Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe”, i themeluar nga Qeveria në vitin 2017 në kuadër të kurimit të së shkuarës, është bërë pikë interesi e vizitorëve vendas e të huaj për të njohur nga afër historitë dhe objektet e diktaturës komuniste.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka shënuar fluks të lartë vizitorësh, kryesisht të huaj, gjatë muajit maj, raportojnë mediat në Shqipëri. Sipas statistikave të bëra publike nga muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” rezulton se ka pasur 12.8 për qind më shumë vizitorë në maj 2022 krahasuar me majin e 2019-s.
“2,986 vizitorë ose 12.8 për qind më shumë krahasuar me majin e 2019-s. 49.6 për qind më shumë të ardhura se në maj të 2019-s. 66.1 për qind e vizitorëve në maj ishin të huaj. Shumica e vizitorëve të huaj në maj ishin francezë, holandezë, amerikanë dhe italianë”, bën të ditur muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe”.
Ndërtesa e njohur si “Shtëpia me gjethe” – e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj – është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve.
I hapur më 23 maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantit që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë kishës ortodokse “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991. Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe “Shtëpia me gjethe” për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur. Sipas përshkrimit, “Shtëpia me gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë.