Vepra me histori të veçanta të 90 piktorëve shqiptarë çelet në GKA

Vepra me histori të veçanta të 90 piktorëve shqiptarë çelet në GKA

21 July 2017 13:25

Tiranë, 21 korrik - Një ekspozitë me 45 piktura dhe 9 skulptura, të autorëve shqiptarë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, që kanë një histori të veçantë, do të çelet sot në ambientet e kësaj galerie.

Këto vepra janë punë të mbi 90 artistëve shqiptarë si Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Sadik Kaceli, Angjelin Dodmasej, Zef Shoshi, Guri Madhi, Danish Jukniu, Odise Paskali, Agim Zajmi, Qamil Grezda, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Kel Kodheli, Skënder Kamberi, Petro Kokushta, Hasan Nallbani, Agim Faja, Bashkim Ahmeti, Mustafa Arapi, Besim Golemi, Nikolin Ivanaj, etj.

Në një postim në rrjetin social Facebook Galeria Komëbtare e Arteve shkruhet se “me qëllim ekspozimin dhe kurimin e imazhit, këto vepra jetuan për shumë vite, (disa prej tyre nga viti 1981) në disa institucione të Shtetit shqiptar. Dokumentacioni përkatës dhe afatet kohore nuk u respektuan, prandaj shumë prej këtyre veprave u braktisën për vite me radhë nëpër magazina, u dëmtuan dhe u lanë jashtë çdo standardi të ruajtjes dhe mirëmbajtjes, ndërsa shumë të tjera u zhdukën”.

“Në fillim të vitit 2014 Galeria Kombëtare e ktheu në prioritet kthimin e këtyre veprave në shtëpi. Përmes një procesi jo të lehtë, arritëm të kthejmë 66 piktura dhe skulptura. Pothuajse të gjitha veprat që u kthyen në GKA kishin nevojë emergjente për restaurim, prandaj iu nënshtruan menjëherë ndërhyrjeve konservuese nga laboratori i restaurimit dhe përmbushjes së standardeve për ekspozimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas GKA-së, mungesa prej vitesh në ekspozita dhe kthimi i tyre në identitet, na nxiti t’i ekspozojmë gjatë këtij sezoni veror, për publikun shqiptar dhe të huaj.

Ekspozita nuk bazohet në një koncept kuratorial, por vlera e tyre artistike kombëtare, kthimi në fondin e GKA, shpëtimi dhe restaurimi, meritojnë të shfaqen për të gjithë ata që e duan artin figurativ shqiptar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për artdashësit deri në 25 gusht.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme