Kulturë

Futbollisti i lirisë përtej rrëfimit për heroizmin e sportistit

Pos Përparim Thaçit, dokumentari i shfaqur në “DokuKino Pllato” në Prizren i kushtohet edhe gjithë brezit të futbollistëve të viteve ’90, të cilët luajtën futboll në kohët më të vështira për shqiptarët e Kosovës
 

Dokumentari “Përparim Thaçi – ‘Futbollist i Lirisë’”, nën regji të Mateo Cingut dhe Andi Kasmit, si skenarist e producent, tek sjell rrëfimin për sportistin unik që ra për liri, zbërthen rrëfimin për rezistencën aktive gjatë viteve ’90. Përparim Thaçi sakrifikoi në heshtje. La fushën e futbollit për t’iu bashkuar luftës për çlirimin e atdheut

Historia frymëzuese e futbollistit të “Lirisë”, Përparim Thaçi, i cili u flijua për lirinë e Kosovës, e dokumentuar nga filmbërësit nga Tirana, është shfaqur të mërkurën mbrëma nga “DokuFesti” në Prizren. Në prani të familjarëve, shokëve, bashkëluftëtarëve e adhuruesve të filmit në “DokuKino Pllato” janë shpalosur kujtimet mbi jetën e veprën e heroit të Kosovës të qëndisura përmes vijës artistike të regjisorit Mateo Cingu dhe skenaristit e producentit Andi Kasmi.

Ky i fundit para të pranishmëve ka shpjeguar se si entuziast i futbollit e dokumentues i lojës së bukur rastësisht ka dëgjuar për historinë e futbollistit-dëshmor, Përparim Thaçi, emrin e të cilit e mban stadiumi i qytetit në Prizren. I prekur nga ky tregim, ai vendos që të kërkojë leje nga familjarët për të shkruar për sakrificën e Përparimit. E ky shkrim pastaj përhapet në rrjetet sociale saqë bëhet sebep që edhe regjisori Mateo Cingu të propozojë vizualizimin e këtij tregimi në formë të dokumentarit.