja e përsëritur dhe urgjente për mbrojtjen e saj janë esenca e instalacionit të Driton Selmanit, që “ndërhyn” në natyrë dhe prej aty alarmon. Vargjet “Pain, pain go away, come again another day” kanë një histori prapa e Selmani i shndërron në mësim që duhet mësuar një orë e më parë

Për së paku një muaj, midis gjelbërimit në Parkun e Taukbahçes do të gjëllijë edhe arti. Aty ka zënë vend instalacioni i artistit Driton Selmani, shumë pranë rrethojave në njërin qosh të parkut. “Pain, pain go away, come again another day” janë fjalët me ngjyrë të bardhë permanente në tabelën shkollore të cilat, në fakt, janë fjalët e vajzës së artistit, që në fakt për një shqiptim shkronje të R-së në P, ia ndërron kuptimit vargut të këngës së njohur për fëmijë, që thërret për “largimin e shiut” për t’i lënë vend lojës. Por shqiptimi i tillë merr kontekstin e alarmit për të rritur.

Filozofia e gjithë punimit ngërthen brenda saj konceptin për ruajtjen e tokës, ujit dhe ajrit përmes riciklimit të materialeve.

Instalacioni “Weather Forecast” është pasqyrim edhe për stresin e panatyrshëm të së sotmes. Ai përpiqet të vërë në dyshim koston e asaj që shoqëria nuk është e gatshme ta paguajë.

Për tri ditë, dy nga parqet në Prishtinë janë kthyer në qendra arti: Pos atij në Taukbahçe, edhe Parku i Qytetit është nikoqir. Në këtë të parin, instalacioni “Weather Forecast” është e vetmja vepër arti në kuadër të festivalit të artit në hapësira publike “HAPU”, që do të mbetet aty edhe pas mbylljes së edicionit të tetë që zyrtarisht është hapur të enjten mbrëma, duke u rikthyer në gjenezë edhe me emrin e tij fillestar pas atyre që u quajtën “Hapudemi” në dy vjetët e fundit.

Një dërrasë shkolle me korniza prej druri qëndron në këmbë e më vete mban filozofinë për ruajtjen e natyrës. Vargjet “Pain, pain, go away, come again another day”, të përsëritura katër herë, sikur bërtasin teksa u bëjnë thirrje qytetarëve për t’u vetëdijesuar në raport me qasjen ndaj natyrës. I gjithë materiali i përdorur është i ricikluar, si reflektim për të tjerët dhe dëmin që i bëhet tokës nga materialet e dëmshme, të cilat siç thotë autori i instalacionit, sot prodhohen shumë më shumë materiale sesa na duhen.

Për ta bërë kuptimplotë veprën e tij, Selmani ka kompensuar dërrasë të re për shkollën në mënyrë që një të vjetër ta vendosë në instalacion, si shembull se si mund të shfrytëzohen materialet, të cilat në shumë raste përfundojnë në deponi mbeturinash duke u nxjerrë jashtë përdorimit.

Image
“E kam shndërruar në një mësim të domosdoshëm për atë se çfarë është duke ndodhur me ne dhe çka duhet të kemi parasysh kur flasim për raportin e natyrës sonë me natyrën tonë”, ka thënë Driton Selmani për “Weather Forecast”

“Weather Forecast” nuk ka të bëjë në të vërtetë me parashikimin e motit, por me ndryshimet klimatike si pasojë e dëmtimit të natyrës, në këtë rast të hapësirave të gjelbëruara.

“Më kujtohet kur gjatë pandemisë, vajza ime i ka pasur tre vjet dhe këngën ‘Rain, rain, go away’ nuk mundte ta këndonte dhe thoshte ‘Pain, pain, go away, come again another day’, të cilën e kam arkivuar si audioincizim dhe e kam shndërruar në një mënyrë, duke përdorur ngjyrë që nuk e fshin uji. E kam shndërruar në një mësim të domosdoshëm për atë se çfarë është duke ndodhur me ne dhe çka duhet të kemi parasysh kur flasim për raportin e natyrës sonë me natyrën tonë”, ka thënë Selmani, derisa ka treguar se vepra është vazhdimësi e ciklit të veprave të cilat i ka nisur në Zagreb, në parkun memorial dhe të revolucionit “Dotrščina”. Në pjesën e sipërme të punimit, sikurse ka bërë edhe në disa nga instalacionet e tij të fundit, Selmani, i cili është edhe profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ka vendosur tri simbolet për sinjalin, orën dhe baterinë në telefon, si nënkuptim për të panatyrshmen e të panjohurën nga natyra.

“Të gjithë ne jemi në tensionin se a jemi të kyçur në rrjet, sa është ora dhe a kemi bateri. Nëse këto tri nuk i kemi në rregull, secili nga ne jemi në stres dhe krejt kjo është e panatyrshme, si zbulim i joni, e që natyra nuk i njeh”, ka thënë ai. Autori vë në pikëpyetje rolin e shoqërisë, duke ditur se njerëzit janë ata që mund ta mbrojnë natyrën, por në të njëjtën kohë janë qeniet që më së shumti i shkaktojnë dëm. Vendi që ka zgjedhur për ta ekspozuar veprën e tij ka thënë se i është dukur i qetë e poetik dhe në kombinim edhe me trafikun nga prapa. Pra që është i qetë, por jo shumë i qetë.

Festivali i artit në hapësirë publike “HAPU”, në edicionin e tetë të tij ka ardhur me temën “A je n’tokë t’bukës”, shprehja popullore që në këtë rast bën thirrje për vetëdijesim ndaj vendit ku frymojmë, hamë e pimë. Qëllimi i tij është të krijojë pika artistike në hapësira të gjelbëruara, derisa të gjitha aktivitetet e artistëve pjesëmarrës kanë për temë ruajtjen e natyrës.

“Në vazhdën e programit, një prej pikave intervenuese me një instalacion të artistit Driton Selmani, kemi vendosur në këtë formë ta kemi këtu, që në një mënyrë ta shkundë vetëdijen tonë për sjelljen tonë ndaj natyrës, mbi tokën, ujin, ajrin, për të reflektuar si qytetarë, si banorë të kësaj toke në fund të fundit që të mund ta kemi një ambient më të mirë në të ardhmen, nëse nuk jemi shumë vonë”, ka thënë drejtori artistik i festivalit, Florent Mehmeti, në të njëjtën kohë edhe kurator i instalacionit “Weather Forecast”. E ka cilësuar festivalin si thirrje për të ngritur ndërgjegjen te qytetarët, pasi, sipas tij, urgjenca për ta bërë një gjë të tillë është gjendja e paprecedent meteorologjike në Kosovë.

“Është një alarm për të ngritur ndërgjegjen pas një kohe të rëndë që kemi pasur me pandeminë, për t’u kthyer tek esenca, tek ajo që nuk mund t’i ikim. Shumë alarme po ndodhin, siç kohëve të fundit ka mot që nuk ka ndodhur më herët në Kosovë. Kjo do të duhej të na kthjellte dhe të na shkundte vetëdijen për të kuptuar se si po sillemi ne me natyrën”, ka thënë ai, duke shtuar se misioni i festivalit është të ndikojë si reflektim në sensibilizimin për kujdes ndaj natyrës.

Instalacioni “Weather Forecast” i është bashkuar festivalit “HAPU” në ditën e dytë, ndërsa do të qëndrojë në Parkun e Taukbahçes edhe pas përfundimit të tij, për më shumë se një muaj.